Dardha, fshati turistik ku ngrenë
vila pushtetarë dhe biznesmenë

Dardha, fshati turistik ku ngrenë<br />vila pushtetarë dhe biznesmenë
Në një ditë të bukur vere, me një qiell të pastër si sy fëmije, jemi nisur për në fshatin turistik të Dardhës. Kemi lënë pas Korçën dhe Boboshticën e makina ecën nëpër gjoksin e maleve të lartë, që kalojnë 1.344 m mbi nivelin e detit.

Dielli që ka dalë sipër majave të larta herë shfaqet dhe herë fshihet nëpër qafat e maleve dhe duket sikur luan me ne symbyllurazi. Para na shfaqet një luginë e bukur, e rrethuar me maja alpine. Ato janë të mbuluara me kurorat e gjelbëra të pishave. Shiu që ka rënë para disa ditësh ka lënë gjurmët e tij nëpër majat e maleve, duke i dhënë peizazhit një pamje magjike, duke e harlisur së tepërmi gjelbërimin.

Një rrugë plot zigzage që gjarpëron nëpër gjokse malesh. Nga qyteti i Korçës, pas rreth 20 km rruge të vështirë malore nëpër mbretërinë e pyllit, të shfaqet Dardha, e vendosur në shpatin e malit. Shumë shtëpi të vjetra janë të mbuluara me rrasa guri gri dhe nga larg ngjajnë me shkëmbinj të latuar nga erërat. Por, midis tyre, shfaqen shumë shtëpi të restauruara, që kanë pamjen e vilave. Kur i pyet dardharët, të thonë se janë shtëpitë e njerzëve të kamur, të cilët kanë blerë shtëpi në Dardhë.

Po pse në Dardhë ky interesim? Vetiu, njeriu në majë të këtyre maleve të mbuluara me dëborë e çon mëndjen tek pranvera e ndezuar me blerim, tek stina e verës plot freski që vjen nga puhizat e maleve të lartë, tek vjeshta me petale piktorike prej ylberi. Ngado syri të sheh ndërtesa solide prej guri të gdhendur, kalldrëme të shtruar mjeshtërisht, kroje të shumta dhe një numër të madh kishash, ku, midis tyre, shquhet kisha e vjetër e Shën Gjergjit.

Kemi ndalur pranë një hoteli luksoz në këmbët e malit. Flasim me Tomi Ballin, i cili është nga Dardha dhe sëbashku me vëllain e tij Rubenin ka kryer këtë investim serioz. Tomi, si djalë nga Dardha, e njeh shumë mirë historinë e fshatit.
 
Historia e emrit të Dardhës
 
Fshati Dardhë është një fshat që është themeluar e rritur prej të “ardhurve“. Në Dardhë janë strehuar ata persona që kanë qënë të përndjekur nga qeveria osmane, e cila i detyronte që të ndërronin fenë. Këta persona vinin e gjenin strehë tek një stan nën një dardhë. Kur i pyesnin të afërmit “ku jeni?”, ata përgjigjeshin se jemi tek stani nën Dardhë e më pas lindi togfjalshi “n-dardhë” deri tek emri i sotëm Dardhë.

Në dokumentat e hershme del se fshati Dardhë ka patur 1.454 frymë me 400 shtëpi. Natyrshëm - thotë Tomi - të lind pyetja se si u popullua kaq shumë ky vend, kur toka i mungon dhe përgjigja është vetëm një: vetëm për të qënë të lirë!

Por, pa tokë dhe të ardhura të pakta, dardharët kanë qënë të detyruar të emigrojnë. Pasioni i tyre kanë qënë sharrat dhe sëpatat e druvarit. Tomi thotë se akoma atje, në Olimp të Greqisë, punon sharra e Dardharëve.

Mërgimi i largët ishte një dramë e gjatë, plot dhimbje. Përveç se në Rusi, Anadoll, Greqi, dardharët kanë emigruar edhe në Amerikë. Rrallëkush ka mbëtur pa patur një pjestar të familjes në Amerikë. Aty dardharët morën pjesë nëpër shoqëritë patriotike.

Në vitet e pushtetit komunist, Dardha pësoi një rënie. Në vitet `60 në Dardhë u ngrit një shtëpi pushimi, si një degë e Turizmit korçar .
 
Dardha sot
 
Dardha sot ka ngelur një fshat pa fëmijë. Aty mund të numërohen vetëm 50 banorë. Por kohët e fundit shumë dardharë që jetojnë në Tiranë dhe në Korçë i janë rikthyer Dardhës. Janë kthyer dhe po ringrenë shtëpitë e tyre, të braktisura prej shumë vitesh.

Blerja e trojeve dhe ngritja e një kompleksi vilash nga shumë deputetë e pushtetarë apo biznesmenë i kanë sjellë Dardhës një pamje tjetër. Hotelet luksoze, të ngritura kohët e fundit dhe vilat e Ben Blushit, Teodor Laços apo biznesmenëve si Gon Papuli e dhjetëra  biznesmenëve të tjerë nga Tirana e Durrësi, i kanë dhënë Dardhës një pamje tjetër.

Banorëve të rinj dardharët iu kanë ofruar miqësinë dhe mikpritjen e tyre. Tre janë hotelet luksoze, ku shquhet sidomos hotel “Dardha“, ku bëhen gatime tradicionale, si lakrori i famshëm dardhar, mishi i pjekur e shumë specialitete të tjera bio.

Pa dyshim që Dardha është bërë një destinacion i preferuar për shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria. Asfaltimi i rrugës, sigurimi i ujit të pijshëm, pyjet e ruajtura anembanë saj, kanë krijuar një pamje vërtet të mrekullueshme në çdo stinë.

Por Dardha është e përshtatshme edhe për sportin e skive. Aty, thotë Tomi Balli, është miratuar nga qeveria që të ngrihet pista e skive 1.5 km e gjatë dhe 70 m e gjerë.
E pra, e ardhmja e Dardhës ka vetëm një emër: Turizëm!
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Të arrestuarit në burgun e Drenovës i gjendet celular

Të arrestuarit në burgun e Drenovës i gjendet celular