Komuna e Ferizajt u trondit pasditen e djeshme, pasi një dasmë u kthye në tragjedi. Në oborrin e një restoranti që po mbahej një dasmë në fshatin Bibaj të Ferizajt, një person u vra nga një tjetër.
Festim Ramadani, zyrtar policor qëlloi me armë drejt një 89 vjeçari gjyshi i dhëndrit.
Viktima ështe Sadri Sadriu, 89-vjeçar, i cili u qëllua me armë zjarri jashtë oborri të një restoranti. Mediat në Kosova raportojnë se viktima është xhaxhai i Prindon Sadriut, burrit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas krimit, të cilin e kreu gjatë kohës që nuk ishte në detyrë zyrtare ai u dorëzua në Polici.
Viktima u qëllua në parkingun e lokalit ku mbahej dasma.
“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është Festim Ramadani dhe viktima është Sadri Sadriu. Motivet nuk dihen ende.”, tha policia.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu, tha për Radion Evropa e Lirë se zyrtari policor, që dyshohet se ka kryer veprën penale "vrasje e rëndë", është në ndalim prej 48-orësh.
“Motivet ende nuk dihen”, tha ajo, duke shtuar se zyrtari policor është dorëzuar vetë tek autoritetet.
Në pranga ka rënë dhe një person tjetër i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i tij.
Detaje të reja nga dasma e kthyer në mort në Ferizaj të Kosovës mbrëmjen e 16 gushtit. 89-vjeçari shkoi për gëzim në Bibaj të Ferizajt, pa e ditur që ishin momentet e fundit të jetës së tij. Viktima ishte gjyshi i dhëndrit, i cili po martohej natën që u solli zi.
I moshuari u vra pranë restorantit të dasmave në Bibaj, nga një efektiv i policisë së Kosovës por që nuk ishte në krye të detyrës,
Sipas Policisë së Kosovës, Festim Ramadani është vetëdorëzuar, dhe dyshohet se vrasjen e kreu me armën zyrtare.
“Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur pasi është qëlluar me armë zjarri. I dyshuari lidhur me rastin është një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. I dyshuari lidhur me rastin është vetëdorëzuar në stacionin policor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lidhur me ngjarjen tronditëse, është arrestuar edhe një person tjetër, i cili dyshohet për veprën “ndihmë në kryerjen e veprës penale”.
Ndërkaq, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, njoftoi se i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.
Motivet që çuan deri te ky krim i rëndë, ende janë të paqarta. Viktima Sadri Sadriu mësohet se është xhaxhai i Prindon Sadriut, burrit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas policisë dyshimet e para janë që kjo vrasje “nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme”, citon Rel.