Debate për furgonat, Rama:
Latë vendin si Bangladesh

TIRANE- Shqetësimi i shoferëve të automjeteve të transportit 8+1 vëndësh pas urdhrit të ministrit të Brendshëm dhe atij të Transportit kaloi edhe në sallën e Parlamentit, ku kryeministri Edi Rama ka sqaruar udhëzimin si dhe zbatimin e tij të automjetet pa licensë. “Ata pa liçensë kurdo ku do kapen do të ndërshkohen sipas ligjit.

Ata me liçencë do t'ju jepet kohë që të bëjnë një zgjedhje në rastin kur duan të bëjnë shërbimin taksi, jo shërbim urban të qyteteve. Do përmbushin standartet siç janë në të gjithë Europën ku duam të integrohemi. Cilën rrugëdalje tregoni ju, që ndërkohë dilni e mallkoni qeverinë për çdo aksident në rrugët që keni lënë rrugëve?! Zero, zero, argumenta.

Madje as logjikë. Krijuat një sistem transporti publik sikur të ishte Shqipëria një periferi jashtë kontrolli e Bangladeshit”, tha Rama. Kreu i qeverisë e lidhi mbështetjen e demokratëve ndaj protestës së furgonëve me mitingun anti qeveritar të 20 shkurtit në kryqytet. Në kundërpërgjigje kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka reagoi nëpërmjet batutave dhe fyerjeve. “Ndodh aksident me furgon këta dalin thonë do bllokojmë furgonat. Ndodhi dje aksident me Benz, do dalin nesër të bllokojnë Benzat? Kështu është logjika e kryeministër Adhamudhit. Unë po u citojë një filozof më të madh këtyre.

Shoku Mao Ce Duni ka thënë “Bajga është më e vlefshme se dogma, pasi bajga të paktën bëhet pleh”, tha ai. Ndërkohë që ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri sqaroi udhëzimin. “Nuk mund të pranojmë që të këto mjete të transportit ndërqytetas që nuk përmbushin asnjë kriter qoftë si ai mjeti në Kukës që u përplas për shkak të mospërmbushjes të kushteve të sigurisë, e pra kjo është çështja këtë duam të adresojmë, ju mund të ftoni këdo në problem kjo nuk ka lidhje por ama hapni sytë dhe bëni ç’është e mundur aq pak sa të mundeni në kapacitetin tuaj si opozitë për t’u bashkuar me shoqërinë për të garantuar sigurinë e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Ne jemi shumë të vendosur bashkë me ministrin e Transportit kemi ftuar përfaqësitë e operatorëve të ligjshëm në takim, dhe bashkë me t’a do ndërtojmë modelin e ri të transportit ndërqytetas”, tha Tahiri.

Braçe për udhëzimin e Berishës
Deputeti socialist Erjon Braçe sqaroi rregullat për furgonat që sipas tij i kanë nxjerrë dy ish-ministra të Berishës. “Këto janë dy urdhra të ish Ministrit të  Transportit të Qeverisë Berisha; I pari i 2007-tës që përcakton: Numri i taksive 4+1 eshte 1 per 1000 banore; Numri i taksive 8+1 eshte sa 50% e numrit te taksive 4+1. I dyti i 2008-tës që përcakton: Numri i taksive 4+1 ishti i pa kufizuar; Numri i taksive 8+1 është sa 10% e numrit të taksive 4+1. Numri i Përgjithshëm i taksive 4+1 është 3739. Sipas udhëzimit të Qeverisë së Sali Berishës numri i taksive 8+1 duhet të jetë vetëm: 373 taksi”, tha Braçe.
 
Shkelet me dy këmbë Rregullorja e Kuvendit
Seanca e djeshme pleare u karakterizua nga një shkelje e vazhdueshme e Rregullores së Kuvendit. Që në fillim të seancës, deputetët e opozitës ishin rregjistruar për të diskutuar mbi rendin e ditës, por që vetëm për atë nuk diskutuan. Raste të tilla ishin fjalimet e Berishës, Topallit, Carës, Elmazit etj, të cilët akuzonin në mënyrë të vazhdueshme qeverinë, por duke mos diskutuar mbi çështjet që ishin në rendin e ditës.

Konkretisht Rregullorja e Kuvendit përcakton se deputetët kanë të drejtë të diskutojnë 60 minuta për çështjet jashtë rendit të ditës pas përfundimi të shqyrtimit të projektiligjeve. Krahas kësaj, në rregullore është përcaktuar edhe minutazhi për fjalën e diskutantëve të cilët shpesh herë nuk u rrespektuan ku shembull konkret ishte Sali Berisha foli më shumë edhe se vetë kryeministri.

Replika për rrugët
Berisha: Të majtët të çojnë në katastrofë. Noka-Braçe ironi për burrërinë
 Doda: Zëvendësimi i mandateve të grave në parlament shkel kushtetuën. Çurçili thoshte dikur: Socialistët janë si Kolombi, nisen pa ditur se ku, dhe kur arrijnë prishin paratë e të tjerëve. Një rekord që do ua kishte zili Hugo Çavez. Keni premtuar shëndetësi falas dhe nuk keni bërë asnjë hap për këtë, veç një tenderi tjetër për Ministrin e Shëndetësisë. Z.Kryeministër jepni dorëheqjen

Boçi: Rama po kërkon të shesë autobusin e tij të Rilindjes me këtë nismën e tij për të bllokuar furgonat. Po i heq njerëzit njëherë nga puna në administratë, po i heq nga vetëpunësimi me furgona dhe sot po i vjedh edhe atë çfarë është më e rëndësishme, kohën e tyre.
Rama:Kur kërkoni llogari këtu duhet të ktheni kokën prapa e të shikoni çfarë keni bërë për 8 vite; dhe rasti i transportit publik është shëmbulli më i qartë për katrahurën në të cilën e keni çuar këtë shërbim. Gjatë 8 viteve të qeverisjes tuaj, pra nga viti 2005 deri në vitin 2013-të të vrarët nga rrugët janë 2952 veta, pa përmendur këtu me mijëra të plagosur nga aksidentet. Dhe çfarë keni thënë ju për këtë: rrugë, rrugë dhe vetëm rrugë.

Turku: Meqë po flet për rrugë zotëria jote, pse nuk flet për Bulevardin Zogu i Parë që ndërtove kur ishe në Bashki? Na thuaj çfarë bërë ti zotëri në Tiranë, pastaj bëj bilancet tona.
Rama-Topallit: Ti prit se do rilindësh kur të vijë ai që ke në krah, ne rilindjen e kemi më afatgjatë se ti. E mbani mend Tiranën e vitit 2000?
Topalli: Ore po nuk je kryetar bashkie, ftillohu.
Rama: Çdo furgon 8+1 që shkon në një qytet, s’duhet të marrë me vete pasagjerë mbrapsht, pasi shkel njërën pikë të liçencës. Pasi ky s’është shërbim urban, por shërbim taksi. Prandaj duhet të riorganizohet ky sistem. Ata pa liçencë do ndëshkohen sipas ligjit, por ju doni t’i përdorni ata mish për top.

Paloka: Ndodh aksident me furgon këta dalin thonë do bllokojmë furgonat. Ndodhi dje aksident me Benz, do dalin nesër të bllokojnë Benzat? Kështu është logjikz e kryeministër Adhamudhit. Meq e e keni qejf dhe ka qejf dhe këta filozofët e së majtës, miqtë e Salinit, unë po u citojë një filozof më të madh këtyre. Shoku Mao Ce Duni ka thënë “bajga është më e vlefshme se dogma, pasi bajga të paktën bëhet pleh.

Rama: Burimi i citatit të Mao Ce Dunit është dikush tjetër dhe mbi këtë citat është ngritur dhe qenia e këtij që foli para meje.
Berisha: I nderuar bashkëkryetar i mazhorancës së 1 Prillit, që u themelua në 100 vjetorin e pushtimit të Shkodrës nga forcat sllave dhe ju zgjodhët pikërisht atë qytet për të hedhur firmat. Çurçili thotë: Të majtët me fjalë të marra të çojnë në katastrofë. Komunistët çojnë edhe në dhunë. Krimi ekonomik është ai i karroatrecave. A e dini ju se, Olsi që u vra u mor në telefon badigardi i ministrit. Momentin kur e kapën plumbat ai po fliste me truprojën e ortakut të tij.

Manja: Tani duke dëgjuar refrenin tënd të mashtrimeve ordinere, bindem se Enver Hoxha me ty e ca të tjerë ndërtoi pemën e mashtrimit për 40 vite. Ti dhe familja jote notoni në haram dhe duket se ka ardhur koha ti lani pak e nga pak. Vdekja ka mijëra dyer për tu larguar nga kjo botë edhe për mua do të ketë një rrugë, por unë do të ik nga kjo botë si njeri dhe jo si mashtrues ordiner që i ka të lara duart me gjak.

Tahiri: Ju ftoj dhe ju sfidoj që të vini këtu dhe më thoni emrat e 51 të vrarëve. Hajdeni ju dhe më numëroni emrat e 21 të vrarëve, ose ikni si gënjeshtar nga ky Parlament.
Bregu: Tani që shkëlqesia e tij kryeministri është larguar për drekë tek klubi i Ashikut, a ka mundësi ta ndërprisni seancën pasi ministri s’është, kryeministri i gjithëditur nuk është, vetë mazhoranca nuk është, atëherë nuk ka kuptim që ta vazhdojmë këtë seancë.

Berisha: Dua të falenderoj zotin Peleshi që nxorri para korçarëve veten. Ky foli nga ana e pasme e hënës, foli nga ajo Shqipëri ku nuk ekziston askund veç në kokën e Edi Ramës. Janë veç dy komuna ku nuk ka rrugë të asfaltuara në fshatra. Kalojmë tek ky miku i bandave. Ka shumë mundësi dhe se përjashtoj,sepse komunikatat e policisë nuk i diskutoj.

Topalli: Një kryeministër që foli shatra parta më shumë se 30 minuta vetëm këtu kam parë. Më bën përshtypje më shumë dhe se di në ka vend tjetër ku që ministri i Brendshëm flet për transportin dhe kryeministri për inovacionin e udhëtarëve.
Brace: Flamur ta provojë ty dhe gjithkujt si ty burrërinë, por kam hall se do ankohesh për ndonjë gjë tjetër. Z. Dule duhet të marrë fund kjo historia e mbrotjes së krimit në Parlament.

Noka: Nuk kam ndërmend të flas për çështje burrërie me Erjonin se nuk ia vlen, por do them që bravo Erjon se sot i ke larë sytë dhe duart me sarinë.
Berisha: Qytetarët po numërojnë orët për 20 shkurtin

Balla: Sali Berisha në këtë çështje është gjetur fajtor, për mbajtjen peng të kësaj kontrate dhe më e turpshme se kjo është fakti se për hatër të të birit, të lidhur pikërisht në këtë biznes, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendin më të rëndësishëm në Evropë, Gjermaninë, u vunë në rrezik dhe sot duhet ti vij turp dhe jo të vijë këtu e të na flas për lloje e lloje gënjeshtrash pa fund. Keni katër vjet që e mbajtët peng, 3 muaj iu deshën kësaj qeverie për të ribërë tenderin dhe për ta çuar përpara.


Shkrimi u publikua sot (14.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Afera Partizani/ Iu refuzua shfuqizimi i masës së sigurisë, Kushtetuesja zbardh vendimin për Jamarbër Malltezin

Afera Partizani/ Iu refuzua shfuqizimi i masës së sigurisë, Kushtetuesja zbardh vendimin për Jamarbër Malltezin