“Groenlanda nuk ka nevojë për asnjë iniciativë të veçantë shëndetësore.” Me këtë fjali, Danimarka i ka mbyllur derën ofertës së presidentit Donald Trump për të dërguar një spital lundrues në ishullin arktik.

Reagimi erdhi nga ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, pasi Donald Trump deklaroi se SHBA do të ishte gati të dërgonte një anije-spital në Groenlandë.

Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht interesin për të marrë kontrollin e Groenlandës, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës. Por Kopenhageni duket i prerë.

“Popullsia e Groenlandës merr kujdesin shëndetësor që u nevojitet. E marrin në Groenlandë dhe, nëse kanë nevojë për trajtim të specializuar, e marrin në Danimarkë. Nuk ka nevojë për një iniciativë të veçantë”, tha Poulsen.

Në Groenlandë, ashtu si në Danimarkë, shërbimi shëndetësor është falas siç raportojnë mediat e huaja. Në ishull funksionojnë pesë spitale rajonale, ndërsa Spitali i Nuuk pret pacientë nga i gjithë territori.

Në fillim të shkurtit, qeveria e Groenlandës nënshkroi një marrëveshje me Kopenhagenin për të përmirësuar trajtimin e pacientëve dhe për të lehtësuar transferimin e tyre drejt spitaleve daneze, duke theksuar edhe një herë se sistemi ekzistues mbetet funksional.