Nga ora 14:00 e së martës, 3 shkurt, mjetet e vogla dhe peshkarexhat nuk do të lejohen të dalin në det në Vlorë. Shkaku, sipas Kapitenerisë së Portit të Vlorës, janë kushtet e përkeqësuara të motit që pritet të prekin gjirin e Vlorës dhe detin e hapur.

Sipas parashikimit, në det do të fryjnë erëra të forta nga jugu dhe juglindja, deri në 8–9 ballë, me shpejtësi që shkon deri në 45 metra në sekondë. Dallgët pritet të arrijnë nga 3.5 deri në 6.5 metra, duke e bërë lundrimin të rrezikshëm, sidomos për mjetet e vogla.

Për këtë arsye, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka ndaluar daljen në det të varkave dhe mjeteve të peshkimit deri në orën 06:00 të mëngjesit të 5 shkurtit.

Autoritetet u kërkojnë peshkatarëve dhe pronarëve të mjeteve lundruese të sigurojnë varkat në port dhe të shmangin çdo dalje të panevojshme në det, veçanërisht në oraret kur moti pritet të jetë më i ashpër.

Anijet e mëdha të transportit ndërkombëtar do të vijojnë lëvizjen normalisht, ndërsa përmirësimi i motit për mjetet e vogla pritet pas mëngjesit të së enjtes.

Njoftimi i plotë për ndalimin e lundrimit të mjeteve të vogla

Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësura gjatë datave 03-05.02.2026

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të vlorës, gjatë datave 03-05.02.2026 duke filluar nga ora 14:00 datë 03.02.2026 në drejtimin jug-juglindje në forcën deri 8-9bft me shpejtësi ere deri në 30-45m/s dhe lartësi dallge nga 3.50 deri 6.50 metra, ju bëjmë me dije se :

1.Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 14:00 datë 03.02.2026 deri në datë 05.02.2026 në orën 06:00.

2.Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

3.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalishtë sipas destinacioneve përkatëse.

4.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar të parashikuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 05.02.2026.