Debate në kryesinë e PD në Kavajë
 Gjysma s’ka votuar kandidatin e PD

Debate në kryesinë e PD në Kavajë<br /> Gjysma s’ka votuar kandidatin e PD
Mbledhja e sotme e kryesisë së degës së Partisë Demokratike në Kavajë me rend dite analizën e humbjes së zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, është përfshirë nga debate të ashpra mes anëtarëve të kryesisë. Në prani të kryetarit të grupit të punës për zgjedhjet vendore, deputetit Eduard Halimi dhe të dërguarit nga kryesia për analizën, nënkryetarit të PD, Edmond Spaho, anëtarët e kryesisë kanë bërë përgjegjës njëri-tjetrin për humbjen e 21 qershorit. Kryetari i degës së PD, Engjëll Cara, i cili njëherazi ishte edhe kandidati i koalicionit të djathtë për Bashkinë e Kavajës, ka deklaruar përpara anëtarëve të kryesisë, se humbja erdhi si rrjedhojë e presionit shtetëror mbi qytetarët e thjeshtë dhe punonjësit e administratës.

Në fjalën e tij, Cara s’ka lënë pa përmendur edhe problemet e brendshme brenda degës së PD, por ka theksuar se përballë presionit të pushtetit dhe kërcënimit të vetë Edi Ramës, bashkë me kandidatin e majtë, dega lokale e PD s’mund të bënte asgjë më tepër. Por, dakordësi me raportin e kryetarit të degës lokale s’kanë patur të gjithë anëtarët e kryesisë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se ka patur akuza të ndërsjella mes vetë drejtuesve të strukturave se në 21 qershor s’kanë votuar Partinë Demokratike dhe kandidatin e saj, Cara.

“Gjysma e anëtarëve të kryesisë këtu nuk kanë votuar Partinë Demokratike dhe kandidatin e saj, Engjëll Cara. Se për kë kanë punuar dhe se kë kanë votuar, atë nuk e di”, mësohet të jetë shprehur një prej drejtuesve të departamenteve të degës lokale të PD në Kavajë. Ky moment ka shkaktuar tensione në sallë, çka ka bërë që të ndërhyjë nënkryetari i PD, Edmond Spaho, si drejtues i analizës, i cili ka theksuar se çdo shqetësim do të përfshihet në raportin përmbyllës të kryesisë lokale, dokument i cili i përcillet selisë qendrore të Partisë Demokratike pas çdo mbledhje në degë. Në përfundim të takimit, kryesia e degës së PD në Kavajë nuk ka vendosur për reformim të strukturave, duke pritur zgjedhjet për Forumin Rinor.    
 
 
Engjëll Cara
 
Strukturat me probleme, humbëm prej etalonit të krimit
 
Për kryetarin e degës së Partisë Demokratike në Kavajë, njëherazi ish kandidat i koalicionit “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” për bashkinë e Kavajës, Engjëll Cara shkaqet e humbjes nuk janë vetëm problemet e strukturave, por edhe përballja me makinerinë e pushtetit. Gjatë një prononcimi për “Shqiptarja.com”, Cara u shpreh se në 21 qershor, Kavaja kishte etalonin e krimit të Edi Ramës, duke akuzuar indirekt kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi. “Në Kavajë nuk pati zgjedhje. Kavaja në 21 qershor kishte etalonin e krimit të Edi Ramës. Ne kishim përballë të gjithë makinerinë e pushtetit, kishim përballë një etalon të tërë të krimit të organizuar që bleu votat, shantazhoi qytetarët dhe kërcënoi punonjësit e administratës. Pavarësisht problemeve tona, edhe sikur i gjithë populli i Kavajës të ngrihej në këmbë, vota do të lexohej siç do të dëshironte Edi Rama”, u shpreh Cara. Ai theksoi se dega e PD-së në Kavajë po përgatiten për zgjedhje të parakohshme, pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim për tentativë vrasje, 48 vjecari arrestohet teksa po tentonte të ikte nga Morina (EMRI)

Në kërkim për tentativë vrasje, 48 vjecari arrestohet teksa po tentonte të ikte nga Morina (EMRI)