Dashamir Shehi shuplakë PD-së e
Berishës: Luajnë teatër më CEZ-in

Dashamir Shehi shuplakë PD-së e<br />Berishës: Luajnë teatër më CEZ-in
“Një parti që ishte direkt e interesuar për këtë hetim, siç ishte Partia Demokratike, gjysmat e votave i dha kundër, gjysmat pro. Dhe këtu mbaron ky diskutim”

“Kjo nuk është historia e parë që diskutohet dhe që ka shkaktuar jo pak ndikim në opinionin publik, pasi u bë e dhjeta herë, mbas vitit 2000 e këtej, dhe fatkeqësisht, protagonistët janë po të njëjtët persona”


Aleati i Lulzim Bashës në koalicionin opozitar, Dashamir Shehi, shprehet i zhgënjyer nga votimi i deputetëve të Partisë Demokratike në seancën plenare të së enjtes për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për hetim ndërkombëtar të aferës CEZ-DIA, ku një pjesë e tyre, përfshi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, që ishte i pari që kërkoi një hetim ndërkombëtar, nuk morën pjesë në votim.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Shqip”, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, thekson se Parlamenti u shndërrua në një teatër të turpshëm, ku partia që ishte direkt e interesuar për këtë hetim, siç ishte Partia Demokratike, gjysmat e votave i dha kundër, gjysmat pro. “E gjithë seanca, deri në fund fare që u mbyll me votimin, përfundoi në një teatër të turpshëm. E gjithë ajo zhurmë që u bë gjatë këtyre ditëve, përfundoi në atë mënyrë. Dhe më vjen keq që u bëmë të gjithë pjesë e këtij teatri”, shprehet Shehi, duke shtuar se inskenimi i seancës plenare ishte i paramenduar më përpara.

Teksa thekson se hetimi për këtë çështje mund të bëhet edhe nga drejtësia shqiptare, deputeti i opozitës shprehet me rezerva sa i përket vullnetit të politikës për të tilla hetime. Duke vijuar më tej, ai nënvizon se gjatë 10 viteve të fundit ka pasur edhe shumë ngjarje të ngjashme, ku siç thotë ai, protagonistët kryesorë janë po të njëjtët. Dhe për këtë arsye, ai shprehet se ka ardhur koha që vetë politika, përpara se të bëjë reforma të mëdha, si ajo në drejtësi, duhet të reformojë veten.

Zoti Shehi, cili është gjykimi juaj për votimin e së enjtes në Parlament të projektligjit të propozuar nga PD-ja për miratim me procedurë të përshpejtuar të një hetimi ndërkombëtar të çështjes së shumëpërfolur këto ditë CEZ-DIA?
Unë jam një prej deputetëve të Kuvendit që kemi firmosur të bëhet një hetim për këtë çështje. Mirëpo ajo vota atje nuk më pëlqeu, se ajo u bë pak si teatër dhe besoj se e kanë kuptuar të gjithë këtë. Nuk ka nevojë që t’ia shpjegojmë më njeriu këtë çështje, pasi ishte teatër i pastër. Një parti që ishte direkt e interesuar për këtë hetim, siç ishte Partia Demokratike, gjysmat e votave i dha kundër, gjysmat pro. Dhe këtu mbaron ky diskutim, pasi nuk ka më vend dhe nevojë për analizë.

Sa të sinqerta ishin palët në këtë çështje?
Unë them se kjo pala jonë, pra jona që kërkuam votat, i analizuam më lart dhe nuk ke çfarë të thuash tjetër. Pala e LSI-së, edhe me dy gjysma të ndara, duket sikur kanë ndonjë problem me njëri-tjetrin. Pra e gjithë seanca, deri në fund fare që u mbyll me votimin, përfundoi në një teatër të turpshëm. E gjithë ajo zhurmë që u bë gjatë këtyre ditëve, përfundoi në atë mënyrë. Dhe më vjen keq që u bëmë të gjithë pjesë e këtij teatri, kështu që shpresoj se gjatë këtyre ditëve, nga sot e deri te votimi normal i projektligjit, të kthjellohen disa ujëra, të qartësohemi për situatën, se po na del përditë nga një element i ri për këtë çështje dhe kur të vijë votimi normal, pasi kjo ishte vetëm për procedurë të përshpejtuar, të bëhet një zgjedhje racionale.

Vota e së enjtes, a është një paralajmërim për rrëzimin e të gjithë projektligjit kur të vijë votimi i radhës?
Këtë pjesë nuk e di. Pasi vijimi i kësaj çështjeje mund të jetë pjesë e teatrit të këtyre trekëndëshave politikë që bëhen. Por siç ta thashë, për vete ndihem pak i zhgënjyer nga kjo punë, ndihem i trishtuar, pasi në fakt u keqpërdorëm, sepse u kuptua vetvetiu që kjo gjë ishte paramenduar më përpara.

Ju si mendoni, a ka vend për një hetim ndërkombëtar për të gjithë këtë çështje?
Kjo është një temë disi e gjatë. Pasi këtu ka vend edhe për hetim kombëtar dhe nëse nuk mjaftojnë njerëzit, mjetet dhe kushtet atëherë mund të bëhet edhe ndërkombëtar. Por e rëndësishme është që të fillojë ky hetim.

A është e gatshme politika ta hapë këtë çështje?
Nuk jam i sigurt për këtë dhe ndaj e kam të pamundur të jap një përgjigje përfundimtare. Se u bënë këto 10 vitet e fundit që këta protagonistët që janë këtu, i hapin dhe i mbyllin këto çështje sipas orekseve dhe qejfeve të tyre. Dhe mendoj se për të marrë vendime të pastra dhe afatgjata, duhen njerëz të ndryshëm nga këta që na kanë qeverisur vitet e fundit. Pra, përveç reformës në drejtësi, ka ardhur koha që të reformohet e gjithë klasa politike. Sepse, kjo nuk është historia e parë që diskutohet dhe që ka shkaktuar jo pak ndikim në opinionin publik, pasi u bë e dhjeta herë, mbas vitit 2000 e këtej, dhe fatkeqësisht, protagonistët janë po të njëjtët persona. Kështu që në këtë vjeshtë ka mbaruar vetëm shtatori, do ketë ditë të tjera përpara dimrit.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Rusi/ Nis gjyqi ndaj 4 gazetarëve, akuzohen se kanë punuar për organizatën e Navalnyt

Rusi/ Nis gjyqi ndaj 4 gazetarëve, akuzohen se kanë punuar për organizatën e Navalnyt