"Dasmorët po vijnë, kujdes
Krushqit" Përgjimet ndaj policit

TIRANE-“Do të vijnë dasmorët, kujdesuni për krushqit”, janë kodet e përdorura nga polici për të njoftuar trafikantët e drogës. Grupi i trafikantëve që ra në pranga dy ditë më parë në Kurbin të cilëve iu sekuestrua në sasi të konsiderueshme kanabis.  

Sipas hetimeve ka rezultuar se në dy raste efektivi Zan Kasmi ka njoftuar trafikantët për kontrollet e policisë në zonë dhe ata kanë mundur t’i shpëtojnë arrestimit.
“Dasmorët do vijnë, kujdesuni për krushqit” ka qenë një ndër dhjetra mesazhe e telefonata që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mundur të përgjojë mes Kasmit dhe të arrestuarve të tjerë.

Ky grup i konsideruar si ndër më të mëdhenjtë në kultivimin e drogës në Malësinë e Kurbinit punonte për llogari të biznesmenit Lefter Nelaj tashmë i arrestuar.
Plot 14 operacione policore ka investuar Policia e Shtetit për të goditur grupin në të cilin efektivi Kasmi tradhëtonte kolegët e tij, ndërsa pas 5 muaj përgjime është mundur të faktohet dhe dekonspirimi i operacioneve.

Në pranga kanë rënë Lefter Nelaj, Hashim Nelaj, Elton Haxhia, Bashkim Kodra, efektivi Zan Kasmi, si dhe Sami Balloku e Aldo Xhaferri.

Gjykata e Krimeve të Rënda kanë caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 6 të ndaluarit të cilët janë nën akuzë për kultivim e trafikim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë operacionit në të cilin u prangos dhe efektivi Zan Kasmi policia e shtetit mundi të sekuestrojë 182 kg kanabis dhe 28 mijë rrënjë kanabis në proçes tharje.

Si funksiononte grupi kriminal
Mësohet se nga operacioni ne Kurbin katër trafikantë u vunë në pranga, mes tyre një inspektor policie, i cili bashkëpunontë me grupin kriminal. Të arrestuarit janë Lefter Nelaj, Hashim Nelaj, Bashkim Kodra, Elton Haxhia dhe inspektori i krimeve të rënda Zan Kasmi. Ndërkohë pjesë e këtij grupi kriminal, janë edhe Sami Balloku e Aldo Xhaferri, të arrestuar më parë.

Hetimet kanë nisur që në korrik të 2015. Pas hetimit rezultoi se grupi kriminal kishte bashkëpunimin e punonjësit të policisë Zan Kasmi, i cili i njoftonte ata nëse zhvilloheshin operacione policore anti-kanabis në atë zonë. 

Lefter Nelaj ishte koka grupit kriminal. Nga hetimer rezulton se ai ka mbjellë dhe kultivon parcela me bimë narkotike në zonën e Malësisë së Kurbinit. Mësohet se ai kultivonte kanabis edhe në ambjente të mbyllura me ndricim dhe ngrohje me llampa.

Lefter Nelaj kishte organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit. Ai kishte marrë sigurinë nga Kasmi, se nuk do të cënohet nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit. Grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit.

Ky grup kriminal është goditur në 14 raste nga policia, ku janë sekuestruar sasi të mëdha droge. Ata mësohet se janë posedues të disa parcelava të asgjesuara në Vinjoll, Selitë, Gallatë dhe në gjithë Malësinë e Kurbinit. Aktiviteti i tyre kriminal është goditur nga policia që prej 21 shtatorit deri në mbrëmjen e djeshme ku u sekuestruan 182 kg kanabis dhe ku u asgjësuan mbi 28 mijë rrënjë.

(d.b/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë