Në një kohë kur numri i të infektuarve me Covid-19 ka kaluar 40 milionë dhe ai viktimave ka kaluar 1.1 milionë, shtetet evropiane po shtojnë orë pas ore masat kufizuese, e fundit që i shtohet kësaj liste është Italia.
Mbrëmjen e djeshme kryeministri Giussepe Conte lajmëroi se nga tani e tutje përdorimi i maskës në ambiente të jashtme është një domosdoshmëri, për të shmangur një izolim të plotë. Të gjitha organizimet publike do të ndalohen pas orës 21, ndërsa restorantet do të shërbejnë për klientët në tavolina maksimumi me 6 persona pas orës 18-00. Ndryshimet në shkollim prekin kryesisht nxënësit në shkollat e mesme, për të cilët tanimë këshillohet vazhdimi i mësimit në distancë. Sportet e amatore duhet të ndalohen për disa kohë.
Kryeministri tha në një fjalim televiziv "Ne nuk mund të humbasim më kohë, duhet të vendosim masa për të shmangur një izolim të plotë, i cili mund të dëmtojë rëndë ekonominë.”
Një numër vendesh kanë forcuar masat në luftën kundër COVID-19, ndërsa e ashtuquajtura "vala e dytë" e infeksioneve vazhdon të rritet.
Franca prej ditësh po sheh rritje rekord të shifrave, pavarësisht masave të shumta. Nëntë qytete të mëdha franceze, përfshirë Parisin, janë nën një shtetrrethim nga ora 21:00 deri në 06:00 për të paktën një muaj.
Nga sot të gjitha baret dhe restorantet në Belgjikë do të mbyllen për katër javë dhe një shtetrrethim do të jetë në fuqi nga ora 00: 00-05: 00, ndërkohë që shitja e alkoolit është e ndaluar pas orës 20:00.
Zvicra të Dielën mori vendimin për të bërë të detyrueshëm përdorimin e maskave në ambiente të brendshme dhe kufizoi numrin e personave në takimet publike.
Republika Çeke tha se do të priste dy javë përpara se të vendoste nëse ishte i nevojshëm një izolim i plotë. Irlanda në anën tjetër do të marrë masa më të rrepta ditën e sotme, duke kaluar në rimbylljen e të gjitha bizneseve të cilat nuk konsiderohen si thelbësore. Në Gjermani, Hollandë dhe Spanjë situata nuk paraqitet aspak më e qetë dhe frika e të gjithëve tanimë është se mund të kemi rikthim të plotë të izolimeve.