Situata e krijuar nga koronavirusi në vend ka dhënë efektet e para edhe në sektorin e peshkimit, krahas problematikave që ka pasur gjithmonë ky sektor duke sjellë vështirësi ekonomike për peshkatarët të cilët të vetmin burim të ardhurash i kanë nga peshkimi.

Edhe pse kjo veprimtari nuk është e bllokuar peshkatarët e Vlorës thonë se orari i reduktuar dhe mbyllja e subjekteve tregtare i ka futur në kolaps, ku mungon fuqia blerëse kyçe për ta që janë restorantet.

"Në rrimë tani hamë bukë me ullinj, nuk punohet kështu me këto orare ku të vete unë? Magazinat ku unë punoj janë mbyllur dhe s'ka kush mi merr. Ne po falimentojmë, këtu jemi bërë si në Bagdad, shteti të na ndihmojë" tha një peshkatar. "Asnjë anije nuk ka dalë në det, ja ku janë të gjitha në port".

Peshkatarët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë pasi në të kundërt e kanë të pamundur të mbijetojnë. Në Vlorë janë rreth 80 anije peshkimi që operojnë në këtë sektor.