Dakordësi apo jo për Byronë?!
Meta: PD të sqarojë qëndriminDrafti/Byroja në varësi të Policisë e Prokurorisë

Dakordësi apo jo për Byronë?!<br />Meta: PD të sqarojë qëndriminDrafti/Byroja në varësi të Policisë e Prokurorisë
TIRANË - Kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk ishte njohur me deklaratën e liderit të opozitës Basha që shprehej kundër variantit të miratuar nga qeveria për Byronë Kombëtare të Hetimit, ndaj fillimisht u shpreh i kënaqur dhe e quajti lajm të mrekullueshëm dakordësinë që ai mendonte se PD-ja kishte dhënë për këtë draft. Por me tu njohur me kundërshtinë që kryedemokrati shfaqi ndaj këtij drafti, Metai  bëri apel  të qartësojë qëndrimin, pasi mazhoranca siç theksoi ai- nuk do të bëjë as një hap pa opozitën.

...
Takimi që Meta pati me kryetarin e Asamblesë së Sllovenisë Milan Brglez nuk i kishte lënë kohë kryeparlamentarit të ndiqte qëndrimin publik që Basha shfaqi këtë mëngjes: Se nuk do të votojë një Byro Hetimi pa qenë në varësi të plotë të Prokurorisë. Për Bashën, qeveria kishte bërë "hile" duke dalë nga varianti i dakordësuar më parë sipas modelit amerikan dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
 
"Ne kemi mbështetur dhe mbështesim çdo institucion që synon të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në këtë vend. Ka qenë një lajm i shkëlqyer që Partia Demokratike është dakordësuar me këtë çështje, sepse ajo ka pasur mospajtimet e saj kur ligji kaloi në Kuvend dhe ky është një lajm shumë i mirë. Ministrja e Shtetit z. Felaj në emër të qeverisë bëri dje të qartë që gjithçka ka qenë e dakordësuar edhe me partnerët tanë amerikanë, të cilët kanë një përkushtim të veçantë në mbështetjen e këtij institucioni të ri. Kështu që tani, besoj dhe shpresoj që të ketë mbërritur në Kuvend dhe të fillojmë menjëherë procedurat. Të shprehet dhe Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe të fillojë sa më shpejt nga puna. Nuk shikoj asnjë problem, nuk shikoj asnjë shqetësim, - tha Meta
 
Ishin gazetarët, të cilët gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që Meta mbajti me Brglez, e informuan për kreun e Kuvendit për kundërshtinë që opozita shfaqi ndaj këtij drafti. në këto kushte, Meta ju drejtua me një apel opozitës: Të sqarojë pozicionin e saj!
 
"Duket se Ministrja e Shtetit znj. Felaj dje e ka bërë të qartë, që ky është drafti i dakordësuar. Nga komunikimi që kam pasur edhe me Ministrin e Brendshëm, i cili ka qenë në komunikim të vazhdueshëm për këtë çështje prej më shumë se një viti edhe me partnerët tanë, edhe me Kryeministrin, gjithçka ka qenë i dakordësuar. Askush nuk është i ndaluar të ndryshojë mendim, por e rëndësishme është që të gjithë të dakordësohemi përfundimisht në mënyrë që kjo agjenci të krijohet sa më shpejt. Kështu që besoj se kjo gjë është e qartë", vijoi Meta.

Do ta votoni pa opozitën z. Meta?
Ne pa opozitën mund ta kishim bërë me kohë, por e kemi të vështirë të punojmë pa opozitën, për të mos thënë e kemi të pamundur. Kështu që shpresojmë që opozita të sqarojë edhe një herë tjetër pozicionin e saj dhe e ka këtë mundësi tani që drafti vjen në Kuvend, ta bëjë në komisionet parlamentare.
 
I pyetur nga gazetarët nëse diskutimet për këtë projektligj do të zhvillohen në komisionin e ngritur për reformën në drejtësi, apo në komisionet parlamentare, Meta tha se në këtë pikë do të ecet sipas dëshirës së opozitës.
 
"Ku të dëshirojë opozita, nëse dëshiron te Komisioni i Ligjeve, atje do ta çojmë. Nëse dëshiron ta kalojë të Komisioni i Reformës në Drejtësi, e çojmë atje apo edhe nëse do te të dyja, do t’ia plotësojmë dëshirën, nuk ka asnjë problem. Madje, nëse opozita do që ta çojmë te Komisioni i Integrimit, përsëri nuk ka problem. Në vullnetin tonë është që t’i krijojmë një përfshirje sa më të plotë opozitës", - tha Meta. 

Meta hodhi poshtë zërat që LSI të jetë bërë pengesë për reformat, madje shtoi se për Byronë votimi nga kjo forcë politike do të jetë unanim, me 19 votat e LSI.
 
"Doja të theksoja edhe një herë çështjen e reformës në drejtësi dhe që t’i jepni fund gjithë spekulimeve, sepse sa herë që dikush nuk ka qejf për diçka, thotë e pengon LSI. Mos harroni se LSI ka votuar Byronë e Hetimit në Parlament. E ka votuar edhe dje në mënyrë unanime dhe do të votojë çdo iniciativë ligjore, çdo reformë që i shërben transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Kjo është e padiskutueshme. Opinionet që mund të japë një deputet apo një përfaqësues diku këtu apo atje, janë pjesë e komunikimi demokratik, sepse ne nuk ndalojmë asnjë deputet që të shprehë një mendim të tillë, por qëndrimet bazë politike të LSI-së përsa i takon reformave të mëdha, i mban Kryetari i saj dhe Kryetari i Grupit Parlamentar. Dhe të 19 votat e sigurta të LSI-së, do të jenë gjithmonë në përkrahje të këtyre iniciativave dhe të reformave, vetëm me një kusht që të jenë të certifikuara nga partnerët tanë evropianë, sepse çdo gjë synon forcimin e shtetit ligjor, por njëkohësisht edhe përafrimin e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian. Përsa i takon votës së z. Braho ajo është e dyfishtë dhe sa i takon pjesës së LSI-së, ai gjithmonë do të jetë në këtë drejtim, pra në drejtimin e duhur", - tha Meta. 


Meta: Reforma ne drejtesi ne Pranvere
Lidhur me reformën në drejtësi, Meta tha se ajo do të përmbyllet me sukses në pranverë.

"Së pari e kam siguruar kolegun slloven se reforma në fushën e drejtësi do të përmbyllet me sukses në pranverë, në mënyrë që të jemi në harmoni dhe me të gjithë axhendën e re të Bashkimit Evropian për të ardhmen e Shqipërisë. Së dyti e kam siguruar se pavarësisht se çfarë do të dëgjojë gjatë kësaj vizite, të jetë i bindur se ne do të arrijmë të konkludojmë me sukses reformën në fushën e drejtësi, sepse të gjithë këtu pranojnë si gjykatës suprem Komisionin e Venecias, për standardet e reformës në fushën e drejtësisë.

Së treti, të gjithë aktorët politikë dhe forcat politike parlamentare e mbështesin reformën në drejtësi, sepse në radhë të parë, pajtohen me faktin që ka nevojë për një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë, për të rritur ndjeshëm standardet e funksionimit të shtetit ligjor dhe njëkohësisht edhe të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjithë mbështesin procesin e testimit të gjithë prokurorëve, të gjyqtarëve, të cilët janë aktualisht pjesë e sistemit gjyqësor, për të garantuar që të gjithë ata të cilët nuk janë të përshtatshëm dhe nuk kanë integritetin dhe kualifikimin e duhur të ndahen nga sistemi i drejtësisë. Ashtu sikurse të gjithë ata të cilët qëndrojnë, dhe unë e theksoj se ka mjaft prej tyre që janë me integritet, të motivohen dhe të mbështeten më shumë falë kësaj reforme, për të bërë më me përkushtim dhe për të qenë më të mbrojtur në realizimin e funksioneve të tyre në të ardhmen.

Por siç e dimë ne, se edhe dekriminalizimi asnjëherë s’kishte për të ndodhur, por ndodhi. Kështu që ato që duken si diferenca të mëdha, sidomos përpara kamerave, unë jam i bindur që edhe me ndihmën edhe të partnerëve tanë do të tejkalohen. Vetëm pak ditë më parë ne kishim dy përfaqësues të nderuar të dy grupeve kryesore të Parlamentit Evropian, që dhanë një mbështetje të madhe edhe për procesin e dekriminalizimit, z. Knut Fleckenstein nga Grupi Socialist dhe z. Eduard Kukan nga Grupi Popullor.

Ne kemi EURALIUS që është një mision mjaft i kualifikuar i Bashkimit Europian që ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm dhe padyshim që për çdo mosmarrëveshje, sepse e theksoj edhe njëherë, në shtyllat kryesore të reformës ka një dakordësim, ne do të jemi në gjendje që me fleksibilitet, me përgjegjshmëri dhe duke interpretuar me objektivitet rekomandimet e Komisionit të Venecias, ta mbyllim këtë reformë në kohë, ose më saktë reformën kushtetuese, sepse reforma do të vazhdojë.
Janë mjaft ligje në zbatim të saj dhe t’u japim miqve tanë dhe aleatëve tanë sllovenë dhe gjithë të tjerëve që janë mbështetës, për të vazhduar procesi i zgjerimit, sa më shumë argumente përballë gjithë atyre që në këto kohë të vështira nuk e kanë zgjerimin si prioritetin kryesor. Dhe natyrisht që edhe kjo është e pranueshme dhe është normale, sepse sfidat me të cilat po ndeshet Bashkimi Evropian janë të jashtëzakonshme dhe ndoshta të paparashikueshme përpara disa vitesh.

Dhe kjo do të na motivojë ne për të qenë më të angazhuar në realizimin e reformave brenda vendit dhe për të çuar sa më shumë lajme të mira në Bruksel dhe në të gjitha kryeqytet e vendeve të Bashkimit Europian. Sepse siç e thanë me të drejtë edhe dy eurodeputetët që ishin këtu, ne reformat nuk i bëjmë thjesht për të kënaqur drejtuesit e Bashkimit Evropian, por i bëjmë në radhë të parë për të rritur besimin e qytetarëve tanë dhe të ardhmen e vendit tonë
", tha Meta.

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois