Deklaratë për Shtyp e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj

Edhe sot një lajm tjetër të mirë për ekonominë, por në rastin konkret për sektorin e bujqësisë.

Në vazhdën e paketës të vitit 2014 për bujqësinë, të iniciuar nga kryeministri Rama, ku arritëm të krijonim mbështetjen e drejtpërdrejtë për fermerët, duke e bërë TVSH-në e rimbursueshme për fermerët nga 6%, në 20%, atë mbështetje ku shumë produkte bazë bujqësore dhe blegtorale u liruan nga të gjitha taksat doganore dhe nga TVSH-ja, sot, pas një konsulte të gjatë brenda qeverisë, brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në konsultë dhe me aleatët tanë në qeveri, unë, si ministër Financash, kam bërë ndryshimet në Udhëzimin e Ministrit të Financave “Për skemën e kompensimit të fermerëve”, për të vazhduar lehtësimin dhe mbështetjen e punës së fermerëve, të prodhuese, të grumbulluesve në sektorin e bujqësisë.

Dua ta ritheksoj dhe është e rëndësishme se skema e kompensimit të fermerëve, e cila nga 6% që ishte më parë, nuk funksionoi asnjëherë, u bë 20% në vitin 2014, duke mundësuar një stimul të drejtpërdrejtë për fermerët shqiptarë në funksion të zgjerimit të veprimtarisë së tyre prodhuese, bujqësore dhe blegtorale.

Kjo skemë është konceptuar e tillë që të mos ngarkojë fermerët me barrën administrative të lëshimit të faturave, të deklarimit, të mbajtjes dhe përdorimit të kasës fiskale. Pra, fermeri ka vetëm detyrimin të pajiset me NIPT dhe të shesë produktet e tij e të përfitojë 20% kompensim TVSH-në mbrapsht.   

Cilat janë ndryshimet e parashikuara në kuadër të lehtësimit të procedurave për fermerët dhe shoqëritë blerëse të produkteve të tyre. Ato ndryshime që, siç e theksova pak më parë, janë konsultuar brenda qeverisë. Kryeministri javën e kaluar ka pasur një takim me grumbullues, prodhues dhe përpunues në sektorin bujqësor dhe blegtoral dhe pas asaj konsulte ne kemi arritur në konkluzion për të marrë masat si më poshtë:

1. Lejohen të kryhen shitje me para në dorë deri në vlerën 30.000 lekë të reja që një fermer kryen për blerës të ndryshëm, shoqëri të agrobiznesit ose të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, ose për eksportuesit e këtyre produkteve, apo çdo subjekti tjetër që blen produktet e fermerëve që janë të pajisur me NIPT. Pra, në masën 30 mijë lekë të reja, transaksioni kryhet me para në dorë dhe bëhet vetëm për një NIPT, pra që fermeri të ketë një NIPT dhe ky është transaksion ditor. Pra një fermer mund të kryejë transaksione ditore me cash deri në 30 mijë lekë të reja. Ka qenë një kërkesë e sektorit, e përpunuesve e fermerëve e vazhdueshme e cila u materializua në atë konsultë me kryeministrin dhe sot materializohet nëpërmjet firmosjes së udhëzimit të “Skemës së kompensimit të fermerëve”.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi, detyrohen të kryhen nëpërmjet bankës vetëm shitjet mbi 150.000 lekë.

3. Pagesat për shitjet mbi 30.000 lekë deri në 150.000 lekë kryhen nëpërmjet filialeve të Postës Shqiptare dhe për ata që duan edhe nëpërmjet bankës. Theksoj se i kemi kërkuar Postës Shqiptare dhe do vazhdoj t’i kërkoj të intensifikojë shërbimet e saj për kryerjen e pagesave për fermerët dhe mundësinë e shtrirjes së shërbimit pranë zonave rurale, ose aty ku zhvillojnë veprimtarinë blerësit e produkteve të fermerëve, pra drejtpërdrejtë nëse është e mundur në pikat e grumbullimit.

