Mes rritjes së rasteve me Covid-19, veçanërisht në mesin e të rinjve, Shtëpia e Bardhë po i bën presion shkollave në të gjithë Shtetet e Bashkuara që të rihapen.

"Ne do të ushtrojmë trysni mbi guvernatorët dhe të gjithë të tjerët për të hapur shkollat, për t'i hapur ato. Kjo është shumë e rëndësishme," tha Presidenti Donald Trump të martën në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë.

"Shëndeti mendor dhe zhvillimi social i fëmijëve duhet të kenë po aq përparësi sa shëndeti fizik", tha Melania Trump, zonja e parë dhe nëna e një fëmije në moshë shkollore, gjatë një diskutimi të martën në Shtëpinë e Bardhë mbi rihapjen e sigurt të shkollave të Amerikës.

Por një e panjohur domethënëse është nëse fëmijët e vegjël, të cilët janë transmetues të efektshëm të virusit të gripit, do ta përhapin koronavirusin tek mësuesit dhe personeli i moshuar i shkollave, dhe nëse më pas do të infektonin anëtarët e familjeve të tyre dhe të afërmit e moshuar.

"Ne nuk e dimë akoma nëse Covid-19 infekton me të vërtetë fëmijët dhe ata më pas mund ta transmetojnë atë apo është shumë e vështirë për këtë virus që të infektojë fëmijët? Këto studime janë ende në proces", tha Dr. William Schaffner, profesor i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.

Reagimet ndaj rihapjes së mundshme të shkollave

Shoqata Kombëtare e Arsimit, e cila ka 3 milionë anëtarë, ka  kritikuar ashpër Presidentin Trump dhe Sekretaren e Departamentit të Arsimit, Betsy DeVos.

"Ata kanë zero besueshmëri për mënyrën më të mirë të mbështetjes së nxënësve dhe rihapjen e sigurt të shkollave", tha Presidentja e Shoqatës Kombëtare të Arsimit, Lily Eskelsen Garcia, mësuese e klasës së gjashtë, në një deklaratë të lëshuar në kohën kur akoma po vazhdonte diskutimi në Shtëpinë e Bardhë. "Vendi duhet të dëgjojë ekspertët e shëndetit dhe arsimtarët mbi atë se kur duhet të rihapen shkollat."