Darka te Rozafa, Berisha
zbulon “puçin e ri” ndaj tij

Darka te Rozafa, Berisha <br />zbulon “puçin e ri” ndaj tij
TIRANE - Në mbledhje e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të PS-së Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij për një “puç” apo “komplot” që sipas tij është bërë 5 ditë më parë. Berisha përmend darkën e një ditëlindje, që është organizuar në restorant “Rozafa” dhe mendohet se ka qenë ditëlindja e Preç Zogajt, duke e quajtur si “darka e gabuar”.

Kreu i PD-së nuk kursen as detaje të darkës, duke përmendur dhe treguar biseda që janë zhvilluar atë natë, edhe pse vetë Kryeministri nuk ka qenë i ftuar dhe pjesëmarrës në darkë.

FJALA E PLOTË E BERISHES
“Zonja e zotërinj deputetë,
Më duhet t’ju rrëfej një “darkë të gabuar”, jo si ajo e Kadaresë, por në disa nuanca shumë e gabuar, që ka ndodhur 5 ditë më parë, tek Rozafa, te kazinoja. Aty, në dukje po festohej ditëlindja e njërit prej ish bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb, jo me një, por me disa dëshmitarë, kjo darkë ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës. Së pari filloi me tezat se Enver Hoxha bëri shtet. Ideolog i kësaj teze ishte përzgjedhur nënkryetari i gjithëfuqishëm i PS-së, Koço Kokëdhima. Por dëshmitarë të çështjes ishin Edi Rama, Spartak Ngjela. Ndërkohë një ish mik i imi, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, i thotë: Spartak, po çfarë shteti bëri Enveri, sepse ai të futi në burg ty dhe prindërit e tu. Spartaku ia kthen: Në burg më futi, por më futi me ligje. Të pranishmit i kthehen Edi Ramës dhe i thonë: Kemi ardhur këtu për të bërë enverizëm, apo si të ftuar? Dhe ai u thotë se shtetin, Enveri e kishte serioz.

A e dëgjuat se çfarë u tha Rama të rinjve, dy ditë më parë? Ndërsa po fliste me një këngëtare të Top Channel dhe duke analoguar me regjimin e diktaturës, i tha: ke shumë “shfaqje të huaja” në pamjen tënde, por nuk i tregoi asaj se atë vit, në kufijtë e Shqipërisë u pushkatuan 93 të rinj. A thua se ai regjim ka qenë i tillë vetëm për çështje të “shfaqjeve të huaja”! Në atë takim, po ashtu, vihej re se nuk kishte ftuar as Majkon, as Blushin. Ai e kremtoi 8 dhjetorin pa ata pak dhjetoristë që ka në parti. Dhe e paraqiti para të rinjve sikur ai regjim e paska pasur problemin vetëm te flokët e gjatë a të shkurtër apo tek xhinset. Këto ishin kapërcyer si probleme në atë dhjetor. Por zoti Rama ua servirte të rinjve këto gjëra, si e si ta zvogëlonte krejtësisht rolin dhe kontributin historik të tyre në lindjen e lirive dhe të të drejtave të shqiptarëve. Por për këtë nuk kam pasur ndonjëherë dyshim.

Duke vazhduar me darkën, pasi Rama bëri gjithçka për të lartësuar Enver Hoxhën dhe, natyrisht, për të nxirë figurën e Sali Berishës, muhabeti u prish komplet, kur gazetari që përmenda më lart, të cilit nuk po ia përmend emrin se nuk dihet si e marrin, i thotë: Kur unë kisha muhabet me Berishën, i kisha thënë në mënyrë të përsëritur që tre vetë nuk të duhen. Avokat Ngjela kthehet dhe e pyet kush ishin ata të tre. Dhe gazetari vazhdon: I pari Spartak Ngjela, i dyti Mero Baze, i treti Bamir Topi. Kjo gjë e xhindosi avokatin. Si përfundim, ajo çka në paraqitje ishte një ditëlindje, u shndërrua e tëra në një darkë të gabuar, jo me Gurametër, por me guralecë.

Megjithatë, kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për publikun, rëndësi ka një përpjekje e shpërfytyruar për të mbrojtur Enver Hoxhën. Tani ata përdorin si justifikim ngritjen e busteve, të Ismail Qemalit, të Hasan Prishtinës, të Adem Jasharit, të Azem Hajdarit. Enveri e kishte bustin në çdo qytet, por bustet e tij i hoqën zvarrë shqiptarët. Mos mendoni se shqiptarët kanë harruar as zvarritjen e busteve të tij, por as edhe shkaqet e tmerrshme që i detyruan ata që t’i zvarrisin këto buste. “Enveri bëri institucione serioze”, - thoshte Rexhep Qosja dikur. Ju duhet ta dini se, kur shkuan kosovarët në Vuthaj, vuthjanët dërguan çelësat e shtëpive që nga Nju Jorku, por vetëm dy shtëpi nuk u hapën kurrë, njëra prej të cilave ishte ajo e “profesorit” të Shpëtim Gjikës. Ajo nuk u hap ndonjëherë. Kjo, atij iu shpërblye në kulmin e festimeve të Vlorës, vetëm sepse deklaroi se “Enveri bëri shtet serioz”. Por Enveri bëri diktaturën më çnjerëzore që Europa ka pasur. Kurrë ndonjëherë, ndonjë popull nuk ka vuajtur nga ndonjë diktator, sa shqiptarët nën diktaturën hoxhiste. Pra, atë që ekspozoi profesori i tyre enverist e zhvilluan më tej në “darkën gjysmë të gabuar”, dy pinjollët e nomenklaturës dhe Koçoja, i cili ende dukej se ëndërronte të bëhej nga Sekretar i Parë i Fierit, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë dhe pastaj të kalonte në radhët e para të partisë. Por, faktikisht, ai sot sundon PS-në.

Të gjitha këto i thashë jo se kanë ndonjë vlerë të madhe, por sepse ka një ofendim në këtë drejtim. Edi Rama do të kishte bërë mirë t’u kishte kërkuar të falur shqiptarëve, në këtë 100 vjetor, për të gjitha barbaritë, mizoritë që kreu ndaj shqiptarëve diktatori stalinist dhe bllokmenët e tij hoxhistë. Duhet ta bënte këtë gjë, të paraqiste një lloj ndjese. Nuk them ndjesë për veten, sepse ai vetë nuk ka qenë direkt i përfshirë. Megjithëse më duhet t’u them edhe një gjë. Kur unë e kërkova Ramën dikur, për t’u bërë deputet, ai nuk erdhi dhe ktheu përgjigje për jo. Por zgjedhja ishte e tij.

Megjithatë, në këtë vit të 100 vjetorit, prisja që të kërkonte ndjesë. Edhe pse nuk ia thashë këtë përgjatë një viti të jubileut, sepse mendova se ai do të kishte një shtysë edhe për të përgënjeshtruar atë që unë i them shpesh, “neobllokmen”. Në fakt, ata që ishin në “darkën gjysmë të gabuar” i shtruan pyetjen se si kishte mundësi që edhe ai të ketë nostalgji për Enver Hoxhën. Por ai u tha se Enveri bëri shtet serioz. Pra, diktatura, sipas tyre, ishte diçka serioze, kur realisht diktatura ishte diçka makabre. Kadareja, historinë që përshkruan tek vepra e tij e kishte me të thënë dhe ka përshkruar diçka që nuk e ka përjetuar vetë, sepse nuk ka qenë pjesëmarrës në darkën e gabuar. Por unë uroj që dikush tjetër, që ka qenë tek kjo darkë së fundi, ta përshkruajë atë si “darka gjysmë e gabuar”, për të nxjerrë të gjitha të vërtetat e saj, të cilat ishin të vërteta shumë të hidhura.

Sa për mediat, edhe për këtë pjesë që ishte pothuajse tërësisht private, ju e morët vesh. Ju falënderoj”.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë