Debatet për Byronë, Topalli irritohet
me Bashën ...por s'braktis Berishën!

Debatet për Byronë, Topalli irritohet<br />me Bashën ...por s'braktis Berishën!
TIRANE - Mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar demokrat ka zgjatur të paktën 120 minuta ku nuk kanë munguar edhe debatet mes deputetëve dhe kryetarit Lulzim Basha. Deputetët kanë ngritur shqetësimin për mënyrën se si janë zhvilluar negociatat me maxhorancën për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
 
Burime për Report TV thanë se shqetësim për këtë situatë ka shfaqur deputeti Eduart Selami i cili i ka kërkuar Bashës shpjegime për këto negociata edhe rolin e ndërkombëtarëve duke iu referuar këtu edhe eksperiencës së tij personale dhe njohjeve që ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë drejtim Selami ka kërkuar që përpara se të shpaloset qëndrimi publik i kryetarit për këtë çështje apo çështje të tjera sensitive kjo të diskutohet me grupin parlamentar e më pas të bëhet publike në media.
 
Për këtë çështje Basha mësohet të ketë thënë se qëndrimin në grup e diskuton paraprakisht me kryesinë e vogël të grupit ndërsa më pas bëhet publik edhe për shqiptarët.
 
Në këtë debat ka ndërhyrë ish-kryeministri Sali Berisha i cili ka folur për negociatat që janë bërë edhe me ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe mbështetjen që ata kanë dhënë për qëndrimin e opozitës, që i referohet Komisionit të Venecias për këtë çështje.
 
Sipas të njëjtave burime konfirmohet se Berisha ka folur për idenë që është diskutuar me ambasadorët për ngritjen fillimisht të Byrosë Kombëtare të Hetimit e më pas të bëhet reforma në drejtësi me të gjithë komponentët e saj. Pas këtij diskutimi Basha ka kërkuar lejen të largohet për një tjetër takim me ambasadorët në vend, ndërsa kjo është kundërshtuar nga deputetët Arben Imami dhe Jozefina Topalli të cilët mësohet të kenë thënë se nuk mund të zhvillohet mbledhja pa praninë e kryetarit.
 
Me largimin nga salla të kryetarit Basha, është larguar dhe deputeti Imami ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit është ulur sërish pasi ka parë qëndrimin e Berishës i cili vendosi të qëndrojë në mbledhjen që u drejtua më pas nga Edmond Spaho.

Ja debati Imami-Selami-Basha-Topalli

Basha:
Ju kërkoj ndjesë se dua të largohem për një tejtër takim të rëndësishëm

Arben Imami:  Nuk mund të vijojë mbledhja e grupit pa qënë kryetari i pranishëm (Ngrihet nga karrikja për tu larguar)
 
Njëkohësisht reagon Jozefina Topalli-Bashës:
Nuk mund të lvijojë mbledhja pa kryetarin dhe (ngrihet për tu larguar)
 
Largohet Basha më pas edhe Arben Imami. Topalli sheh reagimin e Berishës dhe ulet sërish ën tavolinë për të ndjekur  mbledhjen

Zbardhen debatet në mbledhjen e grupit të PD
 
Eduard Selami: Duhet të jemi serioz në qëndrimet që kemi për Reformën në Drejtësi dhe Byronë e Hetimit. Qëndrimi i PD deri tani është i paqartë dhe i luhatur. Duhet të respektosh grupin, pasi në mbledhjet e grupit ka mungesë transparence. Ju z.Kryetar na mblidhni për të na thënë se çfarë do të deklarosh pas mbledhjes.
 
Lulzim Basha: Çdo vendim i PD është diskutuar në mbledhjet e grupit.
 
Eduard Selami: Na thua do të largohet Ilir Meta dhe nuk ndodh asgjë. Ju i lini betejat përgjysmë.
 
Lulzim Basha: Z.Selami, asnjë betejë nuk e kam lënë dhe as nuk e kemi lënë dhe unë vazhdoj të jem në krye të detyrës.
 
Eduard Selami: Ne nuk mund të kemi tre ose 4 qëndrime të ndryshme për Reformën në Drejtësi e Byronë Kombëtare të Hetimit. Ndërkohë që ju nuk mund të deklaroni qëndrimin e PD-së për mediat pa e diskutuar në forumet e partisë dhe në grupin parlamentar. Çfarë kuptimi ka të diskutojmë tani në grup parlamentar ndërkohë që e lexove deklaratën në media?!
 
Arben Imami: Sigurisht që janë shqetësuese qëndrimet e ndryshuara të PD-së për çështjet themelore si dhe konstatoj diskutime të munguara nëpër forume.
 
Lulzim Basha: Për çdo çështje, për çdo vendim kanë qenë dhe janë forumet e partisë që kanë vendosur. Çdo çështje është diskutuar në këtë sallë nga grupi parlamentar.
 
Eduard Selami: Pse fillojmë gjithmonë me vonesë mbledhjen… pse duhet të presim gjithmonë me minuta e ndoshta me orë për të nisur mbledhja?
 
Lulzim Basha: Prita që të vinin të gjithë deputetët, pastaj të fillonte mbledhja.  
 
Eduard Selami: Edhe në mbledhjet e tjera s’keni qenë korrekt. Duhet më shumë seriozitet dhe korrektësi ndaj grupit parlamentar.
 
Lulzim Basha: Për çështjen e orarit duhet të respektojmë edhe televizionet që transmetojnë live. Prandaj mbledhjet nisin me disa minuta vonesë.
 
Lulzim Basha: Më falni, por me duhet të largohem për shkak të një takimi shumë të rëndësishëm. Mbledhjen do ta drejtojë z.Spaho, do t’ju informojë ai për më tej.
 
Arben Imami: S’ka kuptim të vazhdojë mbledhja pa kryetarin?
(Ngrihet dhe del nga mbledhja)
 
Jozefina Topalli: Ç’është kjo punë tani. Mbledhjen e grupit e drejton kryetari i partisë...Si mund të ikë kështu?! S’kemi pse të rrimë më... (Topalli ngrihet nga karrigia).
 
Sali Berisha: Jozefinë, ulu!
 
(Topalli ulet)
 



Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois