Pra! Ne, sipas logjikës së Z.Ciko, duhet që të banojmë në llumin e kënetës, ashtu siç ngjala bën??? Apo kulturën e gënjeshtërt!!! Absolutisht që jo!
Personalisht unë si Rudi, nuk kam ndërmend që të ndjek, apo të komentoj ndjesitë, qëllimet, apo interesat e ndonjë "Peshkatari ngjalash", kur shkon për të peshkuar, por në këtë shkrim timin, dua t’u bëj me dije të gjithë instancave përkatëse dhe të gjithë artistëve, dhe Shoqërisë sonë, se cilët jemi Ne, (ato, apo këta.. siç shkruan i nderuari në fjalë), çfarë përfaqësojmë Ne, dhe së fundmi çfarë dëshirojmë dhe kërkojmë Ne, që sipas Z.Zhani Ciko qenkemi "No Name"!???
Mjafton të lexosh paragrafin e fundit të intervistës së Z.Ciko, ku thotë: Unë s'kam pasur ndonjë arsye që të jap dorëheqjen, përkundrazi, kam ambiciet e mia që mos ta lë Teatrin në disa duar që shihet që tani, se ku do ta çojnë! Unë uroj, që asnjëherë teatri, megjithë meritat profesionale që kanë të mos bjerë kurrë në këto duar, se do ishte një ulje e nivelit!
Kush jemi Ne? Ku do ta çojmë Ne teatrin, Z.Ciko? Ç’kuptoni Ju, kur thoni "ulje niveli"?
Atëherë po ju kujtoj se: Çdo Histori, ka ngjarjet e veta, dhe normalisht që ngjarjet kanë data dhe personazhe. Prandaj po u drejtohem miqve te mi, artdashësve të Operas, si dhe asaj pjese të shoqërisë që nuk u përkasin atyre "sahan-lëpirësve", servilëve politikë, produkteve të politikës së vjetër, atyre që nuk kanë lidhje fare me personazhin e Tano Karidit te filmi "Comisare Catani", se Ne jemi në rradhë të parë Qytetarë të ndershëm të këtij kombi, me nacionalitetin shqiptar, jemi artistë të formuar nga kultura të shkollave perëndimore etj.
I nderuar lexues! Më lejoni të bëj një retrospektivë dhe të shkojmë pak vite mbrapa, në 2008-tën! Ishte pikërisht kjo periudhe kur vetë Z.Ciko e ka quajtur si "periudhën më të vështirë të tijën, 'por dhe për Komunitetin.
Çfarë ndodhi atëherë? Ministria e Kulturës në atë kohë kërkoi që me anë të një projekt-ligji, dhe projekt-drafti, të bënte një reformë, por që u rrëzua nga Komuniteti, si dhe nga disa persona të cilët u prononcuan mediatikisht edhe institucionalisht kundër Ministrisë (së asaj kohe). Dua t’i kujtoj Z.Ciko se kur unë shkruaja personalisht, juve krenoheshit për shkrimet e mia (duke i quajtur ato si editoriale), si dhe duke thënë gjithandej se Rudi është një djalë me integritet moral dhe artistik të lartë. Isha pikërisht unë personalisht që kam bërë gjithë analizën e situatës së operas(kur koka juaj ishte vënë në satër), dhe kam folur me Z.Arben Imami që në atë kohë ishte Shef kabineti në Kryeministri, dhe gjej rastin për ta falënderuar për dëshirën që pati për të më dëgjuar. Mbas kësaj furtune, unë bashkë me mikun tim Ylber Gjinin, i kemi kërkuar Z.Cikos që tani kemi kohën dhe momentin që të bëjmë një Institucion me ligje, dhe me rregulla loje siç i ka Europa! Përgjigjja e tij ishte që: PO, patjetër që do ta bëjmë! Por çfarë ndodhi? Ndodhi ajo që ky person "NA PREU NE BESE". Për dijeni për lexuesin! Gjithmonë në kokën time një nga dëshirat e mia është që: te kemi ligje që garantojnë demokracinë e brendshme institucionale, që të garantojnë konkurrencën dhe shanse të barabarta, që garantojnë ndarje dhe autonomi pushtetesh, që luftojnë korrupsionin dhe që garantojnë transparencën, apo që mbrojnë vlerat dhe kontributet e komunitetit!
