TIRANE- Mazhoranca ka fakte për trafikun e drogës gjatë qeverisjes së Berishës. Dëshmitari i famshëm, i cili u bë edhe objekti i debatit për trafikun e drogës nga aerodromi i Gjadrit, ka paraqitur dëshminë e tij në Komisionin Hetimor.

Në raportimin e përgatitur nga Komisioni Hetimor mbi akuzat e opozitës për implikimin e infrastrukturës së Forcave të Armatosura në trafikun e lëndëve narkotik kanë dalë fakte se baza ajrore e Gjadrit është përdorur përgjatë vitit 2012 për nga aeroplan të vegjël për të transportuar drogë. Kësisoj sipas këtij raporti, personi i cili nxori i pari akuzat në Kuvend, Arben Imami është personi i cili lidhet në mënyrë direkte me trafikun e drogës, pasi ky trafik është bërë në kohën kur ai ka qenë ministër i Mbrojtjes.

Implikimi i Berishës
Dëshmia e oficerit të ushtrisë është një nga faktet që ka grumbulluar ky komision, i cili pohon se trafiku i drogës nga bazat ushtarake është bërë në kohën e qeverisë Berisha, kur ministër i Mbrojtjes ishte Arben Imami dhe ministër i brendshëm Flamur Noka. Oficeri ka treguar se ai vetë ka qenë dëshmitar në periudhën nga Tetori 2012 në Mars 2013 kur disa avionë janë ulur në aeroportin ushtarak të Gjadrit për të ngarkuar drogë. Në mars, oficeri transferohet nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami në një bazë tjetër dhe në këtë rast nuk ka mundur të dëshmojë nëse trafiku është bërë dhe më pas. 

Oficeri, emri i të cilit deri tani nuk është bërë i ditur, u ka treguar për avionët misteriozë edhe shefave të tij pas ndryshimit të qeverisë: Njerëz të SHIU-t kanë mbajtur nën vëzhgim si bazën ajrore të Gjadrit, ashtu dhe të tjerat nën kontrollin e Forcave të Armatosura deri në mars 2014, pa zbuluar ndonjë gjë të dyshimtë.

Fluturimet e avionëve
Burime nga Komisioni Hetimor bënë me dije për “Shqiptarja.com” se është bërë grumbullimi i informacionit mbi avionët privat që janë ulur në Shqipëri përgjatë viteve 2013-2014. Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2013 janë ulur 650 avion të vegjël, ndërkohë që vetëm për tre mujorin e parë të vitit 2014 në aeroportin e Rinasit janë ulur rreth 250 avionë privat.

Përmes bashkëpunimit me vendet aleate, mësohet së është qartësuar edhe se me datën 19 mars 2014 në Shqipëri nuk ka pasur asnjë fluturim privat, ndërsa sipas informacionit të SHISH, pikërisht me 19 mars 2014, një avion privat është ulur në Gjadër për të ngarkuar drogë. Nga ky informacion që u konfirmua i pabazuar, më pas shpërtheu polemika politike që shtyu opozitën të akuzojë qeverinë e Edi Ramës se ka organizuar trafikun e drogës duke përdorur bazat ajrore të Forcave të Armatosura.

Felaj
Kryetarja e Komisionit Hetimor deklaroi dje në një bashkëbisedim me gazetarët se sot do të publikohet raporti i plotë i hetimit. Sipas saj, nga këto dokumente do të dalin fakte të cilat tregojnë se ish-qeveria Berisha ka qenë e implikuar në trafikun e drogës nëpërmjet ajrit. “Brenda një kohë të arsyeshme institucionet na janë përgjigjur duke na vënë në dispozicion një material shumë voluminoz. Një material i cili do të na tregojë shkallën e vështirësisë të të gjitha akuzave të ngritur deri më sot.

Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha strukturat e saj, SHISH, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Albkontrol, doganat kanë dhënë informacione. Është material i gjerë, kërkon kohë për t’u analizuar, por gjetjet janë shumë interesante. Të dhënat sqarojnë gjendjen para 23 Qershorit dhe atë pas, do të shohim se cila është shkalla e vështirësi të akuzave që janë bërë deri më sot”,- tha Felaj. Raporti i plotë i Komisionit Hetimor do të publikohet sot në Komisionin Hetimor për hetimin e akuzave të opozitës mbi implikimin e infrastrukturës së Forcave të Armatosura në trafikun e lëndëve narkotike, i cili pritet që të sjell reagime të forta nga PD-ja.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)