195 viktima në Itali! 4 milionë raste infeksioni nga COVID-i në botë! Anthony Fauci: Në SHBA më shumë viktima se shifrat zyrtare

195 viktima në Itali! 4 milionë raste infeksioni nga COVID-i në botë! Anthony Fauci: Në SHBA më shumë viktima se shifrat zyrtare

Sipas studiuesve nga Universiteti Johns Hopkins, të paktën 4,247,709 njerëz në të gjithë botën kanë kontraktuar virusin.

Numri i përgjithshëm i viktimave për shkak të infeksionit prej Covid ka tejkaluar shifrën 290 mijë që nga fillimi i pandemisë.

SHBA gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1894 vdekje duke e rënduar totalin e viktimave në vend në 82 340 kurse rastet e pergjithshme të raportuara pozitive nga Covid është 1 360 000

Amerika Latine, 400,000 infeksione dhe 23,000 vdekje 

Amerika Latine gjithnjë e më shumë po goditet nga pandemia e koronavirusit teksa numri i përgjithshëm aty i rasteve pozitive me koronavirus është 400 000 për një total vdekjesh prej 23 000. Në më pak se 24 orë, infeksionet u rritën për 20,000 njësi.

Brazili kryeson renditjen me 45% të të infektuarve (177,589) dhe pothuajse gjysmën e vdekjeve. Peru 72.059 raste të infeksionit dhe 2.057 vdekje. Situata në Meksikë është gjithashtu dinamike, ku rastet e konfirmuara të Covid-19 janë 38.324 dhe vdekjet 3.926, një numër shumë i lartë në krahasim me të infektuarit. Ekuador (30.419 dhe 2.327), Kili (31.721 dhe 335), Kolumbia (12.227 dhe 493), Republika Dominikane (10.900 dhe 402), Panama (8,616 dhe 249) dhe Argjentina (6.278 dhe 305).

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:02
Covid-19, në Itali regjistrohen 195 viktima dhe 3502 të shëruar në 24 orët e fundit

Kurba në Italia vijon rënien e saj si me numrin e viktimave dhe me atë të rasteve të reja dhe shtrimeve në spital.

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 195 viktima nga koronavirusi për një total prej 31106

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 3502 kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 112541

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 888 raste të reja pozitiv me Covid-19 për një total prej 222104  që nga fillimi i pandemisë

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 69 viktima për një total prej 15185 që nga fillimi i pandemisë.

Rastet pozitive në rajon sot ishin 394 për një total që nga fillimi i krizës shëndetësore prej 83 298.

Në Lombardi në terapi intensive ndodhen 307 pacientë, 15 më pak se dje. Të shëruar në Lombardi sot janë 1113 për një total prej 29 356

Ora 16:57
Covid, Daily Mail: Ushtria britanike përdor spray mushkonjash për të luftuar koronavirusin

Sipas Daily Mail, Ministria britanike e Mbrojtjes është duke u dhënë një spraj mushkonjash ushtarëve në vijën e parë të betejës me Covid-19 për t’u mbrojtur, duke thënë se mund të neutralizojë koronavirusin. Sekretari britanik për Mbrojtjen Ben Wallace tha se një sprajt me bazë Citriodiol i është dhënë personelit, pasi mjekët britaninë siguruan se nuk ishte i dëmshëm.

Daily Mail shkruan gjithashtu se pas konsultimeve me ekspertë, përfshirë konsulentët e sëmundjes infektive, këshilltarët e patologjisë dhe ekspertët e shëndetit publik, Kirurgu i Përgjithshëm Britanik këshilloi që Citriodiol nuk ishte i dëmshëm dhe duhet të përdoret mbi punonjësit që janë në vijën e parë të betejës me Covid-19.

Media britanike shkruan se "Spraj Citriodiol ka rezultuar edhe më parë i efektshëm në vrasjen e koronavirusëve të tjerë, përfshirë SARS-in, duke shkatërruar shtresën që rrethon virusin".

Kimikati është rezistent ndaj avullimit dhe, nëse provohej se ishte efektiv kundër virusit, mund të ofronte mbrojtje për disa orë. Larja e rregullt e duarve me sapun dhe anti-viruset ekzistuese e vrasin virusin por nuk sigurojnë këtë mbrojtje afatgjatë.

Ora 16:17
Covid, rritet numri i viktimave nga infeksioni i koronavirusit në Britaninë e Madhe

Koronavirusi vijon të përhapet në Britaninë e Madhe.

Mësohet se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 494 persona, ndërsa në total numri i viktimave është 33,186.

Ndërsa edhe numri i të infektuarve është rritur me 3,242 raste të reja ku në total, 229,705 persona janë prekur.

Kurba e pandemisë në Britani është shumë e paqëndrueshme ku vetëm përpara dy ditësh u shënuan jo rreth 200 viktima.

Në disa raporte të publikuara, numri i vërtetë i viktimave mund të jetë mbi 44 mijë por asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Deri më tani në të gjithë vendin janë kryer 1,522,258 tampone.

Ora 15:59
Covid-Presidenti francez: Është ende herët për të kënduar fitoren

"Është ende herët për të kënduar fitoren ", por "rruga e ndjekur është e drejtë" - tha Presidenti Francez, Emmanuel Macron në ditën e tretë të rihapjes në Francë pas masave të bllokimit dhe izolimit.

Presidenti Macron tha në Këshillin e Ministrave se hipoteza e një mbylljeje të re, edhe nëse "e pasigurt", mbetet në tryezë në rast se "situata përkeqësohet".

Që nga e hëna, Franca ka hyrë në fazën 2 pas më shumë se 50 ditësh bllokim të ngurtë, duke e vigjilencën të lartë.

Rihapja e parqeve dhe kopshteve në Paris, e kërkuar disa herë nga kryebashkiakja Anne Hidalgo, u gjykua nga qeveria "e papërshtatshme, duke pasur parasysh gjallërinë e qarkullimit të virusit në rajonin Ile-de-France".

Plazhet në Atlantik do rihapen, por vetëm 'për aktivitete dinamike'. Ndalohet noti, peshkimi, banja dielli ose piknikë.

Ora 15:56
Maskat e Covid në Shtëpinë e Bardhë, Nënpresidenti Pence mban distancë nga Presidenti Trump

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence është distancuar nga Presidenti Trump si masë sigurie, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.

“Nënpresidenti ka bërë zgjedhjen që të distancohet për disa ditë,” pasi sekretarja e tij për shtypin, Katie Miller u diagnostikua me koronavirus të premten, pohoi të martën për gazetarët Kayleigh McEnany, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Nënpresidenti Pence mungonte të hënën në konferencën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, ku mori pjesë si zakonisht Presidenti Trump. Presidenti e shfrytëzoi konferencën e së hënës për të promovuar përpjekjet e administratës për testimin e popullatës për koronavirus.

Gjatë konferencës së të martës, zëdhënësja McEnany pohoi për gazetarët se brenda kësaj jave numri i amerikanëve që kanë bërë analizën e koronavirusit do të arrijë në 10 milionë vetë. Ajo shtoi se SHBA kanë arritur ritme më të mira se Koreja e Jugut për testimet.

Nga numri i viktimave, 29 shtete amerikane kanë konfirmuar numra më të lartë se Koreja e Jugut.

Koreja e Jugut ka 52 milionë banorë dhe ka regjistruar më pak se 300 vdekje.

Shtetet e Bashkuara me 328 milionë banorë kanë mbi 81 mijë viktima – numri më i lartë të vdekurve nga çdo vend tjetër në botë.

Ora 15:24
Covid, Britania e Madhe nga sot nis fazat drejt kthimit në normalitet

Britania e Madhe nga sot nis fazat drejt kthimit në normalitet. Sipas autoriteteve britanike, në fazën e parë të normalizimit, qytetarët do të lejohen të kalojnë më shumë kohë jashtë shtëpisë, të dalin në parqe, për piknik apo peshkim. Duke respektuar masat e distancimit fizik, nga sot lejohen edhe takimet por duke qëndruar 2 m larg nga njëri tjetri.

Qytetarët lejohen idividualisht të merren me sport ndërsa me persona të tjerë duke respektuar rekomandimet.

Lejohen vizitat në zonat rurale, parqet kombëtare dhe plazhe. Meqenëse rekomandohet që të shmanget transporti publik, udhëtimet në fjalë mund të bëhen me automjete private.

Në fazën e dytë hapen shkollat, kurse në të tretën hotelet

Sipas planit, në fazën e dytë, e cila do të miratohet më 1 qershor do të hapen disa dyqane ndërsa shkollat do të fillojnë me nxënësit e shkollave fillore.

Faza e tretë pritet të fillojë në korrik, ku është planifikuar hapja e hoteleve dhe objekteve të tjera duke respektuar masat.

Ora 14:46
Rritje e lehtë e numrit të viktimave nga COVID-19 në Spanjë

Rritet numri i viktimave në Spanjë në raport me një ditë më parë.

Ministria e Shëndetësisë raportoi sot se gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 184 viktima, ndërsa të martën u shënuan 176 vdekje.

Deri më tani, në total janë 27.104 persona që kanë humbur jetën dhe mbi 228 mijë të infektuar.

Sipas autoriteteve janë shëruar rreth 140 mijë pacientë që prej nisjes së pandemisë së koronavirusit.

Duke filluar nga 15 maji, çdo shtetas i huaj që hyn në Spanjë do të karantinohet për 14 ditë.

Ora 14:14
Covid-19, vendet e BE-së po provojnë një kthim të butë në Shengen

Europa është duke u përpjekur të rikthehet në normalitet, teksa ende po përballet me emergjencën shëndetësore.

Gjermania dëshiron të hapë kufijtë e saj dhe është e gatshme ta bëj këtë duke filluar nga mesi i muajit qershor. Ndërkohë edhe Austria ka vendosur të rihap kufijtë e saj duke filluar nga 15 qershori. Vendimi shënon kthesë pozitive dhe progresive të Shengenit, gjithashtu për Austrinë, e cila për një arsye ose një tjetër ka pasur gjithmonë një kujdes të caktuar drejt lëvizjes së lirë në Europë.

Kancelari austriak Sebastian Kurz, tha se "Republika Austriake ndan një kufi të gjatë me Gjermaninë, kështu që është përparësi për ne për të zgjidhur këtë situatë. Por ne gjithashtu do të rihapemi për Lichtenstein dhe Zvicrën por edhe për fqinjët tanë në Jug dhe Lindje ".

Nga e premtja tjetër, të dy vendet me gjuhë gjermane, megjithatë, do të fillojnë të lehtësojnë kontrollet kufitare.

Duke filluar nga 15 maji do të rihapen gjithashtu të tre republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania. Kjo e fundit tashmë ka lehtësuar kufizimet me Poloninë fqinje.

Ora 12:26
Covid, Rusia regjistron edhe 10 mijë raste të reja infeksioni nga koronavirusi

Rusia ka dokumentuar 10.028 raste të reja infeksioni nga koronavirusi në 24 orët e kaluara duke e rritur numrin e përgjithshëm të të prekurve nga Covid në 242,271.

Sipas Qendrës së Menaxhimit të Krizës, rritja ditore e infeksioneve në ra në 4.3% nga 4.9% një ditë më parë.

Zyrtarët vunë në dukje se 4,461 nga pacientët e diagnostikuar rishtazi (44.5%) nuk kishin simptoma të sëmundjes.

Në 24 orët e fundit u regjistruan gjithashtu 96 viktima për një total prej 2212.

Dje, Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin u deklarua se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus dhe tani është në spital, duke u trajtuar për sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus.

Peskov është i fundit zyrtar i lartë që infektohet me këtë virus në Rusi, i cili ka prekur edhe kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova dhe ministrin e Infrastrukturës, Vladimir Yakushev.

Ky njoftim ardhi një ditë pasi Putin deklaroi se Rusia është treguar e suksesshme në uljen e shkallës së infektimit me koronavirus, andaj ka bërë të ditura disa lehtësime të kufizimeve, të cilat janë marrë me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje.

Ora 12:24
Covid, Franca kapërcen Spanjën, e katërta në botë për numrin e viktimave

Franca ka shënuar 348 humbje jetësh nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Kjo e çon bilancin e viktimave në 26,991.

Duke kapërcyer dhe Spanjën, kjo shifër e rendit Francën në vendin e katërt në botë përsa i përket numri të të vdekurve, pas Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Italisë.

Rritja e numrit të viktimave dhe rasteve të reja me koronavirus në Francë përkon me ditën e dytë të lehtësimeve të masave shtrënguese nga autoritetet.

Megjithatë presidenti Macron ka bërë me dije se nëse situata përkeqësohet atëherë do të aktivizohet mekanizmi i frenimit dhe shtrëngimet do të rikthehen sërish.

Ora 10:27
Covid, në Gjermani regjistrohen 101 viktima nga infeksioni i koronavirusit në 24 orët e fundit

Instituti për sëmundje infektive “Robert Koch” njoftoi se 101 persona kanë vdekur nga koronavirusi në Gjermani gjatë 24 orëve të kaluara.

Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 7,634.

Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 798 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve në ekonominë më të madhe të Evropës shkoi në 171,306.

Gjermania e ka njërën ndër shifrat më të larta të të infektuarve me Covid-19 në Evropë, por ka shkallë shumë më të ulët të vdekshmërisë në krahasim me Italinë, Spanjën, Francën dhe Britaninë e Madhe.

Qeveria gjermane ka filluar t’i lehtësojë masat kufizuese me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë, duke shpresuar se numri i rasteve të virusit nuk do të rritet.

Ndryshe, ministria austriake e turizmit ka njoftuar se Austria dhe Gjermania kanë arritur marrëveshje për largimin e kontrolleve kufitare nga 15 qershori, shkruan “Reuters”,

Ora 09:34
Covid-SHBA, 100 fëmijë të prekur nga sëmundja 'Kawasaki'...lidhja me infeksionin e koronavirusit! Guvernatori i New York-ut: Situata shqetësuese

Të paktën 100 fëmijë në shtetin e Nju Jorkut janw prekur nga sindroma inflamatore e rrallë dhe e rrezikshme, e ngjashme me sindromën Kawasaki, e cila mendohet se është e lidhur me virusin Covid-19.
Kjo u njoftua nga Guvernatori Andrew Cuomo i cili foli për të paktën tre fëmijë të vdekur, përkatësisht 5, 7 dhe 18 vjeç.

Gjysma e rasteve kanë të bëjnë me të mitur nga 5 deri në 14 vjeç. "Kjo është një situatë shumë shqetësuese," tha Cuomo teksa deklaroi se nw New York City ka 52 raste me sindromwn e rrezikshme.

Para dy ditësh edhe Komisionerja e Shëndetësisë në Nju Jork, Dr. Oxiris Barbot tha se një numër fëmijësh që kishin koronavirusin, kishin zhvilluar gjithashtu sëmundjen e rrallë të njohur me emrin "sëmundja Kawasaki".

"Përgjithësisht, nëse identifikohet herët, ekziston një kurë efikase dhe zakonisht nuk lë pasoja afatgjata", u tha gazetarëve për sindromën Dr. Oxiris Barbot, Komisionere për Shëndetësinë e qytetit të Nju Jorkut. "Megjithatë, nëse sindroma nuk identifikohet herët, mund të ketë pasoja afatgjata, më së shumti të lidhura me probleme të vazhdueshme të zemrës".

Komisionerja Barbot tha se një numër i vogël i rasteve janë raportuar gjithashtu në qytetet verilindore të Filadelfias dhe Bostonit.

Mjekët në Britani gjithashtu kanë dokumentuar simptomat e Kawasakit.

Simptomat për t'u patur kujdes

Barbot tha se simptomat e Kawasaki përfshijnë ethe të larta për disa ditë, sy të kuq, skuqje, dhimbje barku, enjtje të duarve dhe këmbëve dhe buzëve dhe gjuhë me ngjyrë të ndezur, e njohur si "gjuha e luleshtrydhes".

Kawasaki zakonisht trajtohet me imunoglobulinë dhe aspirinë.

Komisionerja u bëri thirrje prindërve që të monitorojnë nga afër çdo simptomë dhe të kontaktojnë mjekun e fëmijës së tyre nëse pikasin shenja të sëmundjes. 

Ora 08:55
SHBA, provat klinike për vaksinën kundër Covid-19…Trump: Në katër javë rreth 13 milionë teste për koronavirusin

Epidemiologu Shtëpisë së Bardhë, Dr. Anthony Fauci tha se tetë vaksina kundër koronavirusit janë duke u zhvilluar në Shtetet e Bashkuara.

"Nëse jemi të suksesshëm," tha ai, "shpresojmë ta mësojmë (rezultatin e tyre) në fund të vjeshtës, ose në fillim të dimrit." po shtoi se “Ka shumë të ngjarë që vaksina nuk do të jetë në dispozicion para një viti ose dy”.

Epidemiologu Fauci tha se kjo është kohë akoma e largët teksa miliona studentë dhe nxënës që do të duhet të kthehen në universitete dhe shkolla në të gjithë vendin në gusht dhe shtator.

"Ne duhet t'i sigurojmë jetën e studentëve. Ata nuk do të jenë të sigurt derisa sa të gjendet vaksina. Ne kurrë nuk do të jemi të sigurt derisa të mposhtet koronavirusi"

Presidenti Trump ka thënë se ka patur një rritje të madhe të testimeve për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara, më shumë se në çdo vend tjetër, megjithëse disa raporte thonë se Shtetet e Bashkuara nuk radhiten në mesin e 20 vendeve të para për nga numri i testimeve të administruara për në raport ne popullsinë.

"Testimet tona janë më të mirat në botë!" Presidenti Trump tha në Twitter disa orë para se të fillonte seanca dëgjimore në Senat. "Shifrat (e rasteve të koronavirusit) po bien në pjesën më të madhe të vendit, i cili dëshiron të hapet dhe të fillojë punën përsëri.

Ai tha se 240 qendra testimi tani janë në operim në Shtetet e Bashkuara dhe se 12,9 milionë njerëz të tjerë do të testohen gjatë katër javëve të ardhshme. Trump tha gjithashtu se do të ketë një rritje të dukshme të numrit të testimeve në muajt e ardhshëm, ndoshta mund të arrijë nivelin e 40 deri në 50 milionë testimeve në muaj nga shtatori.

Ora 08:41
Covid, epidemiologu i Shtëpisë së Bardhë: Numri i viktimave në SHBA më i lartë se shifrat zyrtare! Koronavirusi do rikthehet sërish në vjeshtë

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara tha se numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është "me siguri më i lartë" sesa shifra e raportuar prej 80,000 viktimash dhe paralajmëroi për pasoja të rënda nëse qytete dhe shtetet rihapen shumë shpejt.

Ai i tha një paneli të Senatit që po heton reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pandemisë, se një numër i pa llogaritur i viktimave të koronavirusit, veçanërisht në qytetin e Nju Jorkut, kanë vdekur në shtëpi pa u përfshirë zyrtarisht në numrin total të vdekjeve në nivel kombëtar, por nuk pranoi të spekulonte se deri ku mund të ketë arritur kjo shifër.

Dr. Fauci paralajmëroi se është "tërësisht e mundur" që pandemia "të mund të përkeqësohet" në Shtetet e Bashkuara në muajt e vjeshtës nga shtatori deri në nëntor, por tha se shpresonte që deri në atë kohë vendi do të "mund të merrej me të" më mirë se deri më tani.

Ora 08:39
Covid, rreth 1 për qind e hungarezëve besohet se janë infektuar nga koronavirusi

Të dhënat preliminare të një sondazhi mjekësor për popullsinë hungareze kanë sugjeruar se rreth 1 për qind e banorëve të Hungarisë ka pasur koronavirus.

Nga 8,700 persona të testuar, vetëm dy kanë rezultuar pozitivë, derisa nëntë veçse kanë kaluar virusin.

Testimet janë duke u kryer në baza vullnetare dhe nuk përfshijnë pacientët nëpër institucione siç janë ato për kujdes ndaj të moshuarve.

Në javën e ardhshme pritet të kryhen edhe 9,000 teste tjera.

Statistikat zyrtare në Hungari kanë treguar se 3,300 persona kanë pasur virusin, ndërsa 425 kanë vdekur.

Sondazhi tregon se në mes të 0,27 për qind deri në 1.1 për qind e popullsisë besohet se ka pasur virusin – apo 22,000 deri në 93,000 persona në mesin e 8.3 milionë hungarezëve të moshës 14-vjeçare e tutje.

Hungaria është një prej shteteve të prekura më së paku me koronavirus, mirëpo qeveria e këtij shteti ka miratuar masa të rrepta, duke përfshirë vendimin për të udhëhequr me dekret, derisa të shfuqizohet vendimi për gjendje të jashtëzakonshme.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka thënë se masat kanë qenë të domosdoshme “për t’u përgatitur për më të keqen dhe për të shpresuar për më të mirën”.

Ai ka urdhëruar që 36,000 nga 65,000 shtretërit e spitaleve, të përgatiten për pacientë me koronavirus.

Deri më tani nuk janë mbushur as 1,000 prej tyre në kohën e njëjtë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit