Rastet e regjistruara të koronavirusit në nivel global kanë shënuar një tjetër rekord ditor.
Sipas llogaritjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në 24 orët e fundit në botë u raportuan të paktën 284,196, një shifër që mund të rritet edhe në orët në vijim sepse jo të gjitha vendet azhurnuan Organizatën për situatën e tyre.
Për momentin, kjo është një rritje prej gati 15% në krahasim me 247.224 raste të raportuara ditën e enjte.
Rekordi i mëparshëm ditor ishte shënuar të shtunën e kaluar me 259.848 raste.
Epidemia e koronavirusit po vazhdon të përhapet në të gjithë botën, ku numri i përgjithshëm i të prekurve nga infeksioni është rritur në më shumë se 15.7 milionë, për një total viktimash prej mbi 640 000.
Renditjen në grafikun e pandemisë e kryeson SHBA, e ndjekur nga Brazili, India, Rusia dhe Afrika e Jugut.
Situata në Kontinentin Amerikan vazhdon të mbetet shqetësuese. Ky territor ka regjistruar deri tani rreth 8.5 milionë të identifikuar me koronavirus, duke detyruar shumë vende të vendosin masa të reja shëndetësore.
Në SHBA gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 1150 vdekje për një total prej më shumë se 145 500 viktimash si edhe mbi 70 000 raste të reja, duke bërë që të kapërcehet pragu i 4.1 milionë të identifikuarve të prekur nga koronavirusi, me një shtesë dyjavore prej mbi1 milion të konfirmuar të infektuar.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë Italiane, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 5 viktima nga koronavirusi, për një total prej 35.102 që nga fillimi i emergjencës shëndetësore.
Autoritetet e shëndetësisë raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 274 raste të reja pozitiv për një total prej 245.864 si dhe 128 pacientë të shëruar
Në Rajonin e Lombardisë sot, si edhe dje, u regjistruan 0 viktima nga koronavirusi për një total të pandryshuar prej 16 801 vdekje, si edhe 79 raste të reja të pozitivitetit Covid, shifër që e rrit në 95 847 numrin e të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në Itali.
Ministria e Shëndetësisë në itali ka botuar raportin e monitorimit javor të emergjencës Covid, sipas të cilit mosha mesatare e rasteve të infeksionit në Itali është ulur në 40 vjeç.
Instituti i Lartë i Shëndetit ka raportuar se pothuajse në të gjithë Italinë ka disa shpërthime të përmasave të ndryshme dhe shumë prej tyre janë shkaktuar nga njerëz që kanë ardhur në Itali nga vende me incidencë të lartë. Ulja në 40 vjeç e moshës mesatare të të infektuarve i detyrohet pjesërisht edhe faktit se gjithnjë e më pak të moshuar po identifikohen me Covid dhe i detyrohet përgjithësisht faktit tjetër, se rastet e reja janë në rradhët e asimptomatikëve dhe moshave të reja.
Në raportin javor Covid në Itali thuhet gjithashtu se ulja e moshës mesatare të të prekurve mbart një rrezik më të ulët kërcënues për shërbimet spitalore.
Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza tha sot se “Ne duhet ta mbrojmë vendin tonë brenda një konteksti ndërkombëtar që po keqësohet nga pandemia e Covid. Ne jetojmë në një planet dhe kjo betejë fitohet me vendosmëri dhe solidaritet".
Rusia ka tejkaluar pragun e 806 000 rasteve të konfirmuara të infeksionit Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.
Sipas qendrës kombëtare të operacioneve antikoronavirus, deri tani në vend janë regjistruar 806 720 infeksione.
Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë identifikuar të prekur nga infeksioni 5.871 raste të reja dhe 146 vdekje të shkaktuara nga Sars-Cov-2.
Sipas autoriteteve, numri i përgjithshëm i viktimave Covid-19 në Rusi, është rritur në 13192.
Në ditën e fundit janë shëruar edhe 8.444 pacientë për 597 140 gjithsej.
Koreja e Jugut sinjalizoi shtimin e rasteve me koronavirusin e ri duke regjistruar bilancin më të lart ëqë prej rreth katër muajsh, me dhjetëra raste të importuara.
“Vendi ka regjistruar 113 raste të reja, 86 prej të cilëve persona të mbërritur nga jashtë, duke e çuar bilancin total në 14 092”, sipas Qendrave koreane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (KCDC).
Bëhet fjalë për bilancin më të lartë që prej 31 marsit, kur vendi regjistroi 125 raste të reja. Gjithashtu është hera e parë që më shumë se 100 raste janë njoftuar që prej 1 prillit.
Një karantinë dy javore është vendosur për personat që mbërrijnë nga jashtë në Korenë e Jugut.
Vendi, ishte në muajin shkurt i dyti më i prekur nga epidemia, pas Kinës ku u shfaq COVID-19. Por autoritetet koreano-jugore kanë mundur të marrë nën kontroll situatën nëpërmjet një strategjie shumë të plotë të testimit dhe gjurmimit të kontakteve të personave të infektuar, pa vendosur kufizim të detyrueshëm.
Këshillat e distancimit social u lehtësuan pas pushimeve në fillim të majit dhe vendi kishte rigjetur globalisht një funskionim normal.
Masat e distancimit social u rivendosën sërish në fund të majit pas shfaqjes së vatrave të kontaminimit në Seul në afërsi të kryeqytetit.
Numri ditor i rasteve të koronavirusit në Ukrainë është rritur në masë të konsiderueshme gjatë dy muajve të kaluar, pas largimit gradual të masave kufizuese që filluan në fund të majit
Në Ukrainë ka patur 1106 raste të reja të Covid-19 në 24 orët e fundit.
Numri i përgjithshëm i infeksioneve të zbuluara që nga fillimi i epidemisë është rritur në 63,929 për një total viktimash prej 1.590, nga të cilat 19 u raportuan në 24 orët e fundit
Këtë javë, qeveria ukrainase e zgjati afatin e masave deri më 31 gusht. Sipas rregullave, njerëzit duhet të vendosin maska dhe ta respektojnë distancën sociale në restorante dhe hapësira publike.
Në Bullgari bilanci i përgjithshëm i rasteve të personave të prekur nga infeksioni i koronavirusit është rritur në më shumë se 10 mijë.
Autoritetet shëndetësore në vend raportuan se në 24 orët e fundit u regjistruan 270 persona të identifikuar me Covid, nga të cilat 55 në kryeqytetin Sofje
Gjithashtu, u raportuna edhe 8 vdekje të reja, për një total viktimash Covid prej 337 që prej fillimit të pandemisë.
Gjithashtu nga koronavirusi janë prekur edhe 602 punëtorë shëndetësorë.
Aktualisht në Bullgari ka 4534 raste aktive, ndërsa në spitale ndodhet 669 pacientë të shtruar në spital, 28 prej tyre në kujdes intensiv.
Dje Ministri Italian i Shëndetësisë nxorri urdhëresën e re e cila parashikon karantinim për të gjithë ata që kanë udhëtuar apo qëndruar nga dhe në Bullgari në 14 ditët e fundit.
Në Amerikën Latine dhe Karaibe, është tejkaluar pragu i katër milionë rasteve të infeksionit.
Brazili, gjigandi i Amerikës Latine ka rreth 2.3 milionë të identifikuar pozitiv me Covid.
Në vend numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur jetën për shkak të Covid që nga fillimi i emergjencës shëndetësore është mbi 85 200 vdekje, ndërsa autoritetet po shohin mundësinë e anulimit të karnavaleve të famshme.
Situata e pandemisë është veçanërisht dramatike në Peru, ku sistemi shëndetësor në qytetin e dytë të vendit, Arequipa, është plotësisht i saturuar.
Njerëzit e infektuar flenë në tenda jashtë spitaleve ose në makinat e tyre, me shpresë se do të gjejnë një vend në spitale.
Në Nikaragua, maska do të jetë e detyrueshme gjithashtu për mbretëreshat e bukurisë teksa konkursi për kurorën Miss Nicaragua 2020 do të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Në Indi, u regjistruan 740 vdekje të reja që i atribuohen Covid-19.
Me një total prej 30.000 viktima, vendi ndodhet i gjashti me më shumë humbje jete pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit, Britanisë së Madhe, Meksikës dhe Italisë.
Disa rajone të Indisë ndërkohë kanë zgjedhur të vendosin përsëri masa kufizuese për të përmbajtur përhapjen e infeksionit të koronavirusit.