Alexander Manninger, ish-portieri i Juventusit, Arsenalit, Liverpoolit dhe kombëtares së Austrisë, u nda tragjikisht nga jeta të enjten në mëngjes në moshën 48-vjeçare. Makina që ai drejtonte u godit nga një tren pranë Salzburgut në Austri, ndërsa mjeti ku Manninger udhëtonte i vetëm u shty për disa metra nga forca e përplasjes.
Manninger nuk mundi t'i bënte ballë plagëve paçka ndihmës, ndërsa prej kohësh ishte tërhequr nga jeta publike, madje ishte duke u marrë me pasionin e tij të hershëm, jetën si marangoz. Pa rrjete sociale, Manninger mbahet mend për cilësitë në portë.
Pas kësaj humbjeje të shumtë kanë qenë miqtë që kanë reaguar, mes tyre edhe legjenda italiane e portës, Gianluigi Buffon. Dyshja kanë ndarë për disa vite dhomat e zhveshjes te Juventusi, ndërsa Buffon e cilëson si një njeri që gjithmonë e ka admiruar.
“I dashur Alex, çdo fjalë është e tepërt. Çdo lot do të ishte vetëm hidhërim për humbjen e një miku dhe personi që gjithmonë e kam admiruar. Kishe zgjedhur të mbeteshe i pavarur nga varësia e botës së futbollit, duke kërkuar lumturinë në gjërat e thjeshta. Bëje një jetë të shëndetshme mes pyjeve, peshkimit, natyrës, familjes. Ky ishte besimi yt.
Në një botë shpesh të përkulur e të nënshtruar, që ndjek dominimin, karrierizmin dhe fitimet e lehta, ti ke mbrojtur gjithmonë lirinë tënde, me krenarinë e atij që di çfarë do. Ke pasur forcën të largohesh dhe të na shohësh me atë buzëqeshjen tënde ironike, sikur të thoje: Jeni të gjithë të çmendur, nuk do të më keni kurrë… Jam i sigurt se nga lart do të vazhdosh t’i udhëheqësh fëmijët e tu dhe bashkëshorten tënde. Prehu në paqe!”, shkruan Buffon.
Komente








