Gjatë aksionit të së premtes për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, një person ende i paidentifikuar sulmoi me molotovë fadromën e IKMT-së, në të cilën ndodhej drejtuesi i mjetit dhe kreu i IKMT-së, Fatmir Meta.

Pamjet filmike tregojnë qartë momentin kur molotovët godasin njëri pas tjetrit fadromën, ndërsa efektivët e policisë që e shoqëronin largohen me shpejtësi. Vetëm njëri prej tyre nxjerr armën, ndërsa kreu i IKMT-së është i vetmi që tenton të përballet me autorin.

Për fat të mirë, sulmi nuk shkaktoi dëme apo të lënduar, por ka vënë seriozisht në rrezik jetën e dy punonjësve të shtetit. Pavarësisht kësaj, Policia e Shkodrës deklaroi zyrtarisht se “asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën”.

Deklarata bie ndesh me realitetin e pasqyruar në video dhe me praninë e dhjetëra efektivëve që ishin dëshmitarë të sulmit. Ndërkohë, kreu i IKMT-së e ka konsideruar publikisht këtë akt si tentativë për vrasje ndaj punonjësve të shtetit.

Policia e Shkodrës njoftoi se është në kërkim të autorit, por vetëm për tentativën për t’i vënë zjarrin urës së fshatit, duke shmangur në këtë mënyrë hetimin për sulmin e rrezikshëm me molotov.