TIRANE- Skënder Elmazi ka rrëfyer nga Spitali Ushtarak sulmin e dy ditëve më parë në filialin e NBG bankë, pranë Xhamllëkut, që i rrezikoi jetën atij dhe i mori jetën arkëtares Leonora Kaloçi.
Zoti Elmazi rreth çfarë ore është sulmuar banka ditën e martë?

Ora 15:10 ka qenë jo më shumë sepse pak çaste përpara sulmit pashë dhe orën sa kishte shkuar për shkak se rreth atyre momenteve bëhet dhe procesi i mbylljes së degës së bankës.
Ju keni marrë dy plumba një në krahë dhe një në shpatull, në ç'rrethana u goditët?
Unë kam qenë brenda derës kryesore hyrëse të bankës. Kam qenë në krah të djathtë të derës përbri saj rreth dy metër distancë nga dera. Plumbin e parë e kam marrë në krah pasi hajduti më gjuajti nga ana tjetër e xhamit.
Sa veta ndodheshin në bankë në atë moment?
Unë, punonjësja që u vra, drejtuesi i degës dhe një tjetër punonjës, pra katër ishim gjithsej.
Pasi hyri në bankë hajduti çfarë ndodhi?
Ai ka hyrë rrufeshëm dhe unë kam qenë i ulur në gjunjë pasi plumbi në krahë më solli këputje dhe po më dilte shumë gjak. Porsa ka hyrë te dera hajduti duke më parë mua në gjunjë dhe me kurriz nga ai më ka goditur me plumbin e dytë që e mora në shpatull dhe më depërtoi gjithë kraharorin fatmirësisht pa dëmtuar shumë organe jetësore. Pasi mora dhe plumbin e dytë rashë komplet në tokë dhe nisi të më dilte edhe më shumë gjak për më tepër nisa të humb kontaktin me realitetin dhe të më mjegullohej shikimi dhe dëgjimi, por prapë kam qenë në gjendje koshience pasi ende nuk më kishin shteruar forcat.
Po arkëtarja në ç'rrethana u godit?
Nuk e di me saktësi pasi nuk e kam parë me sy, por diçka kujtoj. Pasi më gjuajti mua, hajduti nisi të bërtasë për lekët dhe të përmendte fjalë presioni dhe kërcënime. Mbaj mend që arkëtarja i ka thënë: "Aman se ti jap unë të gjitha lekët, merri të gjitha vetëm mos na gjuaj". Këtë e mbaj mend mirë se e kam fiksuar si moment. Por më pas se ç'ndodhi nuk di ta them se kishte ulërima, panik dhe të shtëna dhe unë isha i shtrirë përmbys.
Si e more vesh për arkëtaren që ishte goditur?
Po sapo doli hajduti unë jam kthyer nga ana tjetër. Nisa të çohem duke u mbajtur dhe te muri. Aty e kam parë të shtrirë arkëtaren por s'e dija në çfarë gjendje ishte e plagosur apo e vdekur. Kam dalë zvarritur te dera dhe një taksist më ka marrë dhe më çoi në spital. ( ne foto Skender Elmazi)
(sg/shqiptarja.com)