Ai thotë se ekipi po vuan largimet e shumta pas Evropianit 2016.
Në skuadër do të afrohen futbollistë të rinj, të cilët po studiohen me shumë kujdes, ndërkohë që De Biasi thekson se skuadra duhet të gjejë entuziazmin e humbur pas disfatës me Izraelin.
Tashmë jeni Kavaliere De Biasi, është një titull mjaft prestigjioz.
Po, është një titull mjaft i rëndësishëm në Republikën Italiane. Jam shumë krenar që m'u dha falë asaj që kemi bërë në Shqipëri, stafi im, unë vetë si dhe djemtë. Siç thashë dhe gjatë marrjes së titullit, falenderimin më të madh duhet ta bëj ndaj Presidentit të Republikës Italiane, si dhe ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit që më zgjodhi të drejtor skuadrën kombëtare duke më dhënë këtë mundësi. E konsideroj një bashkëpunim që i ka dhënë kënaqësi për të dyja palët dhe shpresoj të vijojë edhe në të ardhmen.
Shteti italian ju nderoi me këtë medalje vetëm pak javë përpara ndeshjes mes dy kombëtareve. Nuk mendoni se po përpiqen t'ju korruptojnë?
Sigurisht që po...
Bëj shaka...
Shteti italian ma akordoi titullin për atë që kemi bërë deri tani. Shpresoj që nga tani të fitojmë të gjitha ndeshjet e Italia të më japë një tjetër medalje pasi të kualifikohemi në botëror. Në fakt është një synim shumë i vështirë, por gjërat e vështira mbeten gjithnjë të tilla përpara se të bëhen të lehta, e përpara se t'ia dalësh për t'i realizuar. Në fakt besoj që nëse në jetë mbetesh gjithnjë i thjeshtë, e nuk i thua kurrë vetes që arrite gjithçka, ke gjithnjë vend për arritje të reja.
Të flasim pak për futboll, veçanërisht kur jemi shumë pranë ndeshjes mjaft të rëndësishme kundër Italisë, çfarë mendoni?
Në fakt ka ende kohë për të arritur te ndeshja, kemi përpara edhe 6 ndeshje në kampionat. Në ndeshjen kundër Italisë mund të ndodhë gjithçka. Por na duhet të mbajmë parasysh që sot nuk kemi më në skuadër një numër të madh futbollistësh që kishim në Evropian. Dhe kjo nuk na jep përparësi. nga ana tjetër duhet të gjejmë entuziazmin e dëshirën për të fituar, të cilën për fat të keq e humbëm pas humbjes kundër Izraelit.
Po studioni futbollistë të rinj?
Po studiojmë një numër të madh lojtarësh, ashtu si po mendojmë që me ta të ndryshojmë edhe mënyrën e lojës. Jemi vazhdimisht në lëvizje, pasi unë edhe kur nuk flas nëpër media,komunikoj me futbollistët, i ndjek, dëgjoj ç’kanë për të më thënë. Është shumë e rëndësishme të jenë gjatë gjithë kohës të përqendruar e të motivuar, sepse skuadra kombëtare për ne është diçka shumë e rëndësishme.
Si ndiheni me këtë skuadër të re, të cilën po e ngrini dhe po e strukturoni thuajse nga e para?
Unë përpiqem të mos ndalem për asnjë moment, të shoh përpara e t'i them vetes që gjerat në jetë mund të ndryshojnë nëse ekziston vullneti për ta bërë këtë. Ne kemi përpara një pengesë shumë të madhe, por si gjithçka tjetër, mund të zgjidhet me impenjim maksimal, si dhe vetëdije se asgjë nuk është e lehtë. Duhet impenjim i plotë për të zgjidhur një përballje kaq të vështirë.
Kavaliere de Biasi, ju falenderoj e ju urojmë fat.
Fat të mirë për të gjithë ne, pasi kemi nevojë. Faleminderit!
(Gianni De Biasi gjatë intervistës për Report TV. Foto Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com)
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com