Juventus e ka nisur frikshëm 2020 në Seria A pasi kampionët në fuqi të Italisë kanë fituar 4-0 kundër Kaljarit në ndeshjen e vlefshme për javën e 18. U duk se do të ishte një përballje e vështirë për ‘zonjën e vjetër’, pasi pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura, por menjëherë në fillimin e fraksionit të dytë të lojës Cristiano Ronaldo zhbllokoi shifrat pas një gabimi të mbrojtjës. Në minutat në vijim portugezi dyfishoi shifrat me penallti, ndërsa më pas CR7 pasoi për Higuan që realizoi një gol mjaft të bukur.
Por paraqitja brialante e Ronaldos nuk u ndal këtu pasi fituesi i pesë ‘Topave të Artë’ në pjesën tjetër të mbetur të lojës realizoi golin e tretë personal dhe të katërtin për Juven.
Ndërkohë Milanit nuk i ka dhënë zgjidhje as mbërritja e Ibrës. ‘Djalli’ e ka nisur 2020 me një barazim pa gola kundër Sampdoria-s, në San Siro-n e mbushur me më shumë se 60 mijë tifozë. Në këtë sfidë afrimi më i bujshëm Zlatan Ibrahimovic e nisi nga stoli, por pavarësisht inkuadrimit në lojës në minutën e 55 nuk mundi ti jepte një tjetër udhë kësaj sfide.
Ndryshe nga Milani, Atalanta e Gapserit vijon të prodhojë paraqitje brilante pasi sot ka shkatërruar 5-0 ekipin e Parmës. Në Bergamo për tre pikët realizuan me rradhë Gomez, Freuler, Gosens dhe Ilicic ‘dopietë’. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi e Atalantës me këto shifra pasi po 5-0 mposhti Milanin në ndeshjen e fundit të 2019.