Covid-19, ulet numri i viktimave nga koronavirusi në Itali! Europa në kërkim të rikthimit në normalitet...Edhe SHBA regjistrojnë më pak vdekje

Covid-19, ulet numri i viktimave nga koronavirusi në Itali! Europa në kërkim të rikthimit në normalitet...Edhe SHBA regjistrojnë më pak vdekje

Në botë numri i përgjithshëm i të prekurve nga infeksioni i koronavirusit është më shumë se 4 milionë kurse totali i vdekjeve është në pragun e 283 mijë.

SHBA në 24 orët e fundit u regjistruan 776 viktima nga infeksioni i koronavirusit shifra më e ulët kjo që nga muaji mars duke e çuar në 79.522 numrin e përgjithshëm të vdekjeve.

Sipas universitetit amerikanJohns Hopkins, numri i përgjithshëmi rasteve të testuar pozitive me Covid ka arritur në  më shumë se 1 330 000

Rreth 20 mijë banorë të Nju Jorkut kanë humbur jetën deri më tani për shkak të COVID-19.

Në total, 19,931 janë viktimat nga pandemia, ndërkohë që në 24 orët e fundit u infektuan 1285 persona me këtë virus.

Numri i të sëmurëve është 178766 persona, ndërkohë që autoritetet besojnë se situata nga ditë në ditë përmirësohet, pavarësisht humbjeve të tmerrshme.

Mnuchin, papunësia në ShBA rreth 25%

Në një intervistë me Fox, Sekretari i Thesarit të SHBA Steven Mnuchin parashikoi që niveli i papunësisë në vend për shkak të ktizës së shkaktuar nga pandemia, tani është 14.7%, por  së shpejti mund të shkonte në 25%.

Mos rihapja e aktiviteteve të prodhimit, shtoi ai, mund të shkaktojë dëme ekonomike "të përhershme".

Në renditjen globale pas SHBA renditet Spanja me më shumë se 224 mijë raste infeksioni për një total vdekjesh prej 26 621.

Pas Spanjës renditet Britania e Madhe me 229 449 të prekur dhe 31 930 viktima e ndjekur nga Italia me 30 560 vdekje të regjistruara dhe 219 mijë raste infeksioni

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:03
Covid-19, ulet numri i vdekjeve në Itali, regjistrohen 179 viktima dhe 1401 të shëruar në 24 orë!

Kurba në Italia vijon rënien e saj si me numrin e viktimave dhe me atë të rasteve të reja dhe shtrimeve në spital.

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 179 viktima nga koronavirusi për një total prej 30 739

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 1401 kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 106 587

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 744 raste të reja pozitiv me Covid-19 për një total prej  219 814 që nga fillimi i pandemisë.

Në terapi intensive ndodhen aktualisht më pak se 1000 pacientë.

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 68 viktima  për një total prej më shumë se 15 mijë vdekje. Në 24 orët e fundit pati 364 raste të reja me Covid, dje ishin 282, për gjithsej 81 871. Pacientët e terapi intensive në Lombardi janë 341, 7 më pak se dje.

Ora 17:40
Covid, ulet numri i viktimave në Spanjë, regjistrohen 123 vdekje nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Spanja shënoi ditën e sotme numrin më të ulët të viktimave si pasojë e COVID-19 që prej datës 19 mars.

Gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 123 viktima duke e çuar numrin total në 26,744 të vdekur.

Ndërsa numri i të infektuarve që prej ditës së dielë është rritur me 373 ku gjithsej në të gjithë Spanjën numërohen 227,436 të prekur.

Aktualisht në gjendje kritike ndodhen rreth 1,650 qytetarë të cilët janë të shtruar në spitale ku shumica e tyre janë të intubuar.

Duke filluar prej ditës së sotme, ka filluar faza e parë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit. Është lejuar hapja e 50 përqind të restoranteve me hapësira të jashtme për tu ulur.

