COVID-19/ Ulet ndjeshëm numri i viktimave në Itali, mbi 100 mijë të shëruar! Trump: Koronavirusi do largohet edhe pa u gjetur vaksina

COVID-19/ Ulet ndjeshëm numri i viktimave në Itali, mbi 100 mijë të shëruar! Trump: Koronavirusi do largohet edhe pa u gjetur vaksina

Foto ilustruese

Deri tani në të gjithë botën koronavirusi ka shkaktuar rreth 280 000 viktima që fillimi i epidemise në Kinë në muajin dhjetor. 

Sot numri i përgjithshëm i të infektuarve po shkon me shpejtësi drejt 4 milion të prekur.

Shtetet e Bashkuara mbeten deri më tani janë vendi i goditur më rëndë nga Covid me 1.28 milion raste pozitive dhe mbi 77 mijë vdekje.

Më pas renditen Britania e Madhe (31.241), Italia (30.301), Spanja (26.299) dhe Franca (26.230).

Në 24 orët e fundit në SHBA u regjistruan 1635 viktima nga koronavirusi dhe më shumë se 29 mijë infeksione të reja.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:14
Ekspertet italianë: COVID-19 po humbet fuqi, i nxehti e dobëson

Drejtuesi i njësisë statistikore mjekësore dhe epidemiologjike i Masimo Cicioli raportoi përpara senatit italian se COVID- 19 po humb fuqinë. Ai shtoi se virusi po zhvillohet, por po humb çdo ditë fuqinë për të infektuar njerëz si dhe po humb rrezikshmërinë për të marrë jetë.

Massimo Ciccozzi, u shpreh se në Itali ka pasur dy momente të ndryshme kur ka hyrë virusi me një diferencë prej dy javësh. Ciccozzi tha se virusi COVID-19 po krijon mutacione që i shërbejnë për të mbijetuar. "Ne po shohim se nuk shkakton më shumë viktima, këtu duket qartë që po humb fuqinë e tij. Një tjetër fakt që e konfirmon këtë të dhënë është edhe numri i ulët i pacientëve që janë të shtruar në gjendej të rëndë në terapi intensive",thotw ai.

Ndërsa Massimo Clementi, virolog i spitalit San Raffaele të Milanos tha para senatit se koronavirusi nuk mbijeton në temperatura të nxehta. Ai shtoi se ka shumë gjasa që me ardhjen e të nxehtit virusi të zhduket.

Ora 18:05
Covid-19, ulet numri i vdekjeve në Itali, regjistrohen 194 viktima dhe 4828 të shëruar në 24 orë!

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 194 viktima nga koronavirusi për një total prej 30 395

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 4828, ndëra në total numri ka shkuar mbi 100 mijë.

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 1083 raste të reja pozitiv me Covid-19 për një total prej 218268 që nga fillimi i pandemisë.

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 85 viktima  

Sipas Institutit për Kërkime Farmakologjike Mario Negri në Itali "Pacientët tani janë krejtësisht të ndryshëm nga ata të tre ose katër javëve më parë, numri i të sëmurëve në kujdesin intensiv dhe spitale vazhdon të ulet. Situata ka ndryshuar kudo, jo vetëm në Bergamo dhe Milano, por edhe në Romë dhe Napoli. Studiuesit thonë se sëmundja ka dhënë shenja se është shumë e ndryshme duke e krahasuar me më parë dhe se strukturat spitalore nuk po i vë më në krizë.

Ora 17:08
COVID-19, raste të reja infeksioni në Gjermani dhe Korenë e Jugut

Kryeqyteti i Koresë së Jugut vendosi të mbyllë të shtunën më shumë se 2.100 lokale si dhe pika të tjera të jetës së natës, për shkak të një numri të ri infeksionesh me koronavirus.

Ndërkohë Gjermania po përpiqen të vendosë nën kontroll situatën e krijuar në disa thertore për shkak të shpërthimit të rasteve të reja me COVID-19, çka nënvizon rreziqet me të cilat po përballen autoritetet ndërsa përpiqen të rihapin ekonomitë e vendeve tyre.

Gjermania dhe Koreja e Jugut kanë kryer testime e gjurmime të kontakteve në shkallë të gjerë dhe janë përshëndetur se ia kanë dalë të shmangin një numër të lartë vdekjesh sikurse ka ndodhur në disa vende të tjera. Por edhe atje autoritetet kanë luftuar për të gjetur një ekuilibër mes shpëtimit të jetëve dhe shpëtimit të vendeve të punës.

Në Korenë e Jugut, ku rënia e numrit të të infektuarve nxiti qeverinë që të lehtësonte masat kufizuese, Seuli mbylli me mijëra klube të natës, bare e diskoteka pasi shprthimit të dhjetëra infeksione të reja.

Shumë nga infeksionet ishin të lidhura me një 29-vjeçar që kishte vizituar tre klube nate përpara se të testohej pozitiv. Zyrtarët e shëndetësisë në Gjermani u përballën me shpërthime në tre thertore, në atë që u pa si një sprovë për strategjinë e qeverisë për lehtësimin e masave kufizuese.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se Evropa duhet të pranojë se "nuk ishte e përgatitur si duhet" për shpërthimin. Në të gjithë botën rezulton se virusi ka infektuar mbi 3.9 milion njerëz dhe 275 mijë vetë kanë humbur jetën bazuar në të dhënat e universitetit Johns Hopkins.

Ora 16:02
Covid/Francë, Emmanuel Macron denoncohet për koronavirusin, qytetarët trembin Elysée

Një grup prej 43 qytetarësh francezë, të afërm të pacientëve të vdekur dhe ish sëmurë nga koronavirusi kanë paditur Presidentin francez Emmanuel Macron.

Në themel të padisë së ngritur kundër shtetit dhe Presidentit është denoncimi i joefikasiteteve të shumta të demonstruara në përballjen me krizën shëndetësore nga Covid dhe mangësive në fazat e ndryshme të emergjencës shëndetësore.

Sipas gazetës ‘La Verità’ padia ka edhe për qëllim të nxisin Macron të krijojë një fond të veçantë financiar për të kompensuar të afërmit e viktimave dhe të shëruarve.

Një nga avokatët e 43 paditësve tha se "Shumë nga klientët tanë mendojnë se Shteti mbështet bizneset, viktimat e kolateralit të Covid-19, por jo viktimat e vërteta".

Ora 15:02
Covid, në Gjermani 147 viktima nga koronavirusi në harkun e 24 orëve

Sipas të dhënave të publikura nga Instituti Robert Koch (RKI) për sëmundjet infektive, numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Gjermani është rritur në 168 551 dhe epidemia ka shkaktuar tashmë 7 369 të vdekur në vend

Kjo shifër përfshin 1 251 të kontaminuar të tjerë dhe 147 të vdekur në harkun kohor prej 24 orësh, sipas bilancit të raportuar nga RKI.

Vetëm dy ditë pas njoftimit për një rikthim gradual në normalitet në Gjermani, një kantoni iu desh të rikthente kufizimin dje më 8 maj dhe dy kantone të tjera po e mendojnë atë përballë një numri në rritje të kontaminimeve

Ora 14:56
Covid, në Francë fëmijët rikthehen në shkollë duke filluar nga e hëna me masa të veçanta sigurie

Rrugë të dedikuara, stola individualë, shenja në dysheme për të shënuar distancat, pika dezinfektimi. Këto janë pak nga shumë masat e tjera që po merren në Francë teksa po përgatiten për rihapjen e shkollave ditën e hënë, për të siguruar rikthimin më të sigurt të nxënësve

Në hyrje të shkollave gjithashtu dhe në oborre janë instaluar barriera me shenja për të udhëzuar studentët dhe prindërit për hyrjen në klasa.

Por jo të gjithë fëmijët do të shkojnë të hënën në shkolla pasi autoritetet kanë vendosur që në cdo klasë të ketë jo më shumë se 15 nxënës, kështu që prania në klasa do jetë me grupe, të hënën dhe të martën për disa dhe të enjten e të premten për të tjerët.

Ora 14:42
Covid/Zvicër, aplikacion identifikimi për rastet e prekur nga infeksioni... Hyrja në restorante me detyrimin për t’u identifikuar  

Zvicra do të nisë funksionimin e një aplikacioni smartphone, javën e ardhshme, i krijuar për të gjetur personat e infektuar potencialisht me Covid-19. Në të njëjtën kohë, klientët duhet të lënë emrin dhe numrin e tyre të telefonit për të hyrë në restorante, të cilat do të jenë në gjendje të rihapin dyert të hënën.

Në fillim të kësaj jave, parlamenti zviceran kundërshtoi planet fillestare të qeverisë për zbatimin e planit për aplikacionin, duke thënë se plani për aplikacionin nuk kishte një bazë të përshtatshme ligjore, ndërsa Adrian Lobsiger – një ish zyrtari i qeverisë për mbrojtjen e të dhënave - tha se nuk ka asnjë bazë ligjore që detyron pronarët e restoranteve për të identifikuar klientët e tyre.

Faza pilot e aplikacionit, e cila pritet të zgjasë deri më 31 maj, do të kufizohet në "një grup specifik të popullatës", tha Ministri i Shëndetësisë Alain Berset.

Ora 14:31
Covid, bie përsëri numri i vdekjeve në Spanjë, regjistrohen 179 viktima në 24 orët e fundit

Bie përsëri numri i viktimave të regjistruar në ditë në Spanjë.

Sipas gazetës spanjolle El Pais, numri i vdekjeve të regjistruara në 24 orët e fundit në vend ishtë më pak se 200 për një total viktimash prej 26.478 që nga fillimi i pandemisë nga koronavirusi

Në 24 orët e fundit në Spanja ka pasur 179 vdekje, krahasuar me 229 në 24 orët e mëparshme, kundër gjithsej 223.578 rasteve totale të infeksionit kurse numri i të shëruarve deri tani është rritur në 133,952

Ora 14:23
Sllovakia 'zhduk' Covid-19, nuk regjistron asnjë rast të ri me koronavirus

Zyrtarët në Sllovaki kanë njoftuar se në 24 orët e fundit nuk kanë regjistruar asnjë rast me koronavirus.

Kjo është hera e parë që në këtë vend, në dy muajt e fundit, nuk është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus.

Në Sllovaki, që tre ditë, autoritetet kanë hequr disa masa të izolimit, duke lejuar që të gjitha dyqanet, përveç qendrave tregtare, të rihapen. Po ashtu, në Sllovaki janë hapur galeritë, muzetë, megjithatë shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Po ashtu, ritet fetare dhe dasmat do të lejohen të mbahen, edhe pse autoritetet kanë vendosur kufizime në numrin e pjesëmarrësve.

Sllovakia, që ka rreth 5,5 milionë banorë deri më tani ka 1,455 raste me koronavirus dhe 26 viktima. Ndërkaq, mbi 900 pacientë janë shëruar.

Rastet e para u shënuan më 6 mars.

Ora 12:51
Covid/SHBA, mbi 800 të infektuar nga koronavirusi në burgjet e Kalifornisë

Azilet e të moshuarve dhe burgjet po kthehen në institucionet më të goditura nga pandemia koronavirusi, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas ANSA, mbi 800 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në një “kompleks” burgjesh në Kaliforni. 823 të prekur me Covid-19 janë të burgosur dhe 25 të tjerë punonjës të burgut Lompoc, sipas të dhënave nga Byroja Federale e Burgjeve.

Deri tani, dy të burgosur janë konfirmuar të vdekur. Autoritetet kanë pezulluar të gjitha vizitat në këtë burg deri në një njoftim të mëtejshëm.

Me mijëra të burgosur janë infektuar në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi. Në Ohajo, më shumë se 20 përqind e të gjithë të prekurve me Covid-19 janë të burgosur.

Ora 11:43
Covid, eksperti suedez: Lëreni pandeminë të ndjekë rrjedhën e saj, masat vonuan pasojat e paevitueshme...

Eksperti i virologjisë, Johan Giescke është shprehur se metoda e shtetrrethimeve që kanë përdorur disa shtete për të parandaluar koronavirusin, thjesht vonoi rritjen e pashmangshme të të infekturve dhe numrin e vdekjeve,

Johan Giesecke thotë se përpjekjet për të ndaluar përhapjen e sëmundjes janë ‘të kota’, sepse të gjithë ka të ngjarë të ekspozohen ndaj pandemisë, ndoshta dhe pa e kuptuar fare që e kanë.

Giesecke parashikon që numri i infeksioneve dhe rasteve në Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë – të cilat janë në karantinim total- do të rriten dhe do të jenë të njëjta me ato të Suedisë, pasi vendet e lartpërmendura do të lehtësojnë masat në javët e ardhshme.

Përballë një pasigurie për gjetjen e një vaksinë, proces që mund të zgjasë 14 ditë por edhe me dekada, është më mirë të lejoni që virusi të bëjë çfarë la për të bërë por duhet kujdes që të shmangen mbingarkesa e spitaleve,”- tha ai.

Deri më tani Suedia ka raportuar 25.265 raste të prekura me koronavirus dhe 3,175 të vdekur, një shifër të cilën ambasadori amerikan i vendit e ka cilësuar si një dështim të madh. Por ndryshe nga vendet e tjera, Suedia nuk ka asnjë problem me ekonominë pasi aktiviteti ka vijuar normalisht.

Ora 11:40
Covid/Itali, Instituti për Kërkime Farmakologjike: Sëmundja tani duket shumë ndryshe, më pak të infektuar në gjendje të rëndë

Drejtori i Institutit për Kërkime Farmakologjike Mario Negri në Itali është shprehur se "Pacientët tani janë krejtësisht të ndryshëm nga ata të tre ose katër javëve më parë, numri i të sëmurëve në kujdesin intensiv dhe spitale vazhdon të ulet. Situata ka ndryshuar kudo, jo vetëm në Bergamo dhe Milano, por edhe në Romë dhe Napoli.

Giuseppe Remuzzi, drejtori i institutit tha gjithashtu se ai nuk e di "nëse është koronavirusi ka ndryshuar ose nëse është ngarkesa virale e secilit pacient që ka ndryshuar, e vetmja gjë që mund të them është se sëmudja ka dhënë shenja se është shumë e ndryshme duke e krahasuar me më parë dhe se strukturat spitalore nuk po i vë më në krizë.

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane dje u regjistruan  243 viktima nga koronavirusi për një total prej 30 201.

Numri i të shëruarve në Itali dje ishte 2928 duke e rritur totalin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë në 99203

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 1327 raste të reja pozitiv me Covid-19 për një total prej 217 185 që nga fillimi i pandemisë.

Ora 11:18
Problemi në SHBA/ Testet për antitrupa nuk provojnë imunitet nga COVID-19

Administrata federale e Shteteve të Bashkuara ka sinjalizuar probleme serioze me testet për antitrupa kundër koronavirusit. Sipas raporteve në treg aktualisht qarkullojnë mbi 150 teste dhe shumë prej tyre japin rezultate fallso.

Administrata njoftoi rregullore më strikte këtë javë për kompanitë që prodhojnë këto teste.

Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se testet e antitrupave nuk duhet të përdoren si garanci mbrojtëse nga koronavirusi.

Amerikanët duan të dinë nëse mund të rikthehen në aktivitetin normal pa rrezik nga koronavirusi. Testet për antitrupa ofronin premtimin se personat që rezultonin pozitivë, pra që e kishin kaluar sëmundjen ishin imunë ndaj virusit. Por ekspertët paralajmërojnë se shumë prej teksteve mund të jenë difektoze:

Të hënën administrata amerikane vendosi rregulla të reja: tani kompanitë që prodhojnë teste të antitrupave duhet të kalojnë procesin e verifikimit nga Agjencia e Ilaçeve dhe Ushqimit. Disa ekspertë shqetësohen se kjo masë nuk është e mjaftueshme dhe se testet difektoze duhet të hiqen nga tregu plotësisht.

Zyrtarë të shëndetit publik kanë paralajmëruar prej kohësh për rrezikun që shoqërohet me teste që japin rezulate fallso:

Testet për antitrupa nuk duhet të përdoren për të diagnostikuar apo për të përcaktuar statusin e imunitetit ndaj COVID-19. Këto teste mund të japin rezultate pozitive fallso, apo negative fallso duke bërë që individi të ndryshojë sjellje duke hequr dorë nga distancimi fizik, duke mos përdorur maska apo doreza,” paralajmëronte në prill faqja e Departamentit të Shëndetit për Nju Jorkun.

Sipas specialistëve, nga vetë specifikat e analizave për antitrupa, këto teste nuk kanë një saktësi perfekte. Në bazë të standardit zyrtar, testet duhet të zbulojnë praninë e antitrupave në 90% të rasteve dhe të konfirmojnë se nuk ka antitrupa në 95% të rasteve. Megjithëse përqindja e rezultateve të pasakta është e vogël, rreziku për individin e testuar mbetet i madh.

Ora 10:33
Boris Johnson telefonon Putinin, i kërkon ndihmë për gjetjen e një vaksine kundër Covid

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin që Rusia të ndihmojë duke luajtur një rol më të integruar në përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë kundër koronavirusit.

Gjatë një telefonate, Johnson e ftoi Putinin që të marrë pjesë në një samit global për vaksinën që do mbahet muajin e ardhshëm, shkruan Evening Standard.

Ndërsa i tha udhëheqësit rus, që mbetet “pengesa” në zhvillimin e marrëdhënieve më të forta bilaterale midis dy kombeve, Johnson megjithatë hapi derën për të punuar “së bashku” për të gjetur një vaksinim kundër Covid-19.

Mbretëria e Bashkuar do të jetë pritëse e udhëheqësve botërorë në samitin në fjalë, që synon të bashkojë udhëheqës botërorë, donatorë dhe prodhues të vaksinave.

Marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë kanë qenë të tensionuara që nga vendosja e një agjenti nervor të gradës ushtarake tek ish-agjenti rus, Sergei Skripal, në vitin 2018.

Informatori i MI6 dhe e bija i mbijetuan sulmit në Novichok por më vonë një grua vdiq.

Mbretëria e Bashkuar ka tejkaluar Italinë dhe Spanjën me numrin e viktimave, me mbi 30,000.

Ora 10:30
OBSH: Po, tregu në Wuhan pati rol në shpërthimin e epidemisë së koronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka njoftuar se koronavirusi e ka origjinën nga lakuriqët, kurse tregu i ushqimeve të detit në qytetin Wuhan, në provincën kineze të Hubey, luajti një rol të rëndësishëm në shpërthimin e pandemisë.

Peter Ben Embarek, ekspert i OBSH-së për sigurinë e ushqimit dhe viruset zoonotike që kalojnë nga kafshët te njerëzit, theksoi nevojën për hulumtime të mëtutjeshme në shoqërimin e COVID-19 me kafshët.

Duke komentuar rolin e tregut në Wuhan në shfaqjen e epidemisë, Embarek tha se “është e qartë që tregu ka luajtur një rol në këtë”.

“Por ne nuk e dimë se çfarë roli luajti ai,” tha ai.

Embarek theksoi se tregu në Wuhan kishte një rol në shpërthimin e epidemisë, si një burim ose ndoshta si një “mjedis forcues”.

Ai theksoi se burimi i COVID-19 janë lakuriqët, por kjo çështje duhet të ekzaminohet në detaje.

Siç tha ai, ndoshta kafshët e sollën këtë virus në treg ose njerëzit që morën virusin përpara se të vizitonin këtë vend.

Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ofruan pretendime në fillim të këtij muaji se virusi kishte origjinën në një laborator në Wuhan.

Qeveria kineze mohon këto pretendime, duke thënë se çështja është e politizuar.

Ora 09:23
Covid/SHBA: Dy fëmijë vdesin nga sëmundja misterioze që lidhet me koronavirusin

Dy fëmijë në Nju Jork kanë vdekur nga një sëmundje e rrallë dhe misterioze që lidhet me COVID-19, njoftuan autoritetet vendase ditën e sotme.

”Një djalë i ri në Westchester vdiq pasi pati komplikime neurologjike”, tha Dr. Michael Gewitz nga Spitali i Fëmijëve Maria Fareri në Valhalla gjatë një konference për shtyp.

11 fëmijë të tjerë janë shtruar në spital në Westchester, thanë autoritetet. Moshat e pacientëve pediatrikë variojnë nga disa muajsh tek adoleshentët dhe janë testuar pozitivë për COVID-19.

Fëmijët janë diagnostikuar me atë që profesionistët mjekësorë po e quajnë “sindromi inflamator multi-sistem pediatrik”.

Doktor Gewitz tha që simptomat shfaqeshin nga dy javë deri në mbi një muaj pas ekspozimit ndaj COVID-19.

Ndërkohë, guvernatori Andrew Cuomo njoftoi gjatë konferencës së përditshme për koronavirusit se edhe një djalë 5-vjeçar vdiq të enjten e 7 majit në Nju Jork nga kjo sëmundje.

Zyrtarët po hetojnë disa vdekje të fëmijëve të tjerë me rrethana të ngjashme. Ka pasur rreth 73 raste të raportuara te fëmijët deri më tani në Nju Jork, tha Cuomo.

Ora 09:09
Covid/Presidenti Trump: Koronavirusi do largohet edhe pa u gjetuar vaksina

Në kohën kur vende të ndryshme janë në garë për gjetjen e një vaksine kundër Covid 19, dhe shumë mendojnë se ajo është zgjidhja e vetme kundër pandemisë, presidenti amerikan Donald Trump sjell një tjetër këndvështrim. “ Unë thjesht mbështetem tek ajo që thonë mjekët”, u shpreh ai duke shtuar se:

“Ky virus do të largohet pa vaksinë. Do të iki, dhe shpresojmë se nuk kemi për ta parë përsëri më për një kohë të gjatë”. Trump shtoi se mund të ketë një hov të ri të sëmundjes në vjeshtë, por ajo sërish ka për të ikur.

“Ka pasur viruse ose gripëra që kanë ardhur e ata kanë kërkuar vaksinën për to, dhe nuk e kanë gjetur kurrë. Dhe këto sëmundje janë zhdukur e nuk janë shfaqur më. Edhe ato vdesin, si cdo gjë tjetër”, ishte komenti i shefit të Shtëpisë së Bardhë. Deklarata e Trump erdhi në fundin e një jave të rëndë për SHBA-në, me lajmet se gjatë muajit prill në vend kanë humbur punën 20 milionë amerikanë

Ora 09:02
Covid, zëdhënësja e nënpresidentit amerikan Mike Pence rezultoi pozitive nga koronavirusi

Zëdhënësja e nënpresidentit Mike Pence ka rezultuar pozitive në testin e tamponit për koronavirusin.

Katie Miller, Sekretarja e Shtypit e Pence është gjithashtu edhe bashkëshortja e këshilltarit të Presidentit Donald Trump, Stephen Miller.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, as Presidenti Donald Trump dhe as nënpresidenti Mike Pence, nuk kishin qenë së fundmi në kontakt me Miller.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu po bën çdo ditë testet e koronavirusit për presidentin dhe nënpresidentin, të cilat më parë që më bëheshin çdo javë. Si Trump ashtu edhe Pence para dy ditësh u testuan negativ.

 

Ora 08:53
Covid, në New York spitalet mbështeten te ilaçet antikoagulantë për të mposhtur koronavirusin


SHBA po rritet përdorimi në spitale i ilaçeve antikoagulantë në pacientët e prekur më rëndë me SARS-Cov-2. 

Përballë të dhënave që tregojnë infeksionin e koronavirusit si shkaktar i me dëmtimeve kardiovaskulare, madje edhe vdekjeprurëse, spitali prestigjioz Mount Sinai në New York sapo ka prezantuar udhëzime të reja, të cilat parashikojnë trajtim standard me ilaçe antikoagulante për pacientët. B

Si edhe ne Itali, në Mount Sinai u krye një studim te mbi 2.700 pacientë të shtruar në spital me Sars-Cov-2, i cili tregoi një ulje të qartë të vdekshmërisë në mesin e pacientëve të sëmurë më rëndë dhe që ndodheshin në terapi intensive me frymëmarrje artificiale, mbi të cilët ishin përdorur ilaçe antikoagulante. Paskësaj 63% e këtyre pacientëve kishin mbijetuar.

Autorët e hulumtimit të botuar në "Journal of the American College of Kardiology" thonë se të dhënat janë domethënëse, por duhet të konfirmohen nga studime më të mëdha.

 

Ora 08:49
Covid, Rusia për të gjashtën ditë rradhazi regjistron mbi 10 000 infeksione në ditë! Në Britani, karantinë e detyrueshme për ata që vijnë nga jashtë

Mbi 10,000 raste të reja të koronavirusit janë regjistruar në Rusi për ditën e gjashtë radhazi.

Numri i përgjithshëm i infeksioneve është rritur në 187,859 ndërsa vdekjet janë 1.723, pas 98 viktimave të regjistruara në 24 orët e fundit.

Rusia është e katërta në Evropë për sa i përket numri total të të prekurve nga Covid, pas Spanjës, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Në Britani, karantinë e detyrueshme për ata që vijnë nga jashtë

Sipas The Times, Kryeministri britanik Boris Johnson do të shpall nesër urdhëresën e cila parashikon karantinë 14 ditore për të gjithë ata që vijnë nga jashtë, përfshirë bashkatdhetarët.
Përjashtimet e vetme të parashikuara do të kenë të bëjnë me Irlandën. Për ata që shkelin karantinën parashikohet gjobë deri në 1000 paund.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë