TIRANE- Kryetari i LZHK në koalicion me PD, Dashamir Shehi në intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” flet për nevojën e përmirësimit të ligjit zgjedhor për të bllokuar abuzimin me votën e qytetarëve.
 
Ish-kryeministri Berisha deklaroi se nëse s’rregullohet problemi i blerjes së votës opozita nuk futet në zgjedhje. Komenti juaj?
Kjo është një deklaratë e cila bëhet shumë para kohe, megjithëse është e domosdoshme që të mbyllet njëherë e mirë abuzimi me votën e qytetarëve. Mendoj se do rrjedhin shumë ujra deri në zgjedhjet për pushtetin vendor, pasi do një vit e gjysmë që të zhvillohen. Por një proces i tillë duhet të përmirësohet e të vihet në rrugë të mbarë që tani, pasi jemi lodhur duke bërë ndryshime në minutën e fundit dhe të gjithë e dinë si ka qënë përfundimi. Vendosja e rregullave të qarta nuk duhet të bëhet sepse po e kërkon Sali Berisha tani por se janë të domosdoshme. Pasi të gjithë e dinë se Berisha kur ka qënë në krye të qeverisë për 8 vite, s’ka pranuar dhe ka pasur akuza nga opozita e atëhershme, sot në pushtet se ka luajtur me votën.
 
Ku mendoni se duhet të fillojë më parë reforma zgjedhore, për të patur njëherë zgjedhje të pakontestueshme nga palët...?
Mendoj se në fillim duhet të ndërhyhet përmes një konsensusi të gjërë për ndryshimin e përmirësimin e ligjit elektoral. Këtu mendoj se është baza për të pasur zgjedhje ku s’abuzohet me votën e qytetarëve, që të jetë e garantuar ashtu siç hidhet dhe të numërohet sipas vullnetit politik për të cilin është hedhur. Një ndryshim tjetër ku duhet të ndërhyhet fort që tani është përbërja e komisioneve zgjedhore, që nga qëndrori, deri në nivelin vendor, në mënyrë që të gjendet një formulë për të shmangur militantizmin që ushtron presion mbi votën. Komisionerët të jenë ekspertë.
 
Por ish-kryeministri kërkon që të eliminohet blerja e votës, ndryshe opozita nuk hyn në zgjedhje. Flet ish-kreu i opozitës?
Njëherë jam i kënaqur që këtë e kërkon pikërisht ish-kreu i qeverisë dhe mazhorancës Sali Berisha, e që mendon për këtë punë një vit e gjysmë para zgjedhjeve. Ne duhet të biem dakord në parim që zgjedhjet deri më tani nuk kanë qënë të mira. Aq më kur ankohet pikërisht ai që është akuzuar më shumë sa herë ka qënë në pushtet për abuzim me votat, pavarësisht se s’duhet paragjykuar se e kërkon pikërisht ai, më i akuzuari për këtë punë. Mund të duket absurde që bllokimin e blerjes së votës e kërkon pikërisht Berisha, i cili për tetë vite kishte mundësi ta rregullonte këtë punë, por me sa duket i kanë pëlqyer këto atëherë.
 
Po si mund të bllokohet blerja e votës....?
Evitimi i blerjes së votës është shumë i vështirë. Për ta bërë këtë duhet të ndryshohet kombësia shqiptare për t’u bërë daneze apo norvegjeze. S’ka asnjë formulë magjike që të bëhen zgjedhjet si në Danimarkë apo vende të tjera, pasi atyre iu deshën 400 vjet për të arritur deri këtu, ku janë për tu marrë shembull. Unë mendoj se në duhet të fillohet me ndryshimin në ligjin zgjedhor dhe avash avash me elementët e tjerë që kanë të bëjnë me largimin e militantëve nga komisionet zgjedhore dhe evitimin e rasteve të blerjes së votës. Kjo sot është një e keqe shumë e madhe dhe duhet të fillojë procesi i përmirësimit që tani, kur kemi shumë kohë në diapozicion, dhe jo të pengohemi se pse e kërkon Berisha dhe pse nuk e kundërshtoi në kohën kur ishte në pushtet, por e përdori pasi atëherë iu duk shumë ëmbël, ndërsa tani e ndjen të hidhurën në kurriz. Eshtë shumë e domosdoshme reforma në ligjin zgjedhor dhe duhet të fillojnë sa më parë nga politika.
 
Ju merrni pjesë në mbledhjet e grupit të PD. Eshtë shkrirë LZHK te partia më e madhe opozitare...?
Ne jemi parti më vete. Por varet si do jenë kushtet politike. Ka kohë deri në zgjedhje, gjithçka do bëhet hap pas hapi.
 
Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)