Ndërkohë është lejuar dhe grumbullimi i njerëzve deri në 10 veta. Qeveria shprehet se në të gjithë vendin po kryhen kontrolle dhe patrullime në mënyrë që e gjithë situata të jetë nën vëzhgim.

Tashmë që prej datës 26 prill, njerëzit mund të dalin nga shtëpitë për të shëtitur apo dhe për ushtrime fizike.

Ora 17:18
Covid, përmirësohet gjendja shëndetësore e kryeministrit rus Mikhail Mishustin

Përmirësohet gjendja shëndetësore e kryeministrit rus Mikhail Mishustin, i cili po mjekohet për infeksionin nga koronavirusi në një institucion shtetëror mjekësor.

Sekretari i shtypit i kryeministrit, Boris Belyakov, i tha Interfax-it se “Mjekët vërejnë një dinamikë pozitive në gjendjen e kryeministrit rus Mikhail Mishustin“.

Mishustin u diagnostikua pozitiv në testin e tamponit në 30 Prill.

Belyakov saktësoi gjithashtu se Mishustin është në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin Vladimir Putin dhe anëtarët e qeverisë.

Presidenti rus Vladimir Putin do t’i drejtohet qytetarëve rus për të folur rreth gjendjes prej pandemisë dhe masat për të mbështetur ekonominë ruse, pasi sot në vend u vendos një rekord i ri i infeksioneve të konfirmuara dhe numri i vdekjeve tejkaloi 2.000.

Tashmë Rusia kapërceu Italinë dhe Britaninë e Madhe, dhe është e treta në listën e vendeve me më shumë raste infeksioni, pas Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës.

Ora 16:57
Covid-Britania e Madhe, regjistrohen 210 viktima në harkun e 24 orëve nga infeksioni i koronavirusit

Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri në Britaninë e Madhe është rritur në 32.065, me një rritje prej 210 në 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara në rrjetet sociale të Ministrisë së Shëndetësisë së vendit, në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 210 vdekje, duke e çuar numrin në 32.065.

Me 100.490 teste në 24 orët e kaluara, numri i testeve në Britani ka arritur në 1.921.770, kurse deri në tani janë konfirmuar 223.060 raste me COVID-19, me një rritje prej 3.877.

Në një konferencë për media në Londër, Johnson shpalli disa prej masave që do të lehtësohen, duke filluar nga sot.

Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të inkurajohen të shkojnë në punë, tha ai.

Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të bëjnë ushtrime në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.

Ora 16:50
Covid, Kina vazhdon të përgënjeshtrojë aludimet e administratës amerikane: Koronavirusi nuk është i krijuar nga njeriu

Me ane te nje shkrimi të gjatë Kina është përpjekur të përgënjeshtrojë ato që i ka quajtur 24 “aludime absurde” të disa politikanëve kryesorë amerikanë lidhur me trajtimin që ajo i bëri çështjes së shperthimit të koronavirusit.

Shkrimi prej 30 faqesh, i postuar në faqen e internetit të Ministrisë se Jashtme kineze përsërit dhe zgjeron më tej përgënjeshtrimet e bëra gjatë konferencave për shtyp.

Sipas CNN, artikulli citon njoftime të mediave që thonë se disa amerikanë ishin infektuar nga virusi përpara se të konfirmohej rasti i parë në Ëuhan, edhe pse nuk ka prova që të tregojnë se kjo është e vërtetë

Në përpjekje për të hedhur poshtë aludimet amerikane se koronavirusi ka qenë krijuar me paramendim ose ka dalë në një farë mënyre nga Instituti i Virologjisë i Wuhanit, artikulli thotë se të gjitha provat tregojnë që virusi nuk është i krijuar nga njeriu dhe se instituti nuk është i aftë të sintetizojë një virus të ri.

Artikulli i ministrisë së jashtme kineze jep një kalendar kohor, që sipas saj tregon se Kina i ofroi “në kohë”, “në mënyrë të hapur dhe transparente” informacione komunitetit ndërkombëtar, duke hedhur poshtë kritikat amerikane se ajo u tregua e ngadaltë për të dhënë alarmin.

Gjithashtu shkrimi i ministrisë së jashme kineze hedh poshtë kritikat perëndimore për trajtimin nga Pekini të çështjes së mjekut 34-vjeçar Li Wenliang, i cili u përpoq të jepte alarmin për shpërthimin e virusit në Wuhan. Vdekja e tij nga COVID-19, shkaktoi mjaft zemërim dhe hidhërim në të gjithë Kinën.

Por megjithë garancitë e përsëritura të Kinës, shqetësimet për vonesat e dhënies së informacionit nga ana e saj nuk janë shuar.

Ora 16:05
Covid, ndihma e SHBA për fermerët, Trump: Qeveria do tju blejë mallrat e pashitura

SHBA, Qeveria federale është duke u përgatitur për të kryer mega blerje të produkteve ushqimore që kanë mbetur të pashitura për shkak të krizës së punësimit që ka goditur miliona familje amerikane dhe që përkojnë me shpërthimin e emergjencës shëndetësore prej pandemisë nga koronavirusi.

Donald Trump, ‘Qiramarrësi’ i Shtëpisë së Bardhë e njoftoi vetë planin e jashtëzakonshëm të ndihmës përmes një postimi në Twitter.

Sipas ANSA, në mesash manjati njofton se, këtë javë, ai do të japë urdhrin për autoritetet federale për të blerë produkte të tilla të pashitura si produktet e qumështit, mishit dhe produktet bujqësore, për një vlerë totale prej 3 miliardë dollarë.

Qëllimi i presidentit republikan, thekson agjensia, është kryesisht të parandalojë shkatërrimin e këtyre mallrave të shitura nga prodhuesit e tyre të varfër. Shumë sipërmarrës bujqësorë amerikanë, të cituar nga Zëri i Amerikës, kishin denoncuar në fakt këto ditë se, për shkak të bllokimit të zinxhirëve të prodhimit për shkak të krizës shëndetësore, ata ishin gati të groposnin sasi të mëdha të mallrave të tyre të pashitura apo t’I përdornin ato si ushqim për kafshët.

Një qëllim tjetër i planit të vendosur nga Trump është të furnizojë me ushqime organizata te angazhuara për të ndihmuar qytetarët e varfër

Ushqimi i blerë nga administrata federale do të destinohet, siç thekson agjensia italiane, në mensat për të varfërit.

Ora 15:51
Covid-19, Turqia rifillon jetën pas izolimit prej infeksionit nga koronavirusi

Qendrat tregtare, berberët dhe sallonet e bukurive janë lejuar të rihapen në të gjithë Turqinë pas një mbylljeje gati dy-mujore, me masa të rrepta sigurie dhe higjene si pasojë e koronavirusit të ri.

Lehtësimi i kufizimeve është fillimi i një normalizimi, pasi numri i vdekjeve dhe numri i infeksioneve në vend po bie.

Të Dielën, të moshuarit u lejuan të dalin për herë të parë që prej shtatë javësh, pasi iu nënshtruan një shtetrrethimi që nga 21 marsi.

Në 24 orët e fundit, Turqia regjistroi 47 vdekje dhe 1,542 raste të reja, duke rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 3.786 dhe 138,657 numrin e infeksioneve.

Sipas Këshillit të Qendrave Tregtare, personeli dhe klientët duhet të mbajnë maska ​​dhe të vazhdojnë të respektojnë rregullat e distancës fizike në të gjitha qendrat tregtare.

Administratorët e qendrës duhet gjithashtu të përdorin termometra, të përdorin dezinfektues dhe të marrin masa për të parandaluar grupet e mëdha, tha grupi në një njoftim për shtyp.

Restorantet dhe kafenetë në qendra tregtare do të qëndrojnë të mbyllura.

Lehtësimi i bllokimit do të thotë që fëmijët nën 14 vjeç do të lejohen jashtë në 13 maj për disa orë, ndërsa ata të moshës 15-20 vjeç do të mund të dalin nga shtëpitë e tyre në këmbë më 15 maj, duke mbajtur edhe maska, shkruan Al Jazeera.

Gjithashtu nga sot, qytetarët u lejuan të dalin përsëri nga shtëpitë e tyre pas shtetrrethimit 48-orësh.

24 qytetet dhe provincat, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë me popullsi të dendur, vijon të mbeten mbyllur udhëtimet në tokë, ajër dhe det – përveç transportit të mallrave thelbësore. Kufizimet për rajone të rëndësishme turistike si Antalia u hoqën kohët e fundit.

Ora 15:33
Covid-SHBA, rreth 80 mijë të vdekur nga koronavirusi! Një e pesta e rasteve të viktimave në New York në shtëpitë e të moshurve

Si pjesë të planit për rihapje Guvernatori i Nju Jorkut në SHBA, Andrew Cuomo urdhëroi testimin e detyrueshëm për koronavirus dy herë në javë në shtëpitë etë moshurve.

Cuomo tha se azilet, rreth 600 gjithësej, të cilat nuk plotësojnë kërkesat e reja do të humbasin licensën nëse kanë toleruar kryerjen e testimeve.

Të moshuarit përbëjnë një të pestën e rasteve të vdekjeve në New York ose rreth 5.300 persona.

Guvernatori Cuomo është kritikuar për shpërfillje të kësaj grupmoshe një akuzë që ai e ka kundërshtuar.

Sipas rregulloreve të reja, spitalet nuk do t'i nxjerrin pacientët qe vijnë nga azilet e pleqve, nëse ata nuk rezultojnë fillimisht negativ ndaj COVID-19.

Të hënën në SHBA u regjistruan më shumë se 1.3 milionë njerëz të infektuar nga virusi ndërsa rreth 80 mijë vetë kanë vdekur. New York, shteti më i goditur i SHBA me gati 27,000 të vdekur, pritet të rihapë disa biznese të premten, pas vendimesh të ngjashme në shumë shtete të tjera të cilat kanë pasur një numër më të vogël infeksionesh.

Ora 14:57
Covid, Koreja e Jugut rivendos kufizimet, rikthehet frika edhe në Kinë

koronavirus-1-1100x620.jpg" style="height:395px; width:700px" />

Kina raportoi sot 17 raste të reja me koronavirus, prej të cilave 7 ishin të importuara nga rajoni autonom i Mongolisë. Kjo ishte shifra më e lartë në dy javët e fundit.

Nga 10 të prekurit e tjerë, gjysma u regjistruan në provincën Hubei, duke rikthyer frikën për një shpërthim të ri të pandemisë.

Gjithashtu bëhet e ditur se në orët e fundit u shëruan dhe 24 pacientë, ndërsa 141 të tjerë janë ende në spital duke luftuar infeksionin, prej të cilëve 9 në gjendje kritike. Prej shumë javësh, nuk është shënuar asnjë viktimë nga koronavirusi në të gjithë territorin e Kinës.

Duke qëndruar te kontinenti aziatik, Koreja e Jugut e ka marrë pak më seriozisht rritjen e rasteve të reja ditore. 35 të infektuar u shënuan në 24 orët e fundit, shifra më e lartë që prej 9 prillit.

Shumë prej tyre janë gjurmuar dhe rezultoi se epiqendër e përhapjes të jenë lokalet e natës që u hapën pas zbutjes së kufizimeve. Kjo ka bërë që autoritetet e Koresë së Jugut të rikthejnë urdhrin për mbylljen e përkohshme të të gjitha lokaleve të natës.

Ora 14:34
Pandemia Covid, 'çmenden' çmimet e ilaçeve anti-koronavirus

Disa ilaçe ekzistuese mund të na ndihmojnë në përballimin e pandemisë së koronavirusit teksa presim vaksinën.

Por çmimet e larta nga kompanitë farmaceutike me siguri do të nënkuptojnë se, edhe nëse këto ilaçe vërtetohen të jenë efektive, shumë njerëz të sëmurë nuk do të arrijnë tër përfitojnë trajtimin e tyre, thotë “The Guardian”.

Duke cituar një studim të publikuar këtë muaj nga Journal of Virus Eradication, gazeta thotë se nëntë prej ilaçeve të identifikuara si trajtime të mundshme për Covid-19, janë në faza të ndryshme të provave klinike në nivel global. Ekipi i studiuesve hodhi një shikim edhe mbi cmimet me të cilat shiten ato në vende ku të dhënat ishin të disponueshme. Pastaj llogaritën edhe sa mund të jetë kostoja e përgjithshme e prodhimit të tyre. kështu rezultoi se sofosbuvir, një medicament që përdoret aktualisht për të trajtuar hepatitin C, kushton rreth 5 dollarë për t`u bërë, por në listën aktuale të cmimeve në SHBA, në krah të tij shënohet 18.610 dollarë.

Pirfenidone, një ilaç i përdorur për fibrozën e mushkërive, kushton rreth 31 dollarë për një trajtim 28-ditor. Në Shtetet e Bashkuara, vazhdon artikulli, cmimi i trajtimit shkon 9,606 dollarë, ose 6,513 dollarë nëse pacientët kanë mundësi ta aksesojnë përmes Departamentit të Cështjeve të Veteranëve. Në Mbretërinë e Bashkuar, ky trajtim shkon në mbi 2.500 dollarë dhe në Francë, më shumë se 2.300.

Ora 13:46
Covid, rritje e numrit të rasteve të reja të infektuar nga koronavirusi në Rusi

Numri i të infektuarve me koronavirus në Rusi ka arritur në mbi 220 mijë.

Rusia është e treta në listën e vendeve me më së shumti raste, pas Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës.

Vetëm katër ditë më parë, Rusia ishte e pesta në listë, por për shkak të rritjes së papritur të numrit të pacientëve, ajo kapërceu Italinë dhe Britaninë e Madhe.

Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 11,656 raste të reja me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Autoritetet shëndetësore raportuar për 94 viktima të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2,009.

Më 11 maj, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi Ministrinë e Emergjencës të ndërtojë spitale të improvizuara deri më 20 maj, në mënyrë që të zvogëlojnë rreziqet e përhapjes së COVID-19.

Moska, si dhe rajonet të tjera ruse, kanë qenë nën kufizime të rrepta për gjashtë javë.

Në fund të prillit, kryeministri i Rusisë, Mikhail Mishustin, njoftoi se ai ishte infektuar me koronavirus dhe se do të qëndrojë në vetizolim.

Ora 12:46
Covid-19, Studimi britanik: Në Mbretërinë e Bashkuar 100 000 viktima nëse qeveria lehtëson jo gradualisht masat e bllokimit dhe izolimit

Numrat shpesh janë të frikshëm. Ata thonë më shumë se shumë teori.

“Në Mbretërinë e Bashkuar do të ketë më shumë se 100 000 viktima deri në fund të vitit, nëse qeveria lehtëson jo gradualisht masat e bllokimit dhe izolimit”, - kjo është ajo që del nga një studim i përbashkët i kryer nga Shkolla e Higjienës Tropikale dhe Imperial College në Londër.

Sipas raporteve nga ‘Sunday Times’, i cili citon një këshilltar shkencor, studiuesit analizuan disa modele daljeje nga bllokimi për të vlerësuar fizibilitetin e tyre dhe arritën në përfundimin se "ka hapësirë ​​shumë të kufizuar për manovrim".

Përsëri sipas të njëjtit burim, më shumë se një model treguan një numër vdekjesh me gjashtë shifra në disa skenarë çlirimi jo gradual nga masat.

Britania e Madhe fillon me daljen e "kujdesshme" nga izolimi

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi, por do të fillojë lehtësimi gradual i masave.

Në një konferencë për media në Londër, Johnson shpalli disa prej masave që do të lehtësohen, duke filluar nga sot.

Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të inkurajohen të shkojnë në punë, tha ai.

Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të bëjnë ushtrime në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.

"Ju mund të uleni në diell në parkun tuaj lokal, ju mund të vozisni në destinacione të tjera, madje mund të luani sporte, por vetëm me anëtarët e familjes tuaj", tha kryeministri britanik.

Johnson, në muajin prill ishte infektuar me koronavirusin e ri, dhe kishte qëndruar disa ditë në kujdes intenziv.

"Vendi do të rimëkëmbet nga kjo sëmundje djallëzore", tha Johnson.

Mbretëria e Bashkuar "do të ndryshojë nga kjo përvojë", tha ai, duke shfaqur shpresën se "britanikët mund të jemi më të fortë dhe më të mirë se kurrë më parë".

Të dielën (10 maj) në Mbretërinë e Bashkuar janë konfirmuar 269 vdekje të reja nga koronavirusi i ri.

Numri i përgjithshëm i viktimave, që nga fillimi i pandemisë, ka arritur në 31,855.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar gjithsej 216,526 raste të të infektuarve me koronavirus.

Ora 12:31
Covid, Kryetari i Bashkisë së Londrës thirrje banorëve të mos përdorin transportin publik

Kryetari i Bashkisë së Londrës në Britaninë e Madhe, Sadiq Khan, u ka kërkuar njerëzve që të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos e përdorin transportin publik, pas njoftimit të qeverisë për lehtësime në masat e izolimit.

Ai i tha BBC-së, se të hënën, ka pasur një rritje prej 10% në përdorimin e transportit të metrosë në Londër, krahasuar me të njëjtën kohë javën e kaluar.

"Mesazhi kryesor nga kryeministri mbrëmë dhe unë sot është që të mos përdorin transportin publik - transporti publik është vetë për punëtorët thelbësorë", tha ai.

Kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, u bëri jehonë fjalëve të tij.

Ai këshilloi banorët që të jenë "shumë të kujdesshëm".

Më 10 maj, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi, por do të fillojë lehtësimi gradual i masave.

Në një konferencë për media në Londër, Johnson shpalli disa prej masave që do të lehtësohen, duke filluar nga kjo javë.

Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të inkurajohen të shkojnë në punë, tha ai.

Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të bëjnë ushtrime në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.

Johnson, në muajin prill ishte infektuar me koronavirusin e ri, dhe kishte qëndruar disa ditë në kujdes intenziv.

"Vendi do të rimëkëmbet nga kjo sëmundje djallëzore", tha Johnson.

Ora 11:34
Vala e dytë e COVID? Rritet numri i të prekurve, Kina mbyll qytetin Shulan

Është rritur përsëri numri i të infektuarve me koronavirus në Kinë. Pas përkeqësimit të situatës, Kina vendosi që të mbyll qytetin Shulan.

Në këtë qytet u konfirmuan 11 raste të reja gjatë ditës së kaluar, të gjitha të lidhura me një grua të infektuar e cila punonte në një lakanderi.

Pacientja 45-vjeçare, e cila ka infektuar burrin e saj, motrat dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, thuhet se nuk ka pasur histori udhëtimi së fundmi, shkruan BBC.

Të gjitha vendet publike nëpër qytet janë mbyllur dhe banorëve u është thënë të qëndrojnë në shtëpi. Transporti publik është pezulluar dhe qyteti i Shulan është klasifikuar si vend me rrezik të lartë për përhapjen e virusit.

Shulan është në provincën Jilin, dhe ndodhet në kufirin me Korenë e Veriut, e cila pretendon se nuk ka raste me Covid-19. Virusi vdekjeprurës u shfaq për herë të parë në qytetin kinez të Ëuhan në fund të vitit 2019.

