WASHINGTON- Departamenti Amerikan i Shtetit po punon aktivisht për të nxitur ndërtimin e Korridorit të Jugut, por nuk ka një qëndrim për të mbështetur rrugë konkrete të eksportit të gazit nga rajoni i Kaspikut në Evropë. Dy projektet konkurruese për këtë gazsjellës strategjik janë Nabucco West dhe TAP-i, ky i fundit, që kalon edhe përmes Shqipërisë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zyra e Burimeve Energjitike në Departamentin e Shtetit, e drejtuar nga i Dërguari i Posaçëm dhe Bashkërenduesi për Çështjet e Energjisë Ndërkombëtare Carlos Pascual po punon intensivisht me vendet e këtyre rajoneve dhe mbarë Evropën, për të nxitur ndërtimin e Korridorit të Jugut.

Sipas zëdhënësit, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht ndërtimin e korridorëve të rinj, që do të sillnin një shumëllojshmëri burimesh energjitike, si dhe rrugësh tranziti të tyre. Sipas tij, për të arritur këtë qëllim,Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë vendet e Kaspikut dhe të Azisë Qendrore për të gjetur rrugë të reja drejt tregjeve, të cilat do të sillnin si pasojë një zhvillim më të madh ekonomik dhe do t’i lejonin këto vende të shtonin konkurencën për burimet e tyre si dhe të krijonin lidhje të forta me ekonominë globale.

Zëdhënësi i DASH tha se përcaktimi i rrugës Nabucco West apo TAP është një vendim biznesi që do të përcaktohet nga kompanitë private, raporton Voa.

Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton diskutoi rreth çështjes së shumëllojshmërisë së burimeve energjitike me udhëheqësit evropianë në dhjetor gjatë takimit të Këshillit Amerikano-Evropian për Energjinë.

Muajin e kaluar, zyra e Senatorit Richard Lugar, i cili mbante postin numër dy në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit amerikan, përgatiti një raport, që mund të cilësoshet si më gjithpërfshirësi për energjinë në rajonin e euroazisë, ku argumentohet se linja Nabucco West i plotëson më mirë interesat strategjike amerikane. Këshilltari i komisionit të Senatit në një intervistë për Voa deklaroi dje se ideale do të ishte ndërtimi i të dy linjave, por  Nabucco West ofron avantazh më të madh strategjik në një afat imediat dhe të mesëm.
Marrë nga VOA
(sg/shqiptarja.com)