Debati/ PS nuk pranon nismën e 
LSI-së për ligjin e koncesioneve

Debati/ PS nuk pranon nismën e <br />LSI-së për ligjin e koncesioneve
Partia Socialiste nuk ka pranuar dje propozimin e LSI-së për ndryshime në ligjin e koncesioneve, që parashikojnë miratimin e tyre nga Kuvendi, dhe jo direkt nga Ministria e Ekonomisë. Nisma e LSI-së është prezantuar dje nga deputetët Petrit Vasili dhe Përparim Spahiu në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, po ky komision nuk mori një vendim duke e lënë diskutimin të hapur, për të pyetur më pas ministritë e linjës.

LSI ka 3 propozime kryesore: rregullimin e dhënies së koncesioneve me ligj dhe jo me VKM, përfshirjen e Ministrisë së Financave dhe Avokaturës së Shtetit veç Ministrisë së Ekonomisë në studimin e dobishmërisë së koncesionit, dhe së treti, që përbën dhe ndryshimin më thelbësor: miratimin e koncesioneve në parlament kur ato parashikohen me gjatësi mbi 4 vjet. “Qëllimi më i mirë dhe kryesor i saj është për të shtuar dhe maksimizuar transparencën në të gjithë procesin e partneriteti publik privat. Së dyti për të mundësuar që leverdishmëria, pra dobishmëria e tij në çdo rast ku ai aplikohet është e qartë dhe evidente, e kuptueshme dhe për opinionin e tërë publik i cili do të jetë më tej përfituesi përkatës i shërbimeve.

Një moment tjetër i rëndësishëm i ligjit është dhe kohëzgjatja e këtyre koncesioneve. Ne kemi propozuar, bazuar mbi një bindje të plotë e kemi bërë këtë propozim, që ratifikimi i këtyre marrëveshjeve koncesionare, të cilat pra tashmë do ta kenë miratimin e këtyre tre institucioneve tashmë, sipas propozimit që bëhet, të ratifikohet dhe në Parlament, – u shpreh Vasili. Por relatori i këtij projektligji, deputeti socialist, Namik Kopliku, tha se nuk e sheh zgjidhje këtë formulë të debatit publik mbi koncesionet.

“Jam skeptik në përfshirjen e Ministrisë së Financave. Kjo është një ministri e ngurtë që kufizon gjërat sepse llogarit me pesimizëm se ku do të shkojnë paratë. Po ashtu, edhe afati 4 vjeçar i koncesioneve që ju thoni të kalojë në parlament nuk duhet e drejtë. Nëse një qeveri mund të trashëgojë një koncesion të keq, mund ta bëjë këtë edhe në mes të mandatit. Pra mund të hidhet diskutimi që pse 4 vjet, pse të mos përfshijmë dhe koncesionet mbi 2 vjet.

Po ashtu, nuk më duket kriter i drejtë ai i kohëzgjatjes së koncesionit. Do të propozoja një orientim me kriter financiar. Për shembull, të caktojmë që në parlament të kalojnë vetëm PPP-të me vlerë mbi 15 milionë euro, apo një shifër tjetër që specialistët mund të caktojnë”-tha Kopliku. Por këtij propozimi, LSI ju përgjigj me një argument, por edhe me një sfidë. “Koncesione të lira nuk ka, të gjitha janë me vlera të konsiderueshme, ndaj nuk duhet t’i hyjmë kriterit financiar.

Ju e dini që ka qenë një preokupacion i ngritur nga opozita e djeshme për një transparencë më të madhe dhe për konsultimin e Parlamentit dhe me shumë të drejtë deputetë të opozitës së djeshme kanë kritikuar mazhorancën e djeshme pse një pjesë e mirë e koncesioneve nuk vinin në Parlament. Besoj që kjo kritikë e bërë dje merr një përgjigje sot pasi të gjitha këto do të kenë mundësi të dëgjohen të debatohen dhe të ratifikohen në Parlament dhe i tërë opinioni publik ka mundësi në mënyrë shumë transparente të dëgjojë që kjo zgjidhje ka qenë më e mirë”, – përfundoi Petrit Vasili. Kreu i këtij komisioni, Eduard Shalsi tha se do të vijojë diskutimi. “Në këtë komision kemi bërë shumë diskutime cilësore, i tillë do të jetë dhe ky që u prezantua sot. Në vijim do të kemi diskutime duke përfshirë dhe ministritë e linjës”-tha Shalsi.
 
 
Vasili
“Ne kemi propozuar që ratifikimi i këtyre marrëveshjeve koncesionare, të cilat do ta kenë miratimin e tre institucioneve, sipas propozimit që bëhet, të ratifikohet dhe në Parlament”.
 
Kopliku
“Do të propozoja një orientim me kriter financiar. P.sh, të caktojmë që në parlament të kalojnë vetëm PPP-të me vlerë mbi 15 mln euro, apo një shifër tjetër që specialistët mund të caktojnë”.
 
Shalsi
“Në këtë komision kemi bërë shumë diskutime cilësore, i tillë do të jetë dhe ky që u prezantua sot. Në vijim do të kemi diskutime duke përfshirë dhe ministritë e linjës si Ekonomia dhe Financat”.
 

Parajsat fiskale/ Debati për “Panama Papers” në Kuvend/ LSI: Koncesionet mund të bëhen pis, PS: Ky ligj nuk rregullon gjë
LSI shprehur dje shqetësimin se koncesionet mund të bëhen pre e situatave të dyshimta të parajsave fiskale, dhe për këtë duhet që dhënia e tyre të jetë më transparente. Vasili risolli në vëmendje çështjen “Panama Papers”, duke theksuar se ky proces kërkon më shumë transparencë. “Nën dritën e ngjarjeve më të fundit, siç qe fenomeni mbarë botëror tashmë i pagëzuar me emrin ‘Panama Papers’, transparenca e plotë dhe pa ekuivoke, evidenton qartë në procesin e përzgjedhjes, në partneritete publike dhe private, kompanitë, raportet që kompanitë kanë me fiskun, raportet që ata kanë me veprimtaritë e paligjshme, por edhe mundësinë që ato të penetrojnë në sistemin publik shtetëror nëpërmjet koncesioneve, thënë ndryshe partneritet publik-privat, duke mundësuar risqe të mëdha, por duke bërë gjithashtu pis procesin dhe të ardhmen e tij,- shtoi kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së.

Por për Partinë Socialiste, ligji i sjellë nga LSI nuk zgjidh gjë. “Ky ligj që ju keni sjellë nuk ka asnjë fjalë për parajsat fiskale. Në këtë drejtim nuk zgjidh asgjë. Nëse do të kishte një nen që përjashton nga marrja e koncesioneve shoqëritë offshore, në rregull, por nuk ka”-tha Namik Kopliku. Vasili deklaroi se institucionet më të rëndësishme financiare si FMN dhe BB kanë shprehur preokupacion për këto praktika dhe kanë evidentuar që transparenca është ajo që duhet të na udhëheqë. “Të gjitha institucionet më të rëndësishme financiare që asistojnë vendin, më së pari FMN por edhe BB i janë kthyer e rikthyer me preokupacion kësaj praktike dhe kanë evidentuar që transparenca, një studim i plotë në mënyrë të veçantë i udhëhequr nga Ministria e Financave i fizibilitetit dhe bindja e plotë që kjo është zgjidhja më e mirë në çdo rast se sa format e tjera e përdorura më parë, janë ato që do të na udhëheqin”, – shtoi Vasili gjatë fjalës së tij para anëtarëve të komisionit.
 
 LSI
“Nën dritën e ngjarjeve më të fundit, siç qe fenomeni mbarë botëror i pagëzuar me emrin ‘Panama Papers’, transparenca e plotë dhe pa ekuivoke, nevojitet në procesin e përzgjedhjes, në partneritete publike dhe private.”
 
PS
“Ky ligj që ju keni sjellë nuk ka asnjë fjalë për parajsat fiskale. Në këtë drejtim nuk zgjidh asgjë. Nëse do të kishte një nen që përjashton nga marrja e koncesioneve shoqëritë offshore, në rregull, por nuk ka”.
 

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi