Ministrat e financave të BE kanë gjetur gjuhën për një marrëveshje të përbashkët në lidhje me një paketë financare prej 500 miliardë euro për të mbështetur sistemin shëndetësor, ruajtjen e vendeve të punës, likuiditetet për bizneset dhe fondin për një plan ringjalljeje ekonomike në situatën pandemike.
Dokumenti përfundimtar do të diskutohet në tryezën e liderëve të Unionit por modalitetet e financimit të tij mbeten ende të përcaktohen.
Sipas dokumentit të eurogrupit, për kostot e kujdesit shëndetësor do përdoret mundësia e linjës së kreditimit pa kushte e Mekanizmit Europian të Stabilitetit (Mes). “Shtetet kanë detyrimin e vetëm ta përdorin atë për të mbështetur financimin e kostove direkte ose indirekte të kujdesit shëndetësor, trajtimin dhe kostot e parandalimit të lidhura me Covid-19", thuhet në përfundimet e Eurogroupit.
"Linja e kredisë do të jetë e disponueshme deri në fund të emergjencës shëndetësore dhe paskësaj vendet e BE do mbeten të përkushtuara për forcimin e bazave ekonomike, në përputhje me kornizën europiane të mbikëqyrjes fiskale, përfshirë fleksibilitetin".
Në dokument nuk përfshihen eurobondet, pra obligacionet e garantuara nga të gjitha vendet e Eurozonës por aty saktësohet se "Eurogroupi pajtohet të punojë për një Fond të Rimëkëmbjes Ekonomike. Fondi do të jetë i përkohshëm dhe në përpjesëtim me kostot e jashtëzakonshme të krizës sipas shteteve. Liderët e BE në pak ditë do të duhet të diskutojnë mbi aspektet praktike dhe juridike të fondit, burimin e tij të financimit dhe mjetet inovative të financimit, në përputhje me Traktatet e Unionit.
Hipoteza e eurobonove, ose koronabondave, siç janë thirrur edhe në këto ditë krize prej koronavirusit, nuk është gjithsesi e përjashtuar plotësisht për të financuar Planin e Rimëkëmbjes pavarësisht se Holanda dhe Gjermania janë shprehur kundër. Qeveria Holandeze ka kërkuar që ndihma finaciare në suazën e eurobondit të jepet me kushte kurse Kancelarja Merkel deklaroi dje se ekzistojnë mekanizma të tjerë ndihmues pa prekur rregullat e Mekanizmit Europian të Stabilitetit.
Ministri francez i financave tha se nuk duhet humbur për të vendosur mbi koronabondin dhe se këto janë ditët më të rëndësishme për Europën, kurse Ministri i Ekonomisë italiane Roberto Gualtieri deklaroi se "Ne vendosëm bonot europiane në tryezën e bisedimeve, hoqëm kushtëzimet e Mekanizmit Europian të Stabilitetit, do t’i dorëzojmë një propozim ambicioz Këshillit Europian dhe do të luftojmë për ta arritur atë.
Lajmi kryesor: