TIRANË - Lulzim Basha dhe Jozefina Topalli nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët as për ngjarje, të cilat tashmë i takojnë historisë. Ceremonia përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të ngjarjeve të 2 Prillit ka rindezur rivalitetin mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe ish-kryeparlamentares, Jozefina Topalli.

Fillimisht, Basha ka shmangur zonjën Topalli nga organizimi dhe protokolli i ceremonisë, ndonëse Topalli është deputete që përfaqëson Qarkun e Shkodrës. Topalli është mbajtur larg nga organizimi dhe detajet e homazheve. Gjithsesi, burime nga PD e Shkodrës thanë se Topalli ka qëndruar vetë indiferente, për shkak të qëndrimit ndryshe që ndan për drejtimin e partisë.

Përplasja
Përpos spostimeve, mësohet se ka pasur edhe një përplasje Topalli-Berisha sa i takon natyrës së organizimit. Zonja Topalli ka qenë e mendimit dhe ka propozuar që të kishte një protestë të fuqishme në 2 Prill, duke iu kundërvënë kësisoj axhendës së Bashës.