4. Eksportuesit e prodhimeve bujqësore klasifikohen me këtë Udhëzim si subjekte me risk zero dhe si të tillë, përfitojnë rimbursim automatik brenda 30 ditëve të TVSH-së. Është e domosdoshme që eksportuesit të mbajnë transparencën fiskale në nivelin 100% në mënyrë që të mos zbresin nga jeshilja në të kuqe, në konceptin e riskut, pra të kalojnë nga risk zero në risk të madh, sepse humbasin mundësinë e rimbursimit automatik të TVSH.

5. Për të lehtësuar procesin e faturimit të kompanive, një problem i përmendur shpesh nga fermerët ashtu si dhe në takimin e fundit që pati kryeministrit me grumbulluesit dhe prodhuesit e produkteve bujqësore dhe blegtorale, pra për të lehtësuar procesin e faturimit të kompanive që blejnë produktet e fermerit, nga ajo e përdorimit të blloqeve të faturave tatimore dhe plotësimit të tyre me shkrim për çdo faturë, për këtë kategori shoqërish është parashikuar një procedure e veçantë, ajo e miratimit të përdorimit të faturës kompjuterike.

Këto subjekte kanë mundësi të zgjedhin të thjeshtojnë procedurën e faturimit:

- nga ajo e tërheqjes së blloqeve të faturave pranë Drejtorive Rajonale Tatimore

- nga ajo e plotësimit të tyre për çdo rast me shkrim;

- nga ajo e regjistrimit të këtyre faturave të plotësuara më pas në librat e shitjes dhe blerjes; 

Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, çdo biznes që blen produktet e fermerëve ka mundësi të përdorë faturën kompjuterike.

Për këtë mjafton vetëm të:

- vetë-modelojnë një faturë tatimore kompjuterike me të dhënat e kërkuara,

- ta paraqesë atë në Drejtorinë Rajonale Tatimore, e cila e pajis me numër serial;

Sot një grumbullues nuk duhet të ulet gjatë ditës së tij pafundësisht e të mbushë me dorë 500-700 fatura, tani ka mundësi me vetëmodelimin e tij, me një numër serial të marrë nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve të bëjë fatura kompjuterike, pra një lehtësim i madh procedural në punën e tyre.

6. Janë marrë masa që në pikat doganore të ofrohet dhe të mos mungojë shërbimi doganor për eksportin e prodhimit bujqësor. Në prill të këtij viti, si ministër Financash, unë kam urdhëruar me urdhër nr.8874 degët doganore si dhe kemi njoftuar të gjitha agjencitë doganore në rrugë elektronike, të ofrojnë shërbim 24 orë për eksportuesit e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Ky urdhër vendos doganat kufitare 24 orë në dispozicion të këtyre eksportuesve, si dhe e bën të paefektshëm marrjen e autorizimit të zhdoganimit lokal, apo kryerjes së procedurave doganore pranë ambienteve për këto subjekte.

Ndërkohë, për përjashtimin e skanimit për produktet bujqësore ose minimizimin në raste të veçanta, që është në proces, bazuar në urdhrin e mësipërm, si dhe në kuadër të zbatimit të planit të veprimit, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë prodhuesve, eksportuesve vendas të produkteve bujqësore, blegtorale për eksport u propozua dhe implementua kanali jeshil në doganë. Kanali jeshil është kanali ku eksportuesit kalojnë drejtpërdrejtë në pikat doganore pa kontroll duke mos harxhuar fare kohë ne favor të biznesit dhe eksportit.

Dua të ndaj me ju një shifër mjaft interesante. Sot rezulton që kalojnë në kanalin jeshil 90% e deklaratave të eksportit për produktet bujqësore dhe blegtorale.

Pra siç e shihni qeveria ka marrë një hap tjetër për lehtësimin dhe mbështetjen e sektorit bujqësor dhe blegtoral. Është në vazhdimësi të logjikes së mbështetjes të sektorëve me paketa nga ana qeverisë. Dua t’u rikujtoj paketën e manifakturës, e cila ishte një paketë shumë e suksesshme në prill të 2014, rezultoi me rritje 24.6% të eksporteve. Po në të njëjtin vit paketa e bujqësisë e iniciuar nga kryeministri i Shqipërisë e cila soli rritjen e prodhimit bujqësore, të eksporteve dhe kjo paketë me lehtësim procedurash është në vazhdën e asaj logjike të vitit 2014.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza