TIRANE - Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje në ditën e Rinisë se kishte hapur një faqe të vetën në rrjetin social "Facebook", ku do të komunikojë me të gjithë të interesuarit. "Sapo iu bashkova Facebook! Duket shumë praktik në IPad. Unë do të dërgoj përditësime dhe fotografi dhe mezi pres që të bisedoj me ju. Ju lutem ndani këtë faqe me familjen dhe miqtë tuaj. Për mua ju jeni të parët. Më kontaktoni për pyetjet apo shqetësimet tuaja duke më dërguar SMS në telefonin tim celular ose mesazhe ne whatsapp, në numrin +355692099410"-shkroi ai dje, përmes profilit në FB. Hyrja e kryeministrit në rrjetin social, me rreth 1 miliard përdorues dhe ku janë me qindra figura publike nga mbarë bota është komentuar si e vonuar, por edhe si kundërpeshë me liderin e PS-së, Rama, i cili prej vitesh ka vendosur mes të tjerave, që të komunikojë me rrjetin social Twitter. Në fakt prej kohësh disa faqe kanë qenë në emër të Berishës, por faqja e djeshme me linkun http://www.facebook.com/pages/Sali-Berisha-Heroi-i-Kombit-tone/177964711464, është ajo që u prezantua nga kryeministri i Shqipërisë.

Slogani që përdor Berisha në faqen e FB është motoja e zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011, "Ju jeni të parët". Po ashtu i vjetër është edhe numri i celularit që ai prezanton ku qytetarët të denoncojnë shqetësimet e tyre që kanë. Këtë numër kreu i qeverisë

E prezantoi që në vjeshtën e vitit 2008, duke premtuar se kështu do të luftonte korrupsionin në administratën publike shqiptare. Në një sqarim të katër viteve më parë nga stafi i kryeministrit Berisha thuhej se mesazhet që vinin shprehnin shqetësime në drejtësi, shëndetësi, apo në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas tyre, pasi merrte një mesazh, Kryeministri e delegonte te këshilltari i tij, duke marrë për bazë fushën specifike që lidhet me pretendimin për korrupsion dhe problemi më tej, ndiqej në institucionet apo dikasteret ku qytetari përmes sms-së denoncon veprimet korruptive, duke synuar në këtë mënyrë zgjidhjen e problemeve.

Për ta bërë sa më publike këtë nismë, një televizion afër qeverisë bëri edhe një spot televiziv, duke patur si aktor vetë kryeministrin, që doli në reklamë duke u shprehur: "Numri im i telefonit është 0692099410 dhe është gjithnjë i hapur për mesazhet tuaja". Në shkurt 2006, vetëm 7 muaj pas ardhjes në pushtet të PD-së, Kryeministria instaloi dy numra telefonash pa pagesë, ku qytetarët shqiptarë mund të denonconin të gjithë ata zyrtarë të cilët kërkonin ryshfete për shërbime të caktuara.

CV
Në profilin e tij në FB, Sali Berisha është një lider "mendjehapur". Shprehjet e tij të preferuara janë "Asgjë nuk është më keq se sa indiferenca e njerëzve"-thënë nga Edmund Burke, "Liria funksionon" nga James Baker dhe "Ata që bien duke luftuar, ngrihen përsëri" thënë nga Winston Churchill.
Berisha thotë se është një njeri familjar dhe i lexuar, kur shkruan interesat, që janë qëndrimi me familjen (gjatë fundjavëve), ngjitja në malin e Dajtit, ngrënia e mollëve të Korçës(më të mirat në botë), ndërtimi i rrugëve, leximi i librave, leximi sms dhe mesazheve, noti, Shqipëria Europiane dhe natyrisht ipadi.

Ndër librat e preferuar të tij bie në sy "Lolita", vepër erotike e shkruar nga Vladimir Nabokov, pastaj vjen, "Viti '93" i Victor Hugo, "Për ke bien këmbanat" dhe "Plaku dhe deti" i Ernest Hemingway, "Emri i Trëndafilit" i Umberto Eco, "Shkretëtira e Tartarëve" i Dino Buzzati, "Ngjyra e purpurt" e Alice Walker, "Ali Pasha", biografi nga Sabri Godo, çdo gjë e shkruajtur nga Ismail Kadare, Ali Podrimja, Lasgush Poradeci, Fan Noli, Gjergj Fishta, duke e mbyllur me shprehjen: "I dua librat!". Ai pëlqen muzikën e Beatles, Tom Jones, Elvis Prestley, Ricky Martin, Kanye West, Beyonce, Whitney Houston, Rihanna, Inva Mula, Rita Ora, Saimir Pirgu, Elita 5, Jacque Braille si dhe shumë këngëtarëve të tjerë shqiptarë, ku nuk duhet të mungojnë Çiljeta apo Greta Koçi, që janë edhe pjesë e forumit rinor të PD-së.

FAQJA NE FACEBOOK, BETEJE ONLINE MES KOMENTUESVE

Pak çaste pas lajmit se kryeministri hapi edhe faqen në "Facebook", nisën edhe komentet e anëtarëve të rrjetit social. Madje, me përplasje, mes mbrojtësve dhe kundërshtarëve të kryeministrit. Më poshtë po lëmë të paprekura një pjesë të komenteve që janë bërë, për të treguar reaksionin që ngjalli hyrja e kryeministrit edhe në "Facebook":

Olsi Lici: Mirë se erdhët në gjirin tonë i nderuar kryeministër...

Bekim Mulgeci: Mirësërdhe z. Kryeministër, flm që na qëndron gjithmonë pranë!!!!

Sami Thaçi: Kryeministër je gjigandi i trojeve shqiptare.

Ylli Shqiptar:
O ti klyshi i Miladin popoviçit që ke një emër të piste pseudo-komunist "çlirim", mos guxo të kërcënosh SALI BERISHEN se ne të fusim në një vorr me babain tënd, Miladinin.

Oltì: Mirseardhe shoku kumandar, ty po të prisnim

Elvis Balla: Legen, bastard, pler.

Melisa Agaçi: Ju lutem a ka mundësi të mos shani! Jemi shqiptare o njerëz! Nese nuk ju pëlqen diçka thojeni njerëzishem jo me sharje...Çdo njeri ka mendimin e vet ...Prandaj eshte demokracia! Mirësërdhët zoti Kryeministër!

Ben Luma: Mire se erdhe në FB z. Kryeministër, e fute në tokë atë shokun Rama, spo ja len vendin askund. Tëitterin dhe Facebookun ka pasur ai edhe këto ja bllokove, e nxore në pension të mjerin.

Ervin Gjeçi: U dhje dhe Facebook!!!!

Luisana Lopilato: More njerëz ju që lavdëroni jeni të vetëdijshem se ç'po heqim??? Vetëm për një vërtetim shkolle pagojmë 150, libra na shkojne 2 qind mijë lek vetëm një semester dhe s'kena rimbursime...ju merreni me përgëzime e pallavra. Saliu ta ketë të sigurt që në 23 qershor as malokët e vet s'do e votojnë se i ka ardh shpirti aty ku nuk shko mo. Sa t'merrni me facebook "kryeministër", merruni me popullin se s'dini ju se ç'po heq ky popull, se familja jote ha, pi e vishen si princesha, po populli me i pal kpuc rri gjith vitin...e dini ju sa korrupsione ka nëpër spitale e shkolla? Zyshat s'ta japin notën se duan lek apo shko ne spital gati tu vdek, e doktori s'te fut në operacion pa i dhon lek. Jemi i vetmi vend që nuk ngrejmë fjalën për të drejtat tona, po flasim me kryeministrin dhe i themi të dua në fb. Ju qofshit njerëz.

Celi Sina: Hape dhe ti faqe facebooku o lal?

Ervin Rrahmani: Prsh.z Sali Berisha kur tkesh koh më merr në tel.

Medi Medi: sali cezi sali cezi

Gazmend Hasanaj: Tradhtari i kombit shqiptar dhe që e ka katandisur shqipërinë si mos më keq e ka emrin Sali Berisha

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)