Si pasojë e zhvillimeve të fundit të pandemisë dhe në një kohë kur varianti delta po përhapet me shpejtësi, duke filluar nga 14 shtatori Mali i Zi shtrëngon masat në kufi.
Lajmi është bërë me dije nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në mënyrë që të gjithë shqiptarët të cilët dëshirojnë të udhëtojnë drejt Malit të Zi të pajisen me:
- Një vërtetim që kanë kaluar 14 ditë nga rivaksinimi, për vaksinat që jepen me dy doza, ose kanë kaluar 14 ditë nga vaksinimi për vaksinat që jepen me një dozë
- Një test PCR negativ Covid-19 jo më të vjetër se 72 orë, ose testin pozitiv PCR nga i cili kanë kaluar të paktën 14 ditë, por jo më shumë se 180 ditë;
- Test negativ antigjen, jo më të vjetër se 48 orë;
Ndërkohë, qytetarët e Malit të Zi dhe shtetasit e huaj me qëndrim të përkohshëm në Mal të Zi, të cilët nuk plotësojnë asnjë nga kushtet e mësipërme, duhet të karantinohen.
Izolimi mund të ndërpritet pas një testi PCR negativ, pas ditës së gjashtë nga kalimi i kufirit.
Personat nën moshën 18 vjeç (shtetas malazezë, apo të huaj) nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.
Mali i Zi është një ndër vendet më të prekura të rajonit sa i përket pandemisë.
Numri i infektimeve dhe viktimave rritet çdo ditë, ndërkohë që sa i përket ritmit të vaksinimit pavarësisht përpjekjeve ai nuk është i dëshiruari.