Për mua "qeverisja në një sistem demokratik është mandat, si dhe vendimarrja në shoqëri të lirë dhe të civilizuar është "kolegjiale" dhe jo "unilaterale". Asnjë nga premtimet që na bëri ky person nuk u realizuan, përkundrazi, ai nuk i bëri gjë tjetër veçse "glorifikoi" vetveten, duke instaluar idenë se jam pikërisht unë dhe asnjë tjetër! Po çfarë ofruat Ju? Dhe çfarë afrojmë NE (ata, sipas jush)? Ajo që bën diferencën ndërmjet nesh me Ju, është se Ju i afruat Institucionit një Statut që flet nga fillimi deri në fund vetëm për veten tuaj,(me koncepte të frymës totalitare, tipike shqiptare) ndërsa NE (niveli i ulet) sipas jush gjithmonë, Ligjin e Bashkimit Europian, (plot 600 faqe).
Një pyetje për lexuesin! A më mirë një ligj që e bën (një njeri i vetëm) apo një ligj që e ka bërë bota e qytetëruar europiane me 200 vjet eksperiencë institucionale? Pikërisht këtë kërkojmë NE..! Po pse nuk duan këta, ose ky?
Mendoj se përgjigjja është fare e thjeshtë për t’u kuptuar. Pra po të shkojmë në MTKRS dhe të pyesim se si u bë drejtor, filani, normalisht nuk ka përgjigje, (duhet pyetur ish-kryeministri Z/Fatos Nano), që normalisht çdo titullar që vjen duhet të vijë mbas një konkursi, i cili mbështetet vetëm mbi vlerat profesionale dhe jo ato politike, nga meritokracia dhe jo nga klientelizmi, dhe duke dorëzuar një plan strategjik ku pasqyrohen të gjitha politikat artistike të këtij institucioni! Aktualisht është bërë kjo? Me sa di une JO, ndërsa NE (populli) e kemi, dhe jo vetëm që e kemi por themi dhe këtë që: Institucionet duhet të flasin vetëm nëpërmjet ligjit (ku të gjithë të jenë të barabartë) dhe ku titullari të jetë vetëm një "ekzekutues i ligjit". Pra për ti dhënë fund njëherë e përgjithmonë frikës se "kë drejtor do sjellin" apo cili Ministër erdhi! Sa për punën e asaj frikës se (ne jemi drejtoria në hije) sipas jush, sinqerisht ta kemi falur krejt ore zotëri atë drejtori, se jemi artistë të skenës e jo aparatçik!
Ju Z.Ciko i jeni drejtuar zotit Rama publikisht, ‘mos u merrni me shpifje, por tregoni fakte dhe dokumente! Shumë e drejtë, por ashtu siç ju i kërkoni zotit Rama fakte, ashtu dhe unë do ju kërkoja të na tregonit konkretisht se si Ju keni të drejtën Ligjore të jeni "kryetar Bordi" kur ju jeni njëkohësisht edhe Titullar??? Në cilin ligj, apo nen është? Apo mesa duket Ju keni dëshirën që NE të pranojmë teorinë e Kreidbeg-ut që thotë në lidhje me "kulturën e gënjeshtërt".
Po në lidhje me atë që Kryeministri ynë thotë se: Transparenca është normë institucionale, çfarë do t’i thoni Ju Kryeministrit që siç e keni pranuar edhe vetë te ‘Shqiptarja.com’ në lidhje me "shpërblimet që i jepni artisteve të huaj Cash, në dorë" sepse i bie ditë e diel dhe bankat janë të mbyllura? E çuditshme, se si ka mundësi që rastiskërka gjithmonë e diel? Po ku është dokumenti që Ministria e Financave jua paska dhënë të drejtën për t’i paguar "cash" në dorë?
Sa mirë ja qani hallin artistëve të huaj në lidhje me tatimet? Po për artistët shqiptarë pse nuk bisedon me M.Financave, për t’i hequr TVSH-në (se nuk iu ngelet gjë?). Pra! Kur Artistët shqiptarë dalin në skenë, dhe marrin 2 000 lekë të reja, atyre u mbahet 10% TVSH...! Artistëve të huaj (jo) se është interesuar Z.Ciko!
A ju duket normale kjo i nderuar lexues?
Një tjetër pikë që ndan "errësirën nga drita" dhe të vërtetën nga gënjeshtra (llumi i kënetës) është se në Kontratën e BE-së për Artin, thuhet se ajo i rrëzon poshtë të gjitha klanet, apo klientelizmin, p.sh po t’i referohemi "pranimit në punë", dhënies së kategorisë, bërjes së organigramës, shpërblimeve, audicioneve, pushimit nga puna (pra të gjitha interesave social-ekonomike, artistike, apo ligjore, të gjitha janë në rregulloren e brendshme të Operas. Por një pyetje për lexuesin!
E dini ju se kush e bën këtë Rregullore, e cila është shumë e rëndësishme për artistin? E bën Titullari, paçka se në shkrimin e tij (paragrafi i parafundit, faqe 13) thotë se Sindikata e ka mbajtur 6 muaj në dorë...! Kjo thjeshtë është një farsë.
Dhe prapë na kujtohet Kreidbergu për (llumin e kënetës). Ajo që më shqetëson mua është se pikërisht kjo rregullore sipas ligjit 10352, behet nga një individ, dhe po të ishte se Rregulloren e bën Sindikata, (siç pretendon Z.Ciko) pse nuk e vuri në ligj, po kërkon të na mbushi mendjen se na e paskërka mbajtur Sindikata 6 muaj? Ku është e mbështetur kjo me ligj? Jo për gjë por as më shumë e as më pak dua që t’i referohem thënies së kryeministrit Z. Sali Berisha i cili thotë: Institucionet duhet të flasin vetëm nëpërmjet ligjit! Por mesa duket jemi në tjetër planet, ose duhet të pranojmë atë që Z.Ciko e thotë me qejfin më të madh se: "Jam miku i Doktorit". Po kontrata e BE si e parashikon?
Dallimi është i pakrahasueshëm! N.q.s. të gjitha interesat e lartpërmendura për artistin janë në Rregulloren (mad-in Albania) dhe ndërrohet sa here vijnë dhe ikin titullarët, në Kontratën e BE janë të vendosura që aty, me detaje dhe nuk mundet të ndërhyjë as edhe një Titullar për ta modifikuar. Pra Artisti e ka të qartë të gjithë guidën juridike dhe artistike se si është dhe ku është, apo dhe kush e ka bërë!
Kriteret e pranimit në punë, kriteret për të marrë kategorinë, shperblimi artistik, apo të drejtat dhe detyrat janë të gjitha të detajuara në Kolektive.
Sa për pretendimin se në asnjë vend të botes nuk ka solistë me rrogë, është jo e vërtetë, sepse mjafton t’i referohesh Gjermanise!
Është për t’u habitur se si dhe vetë Z.Ciko e pranon që në Opera ka artistë pensionistë, por që punojnë pa asnjë shpërblim (sipas tij). Më thoni se në cilin vend të botës lejohet kjo gjë?
Po t’i referohesh pikërisht Kontratës së BE-së aty është një nen (neni 84) që ka të bëjë me formën e kontratës, ku një nga kriteret është se: çdo artist që hynë në punë duhet të ketë në dorë kontratën, e cila tregon: a)Tipin e kontratës, b)Periudhën e provës, c)Nivelin e pagës, d)si dhe emrin e atij apo asaj që i ka zënë vendin, gjithashtu dhe që nuk lejohet që të punohet pa kontratë, sepse krijon klientelizëm, ose abuzohet me personin!
Si përfundim po e mbyll shkrimin tim me bindjen se vlera do të triumfojë ndaj antivlerës, e vërteta ndaj gënjeshtrës, si dhe besimin qe kam ndaj Ministrisë së Kulturës dhe Kryeministrit, i cili kohët e fundit është shprehur se: Optika që ka shoqëria civile në lidhje me analizat që ajo i bën problematikave të ndryshme, është optika më e saktë dhe më e paanshme.
Të thuash të vërtetën është përgjegjshmëri, thoshte Martin Lutter King.
(shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)