Dashamir Shehi: Jam për sistem
zgjedhor me Prim e lista të hapura

Dashamir Shehi: Jam për sistem<br />zgjedhor me Prim e lista të hapura
TIRANE- Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, pozicionohet “pro” vendosjes së primit elektoral në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke folur për Report TV, një nga politikanët më me përvojë të të djathtës, propozon gjithashtu ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional kombëtarë me lista të hapura, ndryshe nga formati aktual me lista të mbyllura dhe proporcional rajonal.

Dy elementë këto që sipas tij do të krijonin jo vetëm stabilitet në qeverisje, por edhe në sistemin politik. “Unë jam për proporcional kombëtarë, e dyta jam për lista të hapura që të ketë elementët mazhoritarë brenda. Kjo do krijojë elita partiake dhe politike. Sot elitat partiake i bën kryetari. I mbetem idesë së primit që ta minimizojmë këtë sport të shëmtuar, se ti hynë dhe i thua qytetarëve që të votojnë këtë dhe më pas bëhesh me atë. Jo për të rritur pushtetin e fitimtarit, por për t’i dhënë mjete dhe për ta bërë përgjegjës atë”, u shpreh Shehi. Ndërkaq, forcat politike të qendrës së djathtë mbështesin idenë e krijimit të një konfederate të djathtë ku të bëjë pjesë i gjithë ky spektër politik.

Propozimi erdhi disa ditë më parë nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ndërsa dakordësim me të kanë shprehur edhe dy parti politike të tjera, PLL dhe LZHK. Për kryetarin e LZHK, Dashamir Shehi, propozimi për konfederatën e djathtë nuk duhet paragjykuar. Sipas tij, me afrimin e zgjedhjeve, e djathta duhet të shqyrtojë të gjitha formulat e bashkëpunimit. “Duhet të përcaktohet njëherë se për çfarë kohe po projektohet. Kemi përpara një pengesë tjetër, se me çfarë ligji duhet të bëhen zgjedhjet. Formula e bashkëpunimit zgjedhor varet edhe nga ligji elektoral. Bashkëpunimi diktohet nga Kodi Elektoral, nëse do të jetë proporcional kombëtar, do të ketë elementë të mazhoritarit.

Gjithsesi në princip unë nuk dua të paragjykoj asnjë ide, përsa kohë propozimet janë në funksion të bashkëpunimit dhe mbledhjes së çdo vote të krahut të djathtë, kurdo që të zhvillohen zgjedhjet, parakohshme siç dëshirojnë disa, apo edhe në 2017-ën”, tha Shehi. Duke iu rikthyer ndryshimit të sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar, deputeti i zgjedhur nga listat e Partisë Demokratike në 2013-ën, Dashamir Shehi thekson gjithashtu se një model i tillë do t’i shkonte për shtat Konfederatës së Djathtë. “I mëshoj idesë për proporcional kombëtar që të ketë brenda edhe elementët e mazhoritarit dhe këtu elementët e Konfederatës mund të hyjnë fare mirë, të futen kryetarët në një listë dhe aty të marrim vesh sa vlejnë. Megjithatë, shqetësuese janë rregullat e lojës, nëse do ta drejtojë z.Basha konfederatën apo dikush tjetër”, tha Shehi. 
 
Fatmir Mediu: E kam diskutuar me Bashën, është dakord 
 
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur më herët për “Shqiptarja.com” se projektin e tij për Konfederatën e Djathtë e ka diskutuar edhe me kryetarin e PD, Lulzim
Basha, i cili sipas tij, në parim është shprehur dakord. Megjithatë, Mediu theksoi se janë duke u studiuar edhe forma të tjera të organizimit. “Unë ja kam shtruar idenë edhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili në parim është dakord. Megjithatë, nuk është se e kemi formalizuar, por gjithsesi jemi duke studiuar se çfarë rruge do të ndjekim. Mund të ketë edhe ide të tjera, por kjo është ideja e PR, për konferederatën e të djathtës sikundër mund të ketë edhe një ide më racionale””, u shpreh ai. 


Redasksia online
(S.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shqiptari plagos me thikë italianin, 52 vjeçari përfundon në spital

Itali/ Shqiptari plagos me thikë italianin, 52 vjeçari përfundon në spital