TIRANE- Sot mbushen tre vite nga tragjedia e ndodhur para kryeministrisë kur Garda e Republikës vrau katër demonstrues të pafajshëm, të cilët kishin dalë në përbërje të opozitës për të ushtruar të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë, për të protestuar. Dhe viti i tretë i vrasjes makabre të Ziver Veizit, Faik Myrtaj, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës e gjen tashmë PS dhe aleatët e saj asokohe në opozitë, në qeverisje me një votë masive prej afër pesë muajsh. Pushtet i cili ka ardhur dhe nga premtimi për të vënë para drejtësisë të gjithë ata që dhanë urdhër për qëlluar mbi turmën e demonstruesve më 21 janar 2011, por dhe ata që ishin autorët e këtyre vrasjeve, premtim nga i cili mazhoranca aktuale dhe lideri i saj Edi Rama për asnjë moment nuk kanë hequr dorë.

Por të gjithë kërkojnë tashmë me insistim rihapjen e çështjes së vrasjes së katër demonstruesve të pafajshëm nga ana e Gardës së Republikës dhe vënia para drejtësisë të autorëve e urdhërdhënësve pas dënimeve qesharake të dhëna ndaj ish-komandantit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe ish-gardistit Agim Llupo. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, njëherësh anëtare e kryesisë së PS, Arta Dade kërkon rihapjen e çështjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve dhe atyre qe e dhanë urdhërin më 21 janar 2011 për të qëlluar mbi turmën e paarmatosur që protestonte sipas ligjit.

Ajo thotë se Sali Berisha ish-kryeministër i vendit është përgjegjës për vrasjet e 21 janarit të vitit 2011. “I përmbahemi angazhimit të kryeministrit Edi Rama, dhe të bëhet drejtësia deri në nivelin më të lartë, për ata që dhanë urdhërin për të qëlluar. Kjo është ajo presin familjarët, opinioni publik, dhe ne. Ka qënë çështje qëndrore e fushatës sonë zgjedhore si dhe një premtim elektoral yni. Përtej vëmendjes që kemi ndaj familjarëve, opinini publik, familjarët dhe ne vetë kërkojmë drejtësi”, ka qënë deklarata e djeshme e kreut të komisionit të Jashtëm Parlamentar, njëherësh ish-ministre e Jashtme, Arta Dade për gazetën “Shqiptarja.com”. Ndërkohë ajo kërkon rihapjen e kësaj çështjeje, që është mbyllur me dënime qesharake, ndërkohë që akuza ndaj organizatorëve të protestës është amnistuar kohë më parë.

Dade thotë se e mbështet Ramën në qëndrimin e tij se ish-kryeministri demokrat është përgjëgjës për 21 janarin. “Duhet të patjetër rihapet kjo çështje, pasi janë vrarë katër demonstrues të pafajshëm që protestonin paqësisht. Sikurse dhe vetë kryeministri është shprehur në “BBC” se: “Sali Berisha është përgjegjës për 21 janarin”. Dhe sikurisht që e mbështes kryeministrin në të gjitha hapat që duhet të hedhë për ta materializuar këtë deklarim publik”, është shprehur dje deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PS, Arta Dade.
 

Shkrimi u publikua sot (21.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)