Deklaratë e Zëvëndëskryeministrit Niko Peleshi

Vendimet e datës 28 Korrik të KKT, i hapin rrugën një sërë investimeve me vlere 250 milion Euro dhe celin 2800 vënde pune.
 
Në këtë komunikim publik, dëshiroj të ndaj me ju disa vendimmarrje të mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Territorit.
 
Ka pasur një interes të madh për këtë vendimmarrje, e cila i ka dhënë rrugë nga sot investimeve private në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, me një vlerë totale prej 250 milion Euro.
 
Impakti në punësim do të jetë 2800 të punësuar të qëndrueshëm, në sektorë si; hidroenergjitika, energjitë e rinovueshme, sistemeve fotovoltaike të prodhimit te energjise elektrike, turizemit etj.
 
Vetem ne nje resort te miratuar sot, vlera e investimit shkon në mbi 150 milion Euro.
 
Nërkohë kemi marrë edhe vendime të rëndësishme për të rikonstruktuar, për të sjellë në normalitet dhe për të modernizuar, dy institucione të kulturës shumë të rëndësishme sic janë Teatri i Operas dhe Baletit dhe Bibloteka Kombëtare. Dy institucione, të cilat për shume e shumë vite të lëna jashtë vëmendjes dhe të kthyera në institucione që i mungon dinjiteti i merituar.
 
Natyrisht që ne besojmë se interesi i ritur i investimeve vjen mbas konsolidimit të kuadrit ligjor. Kemi miratuar kujtoj nje ligj shumë pro biznes për investime strategjike, kemi miratuar ligjin e partneritetit publiko – privat, kemi miratuar ligjin e turizmit dhe aktet nënligjore në funksion të tij. Por ndërkohë kemi përmbyllur një proces që për më shumë se njëzet vjet nuk ka mundur dot të finalizohet, hartmi dhe miratimi i Planit të Zhvillimit Kombëtar. Një plan i munguar që i ka hapur tani rrugën, zbërthimit apo derivimit në Plane të Zhvillimit Rajonal dhe në Plane të Përgjithshme Vendore.
 
31 Bashki për pak javë do të miratojnë në Këshillin Kombëtar të Territorit, Planet e Përgjithshme Vendore, cka do të thotë do të hapin një dritare të re, jo vetëm për industrinë e ndërtimit, por për ekonominë vendore dhe kombëtare në përgjithësi.
 
Agjencitë në mbështetje të biznesit, sic është Agjecia e Zhvillimit të Tëritorit, apo Agjencia e investimeve të huaja, AIDA, në bazë të ligjit, janë të detyruara sot të të kthehen në sportele unike, apo në agjentë asistues për investitorët. Jemi duke kontribuar për krijimin e një klime pozitive biznesi, te cilën dëshiroj ta lidh me një proces i cili sot është kryefjala, është pika me e fortë dhe më e nxehetë e axhendës sonë të përbashkët politike dhe shoqërore, reforma në drejtësi.
 
Reforma në drejtësi do të na japë mundësinë, jo thjesht dhe vetëm, të pastrojë këtë sistem nga korrupsioni, jo thjeshtë dhe vetëm të kemi një trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh të ndershëm, jo thjesht dhe vetëm më të fortë në goditjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, por do të sjellë si efekt të drejtpërdrejtë të saj një klimë shumë me të favorshme për investitorët vëndas dhe të huaj.
 
Sistemi i drejtësisë i reformuar, në mënyrë të drejpërdrejtë do të risë sigurinë juridike. Unë preferoj ta lexoj edhe këtë interest të shtuar të investimeve private, sic e përmenda më sipër, si një besim tashmë të rikthyer tek te gjithë shqiptarët, se procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë, procesi jo vetëm i ligjeve te mira që nuk na kanë munguar por edhe i njerzve të mirë të ligjeve që na kane munguar deri dje, po jep tani shënjat e para të besimit të biznesit, sektorit privat dhe investitoreve për të ardhmen e Shqipërisë.
 
Po e mbyll duke thënë se kjo është Shqipëria të cilës ne i besojmë, një Shqipëri ku nuk ka vetëm ligje të mira, për shkak të kontributit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, por ka dhe njerëz të mirë në ligje, ka dhe një klimë biznesi që buron nga siguria juridike. Le të ecim së bashku, me klasën politike, por edhe me gjithë shqiptarët, në këtë rrugë, që është rruga e Shqipërisë së re.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë