BRUKSEL - Komisionerja për peshkimin dhe ujërat në BE, Maria Damanaki dha dje në Bruksel një konferencë për shtyp mbi zonat detare në Mesdhe, duke theksuar nevojën e zgjidhjes së kufijve detarë dhe rritjes së "zonës blu" dhe shfrytëzimin e ujërave të Mesdheut, të cilat sipas një studimi kanë përfitime të konsiderueshme, që mund të fitohen, në qoftë se shtetet bregdetare do të ushtrojnë të drejtat e tyre sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara dhe do të zgjerojnë Zonat e tyre Ekskluzive Ekonomike. Studimi tregon se ky përfitim mund të arrijë në 2.7 miliardë euro në vit, vetëm në tri fusha që u studiuan rastësisht.

"Axhenda e Komisionit për rritjen e zonës ‘Blu’ ka përcaktuar mënyrën më të mirë për të eksploruar aktivitetet ekonomike, që kanë të bëjnë me vlerat të ardhura nga deti, çka përfaqëson një vlerë të shtuar bruto në gjysmë trilionë euro në vit.

Një pjesë e madhe e saj shtrihet në Detin Mesdhe, i cili ende mbetet kryesisht i pashfrytëzuar. Një ndër arsyet e këtij mossshfytëzimi është fakti se një pjesë e konsiderueshme e Mesdheut është aktualisht jashtë juridiksionit të shteteve bregdetare. Si pasojë ky territor mbetet në masë të madhe i pambrojtur, i pashkelur dhe i pashfrytëzuar.

Mundësitë për të korrur përfitime nga ekonomia ‘blu’ dhe aktivitetet e lidhura me të, të tilla si zhvillimi i energjisë, janë dobësuar si pasojë e kuadrit të munguar rregullator. Për pasojë, situata në rajonin e Mesdheut e vështirëson mundësinë, që shtetet bregdetare të zbatojnë apo të rregullojnë veprimtaritë gjithëpërfshirëse.

"Studimi, që unë po paraqes sot, synon rritjen e ndërgjegjësimit, të shteteve mesdhetare nën zbatimin e UNCLOS (Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin Detar) lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tyre dhe rolin e tyre në aspektin e krijimit të zonës detare në Mesdhe.

Sipas studimit, ekzistenca e një Zone Ekskluzive Ekonomike (EEZ) mund të lejojë planifikim sa më efektiv të hapësirës detare. Në këtë mënyrë ajo do të përmirësojë kushtet për sigurimin e investimeve të mëtejshme ekonomike, si për shembull në fushën e eksplorimit të energjisë detare.

Studimi gjithashtu thekson se, një EEZ ka nevojë të shoqërohet me monitorimin e duhur dhe mekanizmat e zbatimit në mënyrë që të arrihet një realizim i plotë i përfitimeve në krahasim me shpenzimet. Gjithashtu, do të duhet të adresohen edhe çështjet, që kanë të bëjnë me përcaktimin e kufijve.

Për të përfunduar, studimi tregon qartë se ka përfitime të konsiderueshme, që mund të fitohen, në qoftë se shtetet bregdetare do të ushtrojnë të drejtat e tyre sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara dhe të zgjerojnë Zonat e tyre Ekskluzive Ekonomike. Studimi tregon se ky përfitim mund të arrijë në 2.7 miliardë euro në vit, vetëm në tri fusha që u studiuan rastësisht.

Pra, cilat janë planet tona të ardhshme për këtë skedar? Unë nuk mund të injoroj faktin se palët e interesuara dhe institucionet e tjera europiane, kanë tërhequr vëmendjen tone për adresimin e me urgjencë të çështjes së qeverisjes në Mesdhe. Natyrisht unë theksoj fort se shpallja dhe krijimi i zonave detare është një e drejtë sovrane e çdo shteti bregdetar dhe unë nuk kam ndërmend të ndërhyj në këtë proces.

Por kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët evropiane për të siguruar që kushtet e duhura janë të disponueshme, në mënyrë që të lulëzojë ekonomia ‘blu’, për të reduktuar presionet mbi burimet detare dhe për të garantuar një kornizë të qëndruesme për investime ekonomike dhe planifikimin detar".

Sipas Damanakit, rritja “blu” dhe qëndrueshmëria janë në thelbin e axhendave tona. Pra, përmirësimi i qeverisjes së hapësirës sonë detare nëpërmjet shtrirjes së juridiksionit kombëtar, do të jetë jashtëzakonisht i dobishëm në këtë drejtim.

Komisioni Evropian ndjek dhe do të ndjekë nga afër zhvillimet në Mesdhe në lidhje me themelimin e zonave detare, përfshirë Zonat Ekskluzive Ekonomike. Ne do të bazojmë çdo nismë politike tonën në UNCLOS.

Fjala e parë kyç në këtë kontekst do të jetë bashkëpunimi mes shteteve anëtare dhe fqinjëve tanë. Fjalë tjetër kyçe është rritja ‘blu’. Qëllimi ynë është që të kontribuojmë në shfrytëzimin e plotë të pasurisë detare nga Shtetet Anëtare të BE, duke promovuar interesat e BE-së në fushën e prosperitetit ekonomik, krjimit të vendeve të punës dhe rritjen ekonomike".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)