Degët e PD kontestojnë Bashën
dorëhiqet kreu i degës së Pogradecit

Degët e PD kontestojnë Bashën<br />dorëhiqet kreu i degës së Pogradecit
Degët e Partisë Demokratike në rrethe kanë kontestuar propozimin e kryetarit Lulzim Basha dhe të miratuar më pas nga kryesia, për zhvillimin e zgjedhjeve në degë.
 
Të kontaktuar nga Shqiptarja.com, kryetarët e degëve si ai i Vlorës Moisi Meminaj, Durrësit Osman Stafa, Lushnjes Myslim Murrizi dhe kreu i PD-së në Pogradec, Renato Preza, shprehen kundër zgjedhjeve të reja në degët e PD.
 
Madje, kryedemokrati i Pogradecit, Preza përmes një letre të bërë publike, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD. 
 
Ai sqaron se ka marrë këtë vendim për disa arsye, nisur nga vendimmarrja e kryesisë së PD, pak ditë më parë, për të kaluar në zgjedhje degën e Pogradecit.
 
Sipas tij, dega e PD është degë fituese, nisur nga rezultati i zgjedhjeve të fundit vendore, ku Bashkia e Pogradecit iu rikthye Partisë Demokratike pas gati 15 vitesh.  
 
Renato Preza thekson gjithashtu se zgjedhjet e parakohshme në degë kanë ardhur si rezultat i interesave të ngushta të 15 njerëzve në PD, të cilët sipas tij kanë bërë opozitën brenda opozitës në degë.
 
Dorëheqja e kreut të PD Pogradec, Renato Preza
 
"Deklaratë e Kryetarit të Degës së Partisë Demokratike të Rrethit Pogradec Z. Renato Preza, si një qëndrim kundër Vendimit të Kryesisë së PDSHsë për futjen e degës në Proçes Votimi!
 
Paraqes Dorëheqjen time nga Posti i Kryetarit të Degës!
 
“Të nderuar anëtarë të degës së Partisë Demokratike Pogradec!
Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Degës së Partisë Demokratike të Rrethit Pogradec, në të drejtën tuaj legjitime në votbesimin e dhënë për Kryetar të Degës!
Per dijeni: Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë
Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë ka marrë vendimin për futjen në proçes zgjedhor të Degës së Rrethit Pogradec! Ky vendim e vendos degën në Zgjedhje të Parakohëshme të Brendshme Partiake nga nivel Seksioni deri në nivel Kryesie dhe gjithashtu për postin e Kryetarit!
Unë në Postin Aktual të Kryetarit të Degës, NUK JAM dakord që dega e Partisë Demokratike të Rrethit të Pogradecit të hyjë në këtë proces zgjedhor për arsyet e mëposhtme:
1) Dega e Rrethit të Pogradecit është degë fituese dhe për këtë fitore ju të gjithë punuat, u lodhët dhe i dhatë fitoren si Kandidatit por edhe Subjektit në shifra më të larta nga vitet e mëparshme!
2) Dega e Pogradecit nuk është e cenuar nga ndryshimet territoriale që për pasojë të ketë ndryshime demografike të fokusit të votës politike dhe për pasojë të lindë një audiencë e re elektorale! Kjo nuk është arsyeja, aspak JO sepse Rrethi i Pogradecit ka qëndruar njësoj, në po të njëjtën hartë territoriale!
3) Nuk e shikoj përsëri te arsyeshme që për interesa të ngushta të jo me shumë se 15 vetave, të cilët rregullisht kanë bërë opozitën brënda opozitës në degë, të futet e gjithë dega në Proçes Zgjedhor!
Sipas vendimit të Kryesisë të Partisë Demokratike të Shqipërisë por edhe sipas gjykimit tim më pas, as edhe një nga këto tre arsye nuk përbën çështjen për ta detyruar Degën të futet në Proces Zgjedhor, sepse nuk qëndron as njëra dhe as tjetra!
Unë, në këtë moment që jap këtë deklaratë, në Funksionin Zyrtar dhe në Pozitën e Kryetarit të Degës së Rrethit të Pogradecit, mbi të drejtat që më jep statuti i Partisë Demokratike garantoj dhe i kërkoj çdo anëtari të shprehet lirshëm dhe fuqishëm kundër këtij vendimi duke reaguar drejtpërdrejt tek Kryetari Z. Luzim Basha dhe tek të gjithë anëtarët e Kryesisë së PDSH-së.
Unë në Pozitën e Kryetarit të Degës ndjehem I OFENDUAR, I FYER dhe I POSHTËRUAR për këtë vendim që ka marë Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, për arsyet si më poshtë:
1) Unë nuk mundem të vij dhe të kërkoj votim të ri në nivel seksioni për të gjithë Rrethin sepse unë pashë mes jush djersën, mundin, financat e shpenzuara dhe kohën e vendosur nga ju të gjithë në dispozicion për fitoren e PDsë në Pogradec, dhe si shpërblim ju do të shkarkoheni! Edhe PSE? Sepse fituam, sepse u lodhëm, sepse i dhamë fitoren PDsë dhe qamë së bashku të gëzuar në atë ditë të fitores?
JO! UNË NUK MUND TA BËJ KËTË GJË DHE NUK MUND TË PRANOJ TË VENDOS VETEN TIME NË KUSHTE TË TILLA PËRPARA JUSH, TEK JU DHE NË MESIN TUAJ!
2) Nuk e shikoj aspak të qenë dhe demokratike ndërhyrjen kaq të prerë dhe kaq radikale duke e futur të gjithë degën në votim, sepse mund të kishte ndërhyrje të pjesëshme ashtu siç edhe janë propozuar në rekomandimet e analizës së bërë nga e gjithë kryesia e degës së Rrethit Pogradec! As nuk jemi pyetur më pas dhe as nuk jemi konsultuar!
3) Ky proces nuk tregon mirënjohjen ndaj anëtarëve të PD-së të cilët u ngarkuan me përgjegjësi elektorale nga fshati më i largët dhe me pak anëtarë deri në seksionet e qendrës së qytetit me shumë anëtarë, dhe unë ju kërkoj falje për këtë! Ju kërkoj falje që mbi kurrizin tuaj nuk u vendos mirënjohja dhe merita e duhur dhe aspak jo falenderimi i duhur!
4) Në filozofinë që unë njoh, mandati që fitohet me votë është i shenjtë! Nëse kjo SHENJTËRI shembet atëherë shemben parimet e demokracisë, ata që kanë mandatin duhet të gëzojnë atributin ta administrojnë! Në rastin tone, kemi të bëjmë jo me këtë interes të fituesve por kemi të bëjmë me interesa të ngushte lokale, klanore, kuliste dhe keqdashase për të rëzuar dhe cënuar autoritetin e fituar me votë!
KJO VLEN EDHE PËR DEGËT E TJERA QË JANË FUTUR NË VOTIM, ndërkohë që ka degë që janë Humbëse dhe gjithashtu të prekura nga Reforma Territoriale dhe nuk janë përcaktuar në proçesin e votimit!
KY NUK ËSHTË STANDARTI KORREKT, I DUHURI QË UNË PRISJA PËR PDnë TONË!
Ne i dhamë mandatin Kryetarit të Bashkisë Eduart Kaprit, ndërkohë që cenohet ME KEQDASHJE mandati jonë si burimi dhe si origjina kryesore e kësaj fitoreje, prandaj ky vendim për mua nuk është aspak i drejtë!
5) Jam i ndërgjegjshëm që edhe mes nesh brënda PDsë në Pogradec ka probleme nga më të ndryshmet, të cilat në trajtën e vet por me një kujdes të lartë, me ndërhyrjen në kohën e duhur dhe të saktë nga Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, mund të zgjidheshin sipas rekomandimeve dhe sinjaleve, të cilat i kemi dhënë në kohën e duhur nëpërmjet analizës së shkruajtur por edhe nëpërmjet të deleguarve dhe takimeve të realizuara në Degën e Partisë!
6) Për mua si Kryetar i Degës, për sa më sipër, duke mos cënuar as edhe një personalisht, por, duke e kënaqur me vetëdije të plotë “GRUPIN PETICIONIST DHE ATË KLANOR”, të ngritur kundër meje që prej garës për kryetar Dege në vitin 2014, VENDOS:
• TË JAP DORËHEQJEN TIME NGA FUNKSIONI I KRYETARIT TË DEGËS SË RRETHIT POGRADEC,
duke qenë se kam dorëzuar edhe mandatin e anëtarit të kryesisë së Degës tek një anëtar tjetër të radhës,
• JAM GJITHASHTU JASHTË KRYESISË AKTUALE TË DEGËS SË PARTISË DEMOKRATIKE PËR RRETHIN E POGRADECIT!
Jam krenar që drejtova degën e Partisë Demokratike për më shumë se një vit e gjysmë! Ajo që më bën më tepër krenar është koha deri në momentin e Zgjedhjeve Elektorale Lokale të vitit 2015, që e pata mundësinë të drejtoj me nder degën drejt fitores!
Në çfarë do lloj vendimi apo reflektimi të fuqizuar apo të shfuqizuar nga Kryesia e PDSH-së, unë ju uroj suksese më tej në punët tuaja!”
, mbyll letrën e tij, Renato Preza. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën