COVID-19/ Koduzi: Qeveria masa konfuze, të hapë spitalet rajonale! I domosdoshëm vaksinimi i popullsisë për gripin sezonal

Absurde e konfuze. Kështu i përshkruan masat anti-covid të qeverisë eksperti për shëndetësinë në Partinë Demokratike, Gazment Koduzi. Sipas tij, zgjidhja për të ulur rrezikshmërinë e pandemisë nuk vjen nga ndalimi i muzikës pas orës 20:00 apo nga testimet në spitalet private.

“Nuk kemi parë masa konkrete, por kemi parë masa konfuze, nga ana e qeverisë për situatën e koronavirus. Në radhë të marrë, masë konfuze është ndalimi i muzikës pas orës 20:00 e më pas vijmë te dy vendimet që janë marrë për liberalizimin e analizave serologjike, në sektorin privat, bëhet fjalë për klientelizëm, e njëjta gjë me liberalizimin e tamponëve në privat për efekt dokumentacioni, gjë që është nonsens pasi me shifrat që raportohen, ka nevojë për kontributin e privatit për arsye diagnostikimi të të gjithë atyre që telefonojnë dhe kërkojnë ndihmë te 127. Nisur nga këto masa konfuze do thoja që nuk është marrë asnjë masë reale bazuar te udhëzuesit e organizatave botërore, apo eksperienca e vendeve që kanë patur më sukses në përballimin e pandemisë. Duhet trinomi testo-gjurmo-trajto.Nuk më shqetësojnë më shumë shifrat sesa mënyra sesi po menaxhohet situata. Dhe në  këto momente, qeveria nuk ka marrë hapat e duhur për të menaxhuar situatën në të gjithë Shqipërinë. Duhet të vërë në funksion edhe spitalet rajonale, janë përqendruar te dy spitale në Tiranë. Kjo sjell disa efekte negative, nuk shfrytëzohet si duhet logjistika e sistemit mjekësor dhe së dyti ka të bëjë me keqmenaxhimin e  burimeve njerëzore. Kolegët që punojnë në dy spitalet Covid stërmundohen për të dhënë shërbim, ndërsa kolegët në spitalet rajonale nuk kanë punë. Dhe e treta e më kryesorja është mos ofrimi i kujdesit shëndetësor i duhur personave që dalin pozitiv me Covid 19. Këto persona duhet të ndihmohen, ndërkohë që qëndrojnë në shtëpi dhe këshillohen nëpërmjet telefonit”, tha Koduzi.

Mbështet thirrjen e kryedemokratit Lulzim Basha për t’i bërë falas të gjithë popullatës vaksinën kundër gripit, dhe për ta realizuar këtë thotë ai, qeveria i ka të gjitha kapacitetet.

“Duke filluar sezoni i vjeshtës, është koha e gripit të stinës. Në Itali një nga shkaqet që u përhap masivisht koronavirus është që u ngatërrua me simptomat e gripit sezonal. Me qëllim që të bëhet ky dallim, kemi propozuar që të bëhet vaksinimi i popullatës. Pse duhet të bëhet kjo? Për sëmundjet infektive, ka masa parandaluese që ka të bëjë me reduktimin e riskut, si mbajtja e maskave, dezinfektimi i duarve, distanca fizike, që kanë të bëjnë me parandalimin parësor. Vaksina është përsëri parandalim, por jo me reduktim të rrezikut, por me rritje të imunitetit të organizmit. Kështu, nëse një person merr virusin e gripit do të ketë simptoma më të lehta, ç’ka do të bëjë të dallohen nga simptomat e koronavirus që ka simptoma më të avancuara. Do të japë mundësi që popullata të jetë më e mbrojtur, por edhe të bëhet diferenca mes gripit sezonal dhe Covid-19. Mendoj që vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet për të vaksinuar të gjithë popullatën me vaksinën e gripit. Qeveria i ka kapacitetet financiare, por duhen marrë shembull edhe vendet e tjera që kanë një buxhet financiar të përcaktuar të mjaftueshëm për shëndetin e popullatës dhe nga ana tjetër sistemi ynë shëndetësor ka një logjistikë në terren kapilar që e bën shumë të thjeshtë ofrimin e vaksinimit. Por duhet të kemi parasysh e të bëjmë kujdes në cilësinë e vaksinës”, tha Koduzi.

Por në një kohë kur opozita jashtëparlamentare akuzon se spitalet janë kthyer në vatra infeksioni, për të kryer vaksinimin, Koduzi thotë se duhet të merren masa në qendrat spitalore, që qytetarët të mos rrezikohen nga marrja e covid 19, ndërsa bëjnë vaksinën për gripin sezonal.

“Vaksinimi duhet të ecë paralel me marrjen e masave përkatëse për të mbrojtur personelin mjekësor, por edhe pacientët. Duhet të pajiset stafi me maska, doreza, duhet të bëhet dezinfektimi  i qendrave shëndetësore, riorganizimi logjistik siç e ka bota, ku ka tjetër vend ku hyjnë e dalin pacientët dhe tjetër vend ku  hyjnë e dalin mjekët. Duke marrë këto 3 masa, qendrat shëndetësore bëhen vende me zero risk për pacientët”, tha Koduzi.

I zhveshur nga funksioni në selinë blu, por si mjek, Gazment Koduzi thotë se sezoni i vjeshtës  do të jetë më i vështirë, ndaj apelon për kujdes të vazhdueshëm.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës