Festat në klubet e natës dhe argëtimet në grumbull të të rinjve janë të ndaluara në këtë periudhë pandemie, por duket se ky rregull ka rënë në vesh të shurdhër jo vetëm të rinisë shqiptare, por dhe bizneseve që organizojnë festa të tilla pa leje dhe thyejnë në mënyrë të hapur protokollet e sigurisë të masave anti-covid.

'Trimëria' e rinisë kundrejt këtij virusi në fakt tregon hapur papërgjegjshmërinë e madhe jo vetëm ndaj shëndetit dhe jetës së tyre, por dhe jetës së familjarëve dhe të gjithë shoqërisë duke rrezikuar që virusi të ketë një përhapje edhe më të gjerë dhe fatkeqësisht edhe shtim të viktima si pasojë e COVID-19.

Argëtimi dhe festat në lokale deri në orët e vona të natës, në grumbull dhe pas asnjë lloj distancimi fizik dhe mbajtje të maskës mbrojtëse po 'reklamohet' nga vetë të rinjtë duke publikuar fotot në rrjetet sociale, ndërsa heshtja dhe mbylljeve e syve para këtij fenomeni e Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve përkatëse për monitorimin dhe respektimin e masave anti-covid është edhe më e rëndë.

Në lidhje me këto aktivitete të palejuara ende në vendin tonë, jo vetëm nuk merren masa për mbylljen dhe shmangien e tyre, por dhe gjobat duket se ekzistojnë vetëm në letër, pasi në praktikë "virusi duket se nuk ekziston për askënd".