DASH: Shqipëria burim marijuane
dhe transporti për kokainë e heroinë
PDF - Raporti i DASH për narkotikët     

DASH: Shqipëria burim marijuane<br />dhe transporti për kokainë e heroinë<br />PDF - Raporti i DASH për narkotikët 

 

 
UASHINGTON - Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për luftën kundër drogërave në botë për vitin 2015, në të cilin Shqipëria cilësohet si një vend që shërben si burim i rëndësishëm marijuane.

Raporti i DASH thekson gjithashtu se vendi ynë shërben edhe si një pikë nga ku transportohen edhe drogëra të tjera si heroina dhe kokaina, e destinuar për tregjet evropiane. Sipas DASH qeveria shqiptare nuk mban statistika lidhur me përdorimin e drogërave.

Por krahas kësaj DASH nënvizon se sasia e drogës së kapur dhe numri i arrestimeve u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2014. Sipas raportit kjo u arrit si rezultat i shtimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me partnerët rajonalë, veçanërisht me policinë italiane, si dhe shtimit të angazhimit për të luftuar prodhimin e drogës dhe trafikimin e saj nga autoritetet politike dhe ato të rendit të Shqipërisë, që çuan në rritjen e madhe të operacioneve në mbarë vendit.

“Me përjashtim të marihuanës, Shqipëria nuk është një prodhues i rendësishëm drogash, apo lendëve për përftimin e tyre ose  drogave sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika për përdorimin e drogave. Me përjashtim të marihuanës, përdorimi i drogave të tjera nuk duket se është diçka e përhapur.” Thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit

Duke cituar policinë shqiptare, DASH shprehet në raportin e tij se sasia e marihuanës së kapur në nëntë muajt e parë të vitit 2014 ishte 101.7 tonë, një rritje e ndjeshme kjo nga sasia e përgjithshme prej 96 tonësh nga viti 2005 deri në vitin 2013. Në mbarë vendin po ashtu u shkatërruan 530,177 bimë marijuane në 2,214 parcela individuale. Shumica e parcelave të mbjella ishin identifikuar nga autoritetet italiane. Krahas kësaj policia shqiptare po ashtu ka bërë të mundur sekuestrimin e 63 kg heroine dhe 23 kg kokainë.

Duke vijuar më tej raporti i DASH bën të ditur se gjatë të njejtës periudhë 9 mujore të raportuar, policia arrestoi 1058 persona për shkelje që lidhen me trafikimin e drogave, duke kaluar numrin total të të arrestuarve për 2013 që ishte 803.  Shqipëria ka bashkëpunuar me autoritetet evropiane dhe ato të Amerikës së Jugut për të kapur 250 kg kokainë në portin e Barit në Mal të Zi, që kishte si destinacion Shqipërinë, për t’u transportuar më pas në Evropë.

Në fund të raportit, DASH thekson edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të vendit tonë me SHBA dhe BE për përmirësuar aftësitë në luftën kundër drogave.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani