Do të doja, para së gjithash, ta uroj z. Basha për zgjedhjen e tij si kryetar i Partisë Demokratike. Doja ta uroj personalisht dhe t'i shpreh urimet për punë të mbarë. Tani, z. Basha ju dha pikëpamjen e Partisë Demokratike, unë do t'ju jap pikëpamjen e Bashkimit Evropian.

Ne besojmë se, për të përparuar në integrimin evropian, ka dy gjëra që janë të nevojshme: një Qeveri e fuqishme, mirëfunksionuese, moderne dhe evropiane, por gjithashtu një Opozitë e fuqishme, mirëfunksionuese, moderne dhe evropiane.

Unë jam i bindur, dhe në Evropë gjithkush është i bindur – për rëndësinë e rolit të Opozitës në një sistem demokratik. Ne kemi shprehur – nga Brukseli, nga Tirana, kolegët evropianë – rëndësinë e një përfundimi të qetë dhe në kohë të procesit zgjedhor dhe një kalim të qetë të pushtetit. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në mënyrë që, gjithashtu, të ecet përpara në integrimin evropian. Dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe nga pikëpamja e mundësisë së marrjes së statusit të kandidatit.

Siç e kam thënë, siç e kemi thënë, siç e kemi përsëritur – statusi kandidat është i arritshëm në dhjetor. Kjo është përsëritur nga Brukseli. Dje, Presidenca lituaneze e ri-përsëriti këtë koncept. Ajo që është e rëndësishme, në mënyrë që një gjë e tillë të arrihet, është një përpjekje shumë e sinqertë, efikase, e përbashkët e të gjitha forcave politike. Dhe Bashkimi Evropian është natyrisht i gatshëm të ndihmojë në këtë proces, në rast se çuarja përpara e reformave vazhdon.

Po në lidhje me çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve? A keni një koment ndërkohë që procesi vazhdon të zgjatet, pavarësisht  se patëm një tërheqje të Partisë Socialiste nga [pretendimet e saj në qarkun e] Lezhës?

Siç e kam thënë dhe siç e kanë thënë edhe kolegë të tjerë – për shembull, pak ditë më parë, kolegu im italian, Ambasadori Gaiani – është e rëndësishme që të kemi një përfundim në kohën e duhur dhe të qetë të procesit zgjedhor. Jemi në verë, vera nuk është shumë e gjatë, nganjeherë është e nxehtë, dhe nuk na ka mbetur shumë kohë deri në progres-raportin e tetorit dhe deri në takimin e Këshillit Evropian në dhjetor. Kështu që, ajo që mund të ndihmojë për një përmbyllje të butë të procesit zgjedhor, mendoj se është
e rëndësishme. 

Sot ju folët me kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Kemi gjithashtu një Parti Demokratike në opozitë. Si e shihni, ju personalisht, por edhe Brukseli, këto konfigurim të ri politik në Shqipëri?

Opinioni i Brukselit është gjithnjë një qëndrim shumë miqësor ndaj Shqipërisë. Dhe konfigurimi politik i vendit është natyrisht rezultat i dëshirës së njerëzve, jo Brukselit. Brukseli është shumë i interesuar në procesin e reformave dhe në realizimin me sukses të procesit të integrimit në BE.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)