Ora 09:52
Covid, Suedia dhe piku i vdekshmërisë, dështon imuniteti i tufës

Ditët e fundit ishte vetë Organizata Botërore e Shëndetit që e kishte shpallur Suedinë si një shembull të mundshëm për t’u ndjekur për menaxhimin që ajo i ka bërë pandemisë së koronavirusit në fazën e dytë të luftës së saj: atë të bashkëjetesës.

Zgjedhja për të braktisur izolimin dhe bllokimin, me arsyetimin  për të mbrojtur ekonominë, duke preferuar si zgjidhje një sistem të bazuar më shumë në informacion, rekomandime dhe bashkëpunim të autoriteteve me popullatën, ishte një zgjedhje e rrezikshme dhe kritikuar ashpër në nivel ndërkombëtar.

Sidoqoftë, të dhënat e para të mbledhura tashmë mund të japin një ide të përgjithshme të programit të zbatuar nga Stokholmi, por edhe me një seri të gjatë të panjohurash, për të cilat ende nuk ka një përgjigje të saktë dhe duke e krahasuar sjelljen suedeze me ato që kanë ndodhur në vendet e tjera skandinave që kanë ndjekur direktivat e OBSH.

Në Suedi, vdekshmëria (zyrtare) është mbi 10%

Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria Suedeze e Shëndetësisë, vdekshmëria në vend e të prekurve nga infeksioni ka tejkaluar pragun e 10% të totalit të të infektuarve (3200 vdekje nga 26 000 raste pozitive).

Përqindja e vdekjeve në Suedi është më shumë se gjashtë herë më shumë se ajo e fqinjëve Norvegjia dhe Finlanda.

Një nga shkaqet kryesore që shndërroi atë që supozohej të ishte një bashkëjetesë "paqësore" me virusin në mitin nordik dhe që kontribuoi në rritjen e këtyre të dhënave ishte kriza e madhe e pandemisë e pasqyruar me një numër të madh vdekjesh kryesisht në shtëpitë e të moshurve.

Arkitekti suedez  i strategjisë së pandemisë, epidemiologu Anders Tegnell, tha se ishte i befasuar nga fenomeni dhe theksoi se përpjekjet e bëra ishin të mëdha, por dukshëm nuk ishin të mjaftueshme për të mbrojtur pjesët më të dobët të popullatës.

Imuniteti i tufës është ende larg

Shpresa e deklaruar nga Stokholmi konsistonte në mundësinë e arritjes gradualisht  të imunitetit të tufës, por dhe më shpejt  sesa në ato shtete që kanë vendosur të zbatojnë masat e bllokimit dhe izolimit të rekomanduara nga OBSH.

Por 60% i imunitetit të popullsisë është shumë e shumë larg dhe në fund të fundit me çfarë çmimi synoi Stokholmi ta arrinte imunitetin e tufës? 3200 vdekje nga 26 000 raste pozitive, me më shumë se 10% vdekshmëri

Ora 09:35
Covid-19, vendet e Europës Veriore duke nisur nga sot lejojnë rihapjen e shkollave për disa cikle! Masa lehtësuese edhe për bizneset...

Belgjikë pas javësh mbylljeje sot hapen sërish dyqanet, nën masa të forta higjiene.

Familjet lejohet të presin si vizitorë deri në katër persona. Distanca fizike mes njerëzve 2 metra vazhdon të mbetet.

Kurse në Holandë dy muaj pas mbylljes sot hapen shkollat fillore në fillim me gjysmën e nxënësve për një ditë.

Edhe kopshtet dhe bibliotekat janë hapur. Parukeritë, sallonet e bukurisë dhe masazhet lejohen po ashtu të fillojnë sot nga puna. Sporti lejohet me distancë, por pa kontakt trupor.

Danimarkë lejohet sërish që të hapen të gjitha dyqanet edhe qendrat tregtare.

