TIRANE - Ujrat e qeta në marrëdhëniet mes PS dhe LSI, dhe më konkretisht mes Ramës dhe Metës janë turbulluar shumë këto ditët e fundit. Ka mjaftuar vetëm një deklaratë në dukje emocionale e deputetit të LSI Nasip Naço, në mitingun e Beratit teksa Meta kishte shkuar aty për të prezantuar kandidatët për deputetë të këtij qarku, që të ringjallen debatet e hershme dhe ngërçuese se kush nga liderët e majtë do të marrë postin e kryeministrit, në rastin e një fitoreje të mundshme në zgjedhjet e 23 qershorit. Naço nuk tha as më pak dhe as më shumë, por në prezencë të Metës deklaroi se lideri i LSI do të jetë kreu i qeverisë së pas 23 qershorit.

Pas qëndrimeve të Ramës dhe Metës që e cilësuan përdorimin e kësaj deklarate të thënë në një miting elektoral nga Berisha si një diversion brenda së majtës, kanë folur dhe krerët e partive të vogla në të dy krahët e spektrit politik shqiptar.Janë prononcuar krerët e partive aleate të PD, përkatësisht Nard Ndoka kryetar i PDK dhe Dashamir Shehi kryetar i LZHK. Ndoka ka thënë se opozita nuk po arrin dot që të kthehet në një alternativë qeverisëse, ndërkohë që sipas tij Meta, teksa ka parë se e majta do të humbë, do tentojë të marrë kreun e PS.

Ndërsa Shehi thotë se më mirë që e filluan tani sherrin se sa pas zgjedhjeve dhe se ky do të jetë dhe sherri kryesor te e majta shqiptare. Duke bërë thirrje ndaj shqiptarëve që të shohin se kush është e opozita. Nga ana e tyre krerët e partive aleate të PS, përkatësisht Paskal Milo kreu i PDS, Spartak Ngjela kreu i PLD dhe Petro Koçi, kreu i PSV ’91 janë shprehur se deklarata të tilla, pavarësisht se janë të dëmshme në fushatë, nuk tregojnë çarje mes aleatëve, pasi të dy krerët e PS dhe LSI janë shprehur se do të respektojnë marrëveshjen mes tyre të nënshkruar në Shkodër.

PASKAL MILO, KRYETAR I PDS: Aleatët duhet të bëjnë kujdes. Deklarata të tilla në fushatë janë të dëmshme, dhe rrezikojnë kthimin e djajve të së kaluarës. Synimet e LSI-së për postin e Kryeministrit, janë të rrezikshme për kohezionin e koalicionit. Urojmë që lokomotiva e Ramës të ketë fuqinë e nevojshme për të mos e lënë trenin e opozitës në rrugë. Programi ynë është më pranë shtresave të varfra e në nevojë dhe këtu mund të përmend dhe një propozim konkret për minatorët.

NARD NDOKA, KRYETAR I PDK: Deklarata e njërit prej figurave kryesore të LSI për Metën kryeministër pas zgjedhjeve, tregon se kjo është një opozitë me probleme. Mendoj se po vijojnë problemet që kanë pasur gjithnjë dhe për më tepër që kanë filluar të bëjnë llogaritë ende pa u bërë zgjedhjet, kur ato janë në humbje për opozitën. Në këtë këndvështrim, opozita nuk po arrin te kthehet në alternative qeverisëse. Ka përjashtuar aleatët nga parlamenti dhe ka mbetur me një parti që vetëm aleate nuk mund të jetë. Në rastin më të mirë kërkon kryeministrin, në rastin më të keq dhe atë që do të ndodhë, kërkon të marrë drejtimin e PS pas humbjes. Opozita po humb terren në raport me vetveten, me qytetarët dhe ndërkombëtarët. Përjashtimi i disa deputetëve socialistë nga kandidimi, lënia jashtë e liderit historik Nano, dalja e kandidatëve të pavarur, e tregon këtë tkurrje të PS.

SPARTAK NGJELA, KRYETARI I PLD: Janë deklarata personale të Nasip Naços. Ne nuk mund të komentojnë deklaratat personale të tij. Rama dhe Meta përkatësisht kryetari i PS dhe i LSI kanë bërë një marrëveshje mes tyre dhe kanë deklaruar e janë zotuar se do ta zbatojë këtë marrëveshje. Unë mendoj se ata do ta zbatojnë këtë pakt mes tyre, pasi më shumë rëndësi siç e kanë dhe deklaruar ka fitorja e opozitës më 23 qershor dhe largimi i Berishës.

DASHAMIR SHEHI, KRYETAR I LZHK: Me mirë që e filluan tani ketë “sherr” sesa ta fillonin pas zgjedhjeve, pasi ky ka qënë, është dhe do të jetë një debat i përhershëm në radhët e të majtës shqiptare. Por e mira e kësaj pune është se duhet ta kuptojnë që tani shqiptarët se për çfarë janë bashkuar dhe për çfarë do të ndahen liderët e së majtës.

PETRO KOÇI, KRYETAR I PSV ’91: Kjo është një çështje që nuk ka pikëpytje. Kryeministri i takon partisë fituese të zgjedhjeve. Nuk duhen keqkuptuar dëshirat njerëzve të caktuar në LSI, por kjo është një çështje që zgjidhet, janë standarde politike tashmë të provuara nga vende të qytetëruara. Pavarësisht rritjes që mund të ketë LSI në mandate parlamentare, numrat e saj do të jenë të pamundur për këtë lloj vendimi. Sepse partia e parë brenda koalicioni është PS dhe është ajo që e cakton kryeministrin. Mendoj se fushata elektorale e opozitës nuk ka nevojë për këtë lloj debati, që turbullojnë kohezionin elektoral të saj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)