Komisioni i Sigurisë Kombëtare është përfshirë nga debatet sot pas diskutimit për krimin e organizuar, drogën dhe dhunën në familje gjatë raportimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato.
Deputeti i PD, Flamur Noka ka lëshuar akuza të forta në drejtim të policisë së shtetit, ndërsa sipas tij, Shqipëria është vend transit për drogën.
“Një Shqipëri që është vend transit i drogave të forta, nuk mund të ketë polici të besueshme.
Drejtues të lartë të policisë janë të përfshirë në trafikun e kanabisit. Ndërsa drejtues policie janë të larguar me kërkesë të ambasadës amerikane.
Nëse do vazhdoni ta mbani policinë në lidhje me krimin, do ta degradoni dhe kalbeni. Në 4 vitet që shkuan nuk u fol gjë tjetër vetëm për drogën.
Ato që thashë nuk bazohen në hamendje. Deklaratat e prokurorisë dhe informacionet e shërbimit sekret flasin për përfshirjen e zyrtarëve të policisë së shtetit janë të lidhur me drogën.
Partnerët ndërkombëtarë sidomos ata amerikane e kanë evidentuar këtë” deklaroi Noka.
Për zbulimin e grupeve të strukturuara kriminale në vend ka kërkuar informacion edhe deputeti i djathtë Ervin Salianji.
Ndërsa, deputeti i LSI, Endrit Brahimllari ka ngritur pyetjen se cfarë masash po merren nga policia për dhunën në familje, nisur nga rastet e fundit.
Qato ka deklaruar se “po analizojmë rastet dhe po studiojmë ndërhyrjen. Nuk mjafton policia. Duhet dhe partneritet mes aktoreve të tjerë”.