“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme.
Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim” - deklaroi Kryetari i LSI-së.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari theksoi në fjalën e tij se kolegjialiteti në vendimmarrje është garanci për realizimin e reformave.
“Vendimet nuk mund të merren vetëm, vendimet e mëdha merren në bashkëpunim të plotë.
Vendi nuk ka nevojë për arrogancë, por ka nevojë për më shumë punë, ka nevojë për shërbim dhe ne jemi të bindur se mund ta bëjmë këtë gjë”, - tha Braimllari.
Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha në fjalën e saj tha se i gjithë procesi zgjedhor është bërë në bazë të konkurrencës dhe të transparencës.
“I gjithë procesi zgjedhor në Njësinë 5, por edhe në të gjithë të Tiranës është bërë në bazë të konkurrencës dhe të transparencës që janë dy cilësi shumë të rëndësishme, pjesë e LSI-së. Jam e bindur që i gjithë mesazhi politik që do të përcillni, jo vetëm në këtë sallë, por edhe jashtë kësaj salle, do të jetë pikërisht fryma konstruktive që LSI përcjell, fryma e ndihmës që ne i japin qytetarëve shqiptar, i qëndrimit pranë të problemeve që ata kanë dhe ky është mesazhi dhe thelbi me të cilën u krijua LSI-ja”, - u shpreh Gjosha para strukturave të Njësisë 5.
Debati në koalicionin PS -LSI nisi pas deklaratës së ministrit të Mjedisit, Lefter Koka para dy ditësh ku kritikoi kryebashkiakun e Durrësit dhe u shpreh se zgjedhjet parlamentare janë në rrezik nga policia.
Por pas deklaratës së tij dhe Petrit Vasilit, reagoi kryeministri Rama, i cili duke komentuar anketimin për Policinë e Shtetit nga IDRA adresoi një mesazh për kritiket ndaj punës së policisë.
‘Pas anketimit të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, POLICIA E SHTETIT konfirmohet përsëri si institucioni më i besuar i shqiptarëve në Indeksin e Besimit tek Institucionet.
Shqipëria e Gjeneratës Tjetër. Qentë Le Të Lehin Karvani do Ecë Përpara”, shkroi Rama.
Ndërkohë që debati vijoi me akuza dhe kundër akuza mes Vangjel Tavos dhe Vladimir Kostës.
Por deklarata e kreut të LSI, Ilir Meta ditën e sotme duket se i vendos kapakun debatit, pasi bën thirrje për ndalur retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese.
dy.b/shqiptarja.com