Shefi i ndërhyrjes së shpejtë në reparin Zjarrfikës në Vlorë, Luan Kapaj, ka folur mbi situatën e krijuar në Zvërnec, pasi një autobus me nxënës doli nga rruga.
Për Report Tv, Kapaj tha se falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, është bërë e mundur nxjerrja e nxënësve nga autobusi, duke bërë që askush të mos mbetej i lënduar.
Po ashtu, Kapaj shtoi se nëse autobusi do të ishte batuar plotësisht, atëherë do të rrezikohej edhe jeta e fëmijëve që ndodheshin brenda tij.
“Shërbimi zjarrëfikës mori një telefonatë urgjence ku ktu në zonën e Zvërnecit, një autobus kishte dalë nga rruga. Autobusi ishte plotë me fëmijë, që vinin në ekskursion në këto ditë të nxehta të kësaj periudhe. Jeta e fëmijëve rrezikohej sepse autobusi kishte dalë nga rruga dhe përbënte rrezik për jetën e tyre. Menjëherë shërbimi zjarrfikës u vu në dispozicion me të gjitha mundësitë për të bërë të mundur hapjen e derës dhe nxjerrjen e fëmijëve. Nëse autobusi do të ishte batuar plotësisht, atëherë fëmijët mund të ishin lënduar. Por falë ndërhyrjes së shpejtë, u bë e mundur që të mos lëndohej asnjë fëmij”, tha mes të tjerash Kapaj.
Lajmi kryesor:
Momente paniku në Zvërnec, autobusi me nxënës del nga rruga, s'ka të lënduar! Zyrtari i Zjarrfikëses: Ndërhyrja në kohë shmangu një fatkeqësi të mundshme (VIDEO)