Çeki lejohet transporti hekurudhor rregullisht me tren, autobus e avion. Në Norvegji kthehen edhe nxënësit e klasave të larta në shkolla. Kurse në Finlandë shkollat hapen të enjten.

Ora 09:24
Covid-19, sot nis lehtësimi i masave të kufizimit dhe bllokimit edhe në Francë, Greqi dhe Spanjë

Në Francë nga sot njerëzit mund të dalin nga shtëpia pa pasur nevojë për leje. Për sport e shëtitje nuk ka kufizime. Edhe dyqanet do të hapen, por restorantet e baret mbeten të mbyllura. Në zonat, ku nuk ka shumë infeksione lejohet hapja e parqeve dhe kopshteve. Në disa faza do të hapen edhe shkollat e kopshtet. Kufizimi i lëvizjes mbetet. Kush dëshiron të lëvizë më shumë se 100 kilometra (deri më tani ka qenë 1 km) duhet të ketë një arsye justifikuese për këtë. Në metronë e Parisit në orarin kur vagonët mbushen, kanë prioritet punëtorët me lejen e lëvizjes. Maska është me detyrim në transportin publik.

Spanja, një nga vendet më të goditura nga kriza lejon një hapje në bazë të rajoneve. Ishujt, si Majorka, e rajone të tjera fillojë me fazën e parë të normalizimit. Hotelet, baret, restorantet hapen duke filluar nga sot. Në rajone të tjera si Katalonjë apo Valencia lehtësimet janë të kufizuara. Në Madrid e Barcelonë mbetet në fuqi faza "0" me ndalim të fortë të lëvizjes.

Edhe Greqia një vend që jeton nga turizmi, përpiqet të rivërë në punë motorin ekonomik. Me fazën e dytë lejohet nga e hëna hapja e të gjitha dyqaneve, që mundëson kthimin e një të tretës së punonjësve në vendin e punës. Në gjimnaze sot kthehen në shkolla nxënësit e klasave të larta, që të japin provimet.

Ora 09:08
Covid, Gjermania dhe Zvicra në kërkim të rikthimit në normalitet, nis ndjeshëm lirimi i masave

Shumë vende europiane fillojnë nga sot me lirimin e mëtejshëm të masave kufizuese të marrë në përpjekje për të kufizuar pandeminë. Ashtu si edhe u vunë masat kufizuese, ashtu edhe po hiqen. Lirimet e masave kufizuese dallojnë nga njëri vend në tjetrin.

Por skepticizmi edhe rreziku mbetet. Në Gjermani për shembull përqindja e riprodhimit të virusit është rritur më shumë se 1-që do të thotë se një person i infektuar infekton më shumë se 1 person. Numri i infeksioneve të reja është rritur më shumë se 1000. Instituti Shkecor gjerman që këshillon qeverinë, Robert Koch e bëri të ditur këtë në fundjavë. Gjithmonë është theksuar, se për të mbajtur nën kontroll epideminë kjo vlerë duhet të jetë nën 1.

Megjithatë në Gjermani ka filluar trendi i lirimit të masave, pas vendimit të qeverisë me landet që masat e mëtejshme të vendosen nga vetë landet në vazhdim të zhvillimit të epidemisë. Strategjia gjermane është masa të diferencuara në bazë të rajoneve.

Lirime masash në Zvicër

Sot në Zvicër, tetë javë pas mbylljes së shkollave, sot rihapen shkollat, kopshtet, dyqanet, restorantet dhe muzetë. Edhe sporti deri në 5 vetë lejohet. Të gjitha lirimet e masave janë bërë me kushtin e ruajtjes së higjienës dhe distancës së përcaktuar deri në 2 metra. Deri në qershor nuk hapen kinematë, kazinotë, pishinat, palestrat. Maskat nuk janë me detyrim, por ato rekomandohen aty ku nuk mbahet dot distanca.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase