TIRANE -  Bizesi fason nuk do të paguajë tarifën prej 22 euro për skanimin si në importin por edhe për eksportin e produkteve. Ndryshimi në ligj është miratuar nga Komisioni i Ekonomisë. Sipas ministrit të Financave Shkëlqim Cani në total janë mbi 150 mijë deklarata doganore që do të përjashtohen, me një lehtësim total për biznesin prej 4 milionë euro, të cilat do të përballohen nga buxheti.

Ndërkohë Ministri Shkëlqim Cani është vënë në qendër të kritikave të deputetëve të mazhorancës dhe opozitës lidhur me ndëshkimet ndaj biznesit të vogël dhe favorizimin e biznesit të madh. Kritika pati edhe në lidhje me koncesionet ku sipas Erion Braçes 49 % të aksioneve të një biznesi prej 360 mln eurosh minimum, jena shitur për 490 lekë të reja.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se me ndryshimet në marrëveshjen me Rapiscan synohet që t’i vihet në ndihmë biznesit. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë Cani nënvizoi se për të njëjtin mall të paguhet vetëm 1 herë ndërsa shtoi se fasonët janë përjashtuar nga skanimi.

 “Me ndryshimet synojmë t’i vijmë në ndihmë biznesit. Me anë të marrëveshjes, për të njëjtin mall të paguhet vetëm një herë. Gjithashtu kemi përjashtuar plotësisht nga skanimi fasonët. Aktualisht ka filluar skanimi në Durrës dhe Gjirokastër. Në Durrës skanimi nuk kryhet 100% pasi ka fluks të hyrje e daljeve”, u shpreh Cani.

Redaksia Online
(o.m/shqiptarja.com)