Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri – 13 qersho

Dje jam vënë në dijeni të një padie penale që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka bërë ndaj meje. Jam vënë në dijeni vetëm për njoftimin për shtyp që bëri KLD-ja, por jo për përmbajtjen e kallëzimit penal.
Shumë sinqerisht gjej rastin të falenderoj të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që ishin prezent në mbledhje, sepse më japin mundësinë të vërtetoj vetë dhe të kem mundësi ta bëjë këtë dhe përballë shqiptarëve, se nuk është më Këshilli i Lartë i Drejtësisë, po “Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe i Padrejtësisë”, të cilët sot janë pjesë e “Frontit të së keqes” për të ndalur Reformën në Drejtësi dhe për të bërë gjithçka është e mundur për të goditur Policinë e Shtetit dhe rolin e saj në luftën kundër krimit, paligjshmërisë, korrupsionit në betejën për të pasur një Shqipëri të drejtë, një shoqëri të hapur, transparente që bazohet mbi vlerat e gjithëpranuara të shtetit ligjor, të luftës pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit.  E mbi të gjitha të luftës pa kompromis kundër pandëshkueshmërisë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë  në padinë penale ndaj meje ka vënë një bast të cilin jam i gatshëm ta përball në çdo sekondë për sa kohë besoj dhe do të vijojë të besoj që kam tërësisht të drejtë të ngre zërin në publik për paligjshmëritë që konsumohen në mënyrë të vazhdueshme nga gjyqtarë dhe prokurorë të cilët janë peng i mëkateve të tyre dhe sot kanë imunitet politik nga ata që i kanë mbrojtur sa herë kanë bërë mëkate.
Rasti që unë kam denoncuar publikisht dhe për të cilin KLD-ja është angazhuar me një kallëzim penal të paprecedentë në historinë e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe mbi të gjitha në historinë e detyrave që ka KLD-ja, ka të bëjë me gjyqtarin Arjan Aliaj, për të cilin kam thënë se ka liruar nga burgu një person të dënuar me 14 vjet për “Marrëdhënie seksuale me dhunë”. Nuk kam gënjyer.  
Gjyqtari Arjan Aliaj me vendimin Nr. 61 datë 13.10.1999 ka liruar nga burgu një person të dënuar me 14 vjet burgim për “Marrëdhënie seksuale me dhunë” dhe për këtë shkak është shkarkuar nga detyra. Kam denoncuar Arjan Aliaj se ka liruar nga burgu një person të dënuar për “Vrasje me dashje të mbetur në tentativë”. Nuk kam gënjyer. Gjyqtari Arjan Aliaj me vendimin penal nr. 32 datë, 24.05.1999 ka liruar nga burgu një person të dënuar për “Vrasje me dashje të mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Dhe për këtë vendim është shkarkuar nga detyra. Ka dhënë dhe të paktën katër vendime të tjera për lirim para kohe me kusht për të dënuar që kanë kryer vepra penale si “Vjedhje me armë” dhe “Vjedhje me dhunë”.
Këto janë çështjet, për të cilat unë nuk hesht dot.
Ashtu siç, Këshilli i Lartë i Padrejtësisë  dhe Pasurisë i Bujar Nishanit dhe i Gjin Gjonit nuk më mbyll dot gojën kurrë, jo me një por me 1 milion padi penale sikur të bëjnë ndaj meje.
Të nëntë anëtarët e “Këshillit të Lartë të Pasurisë dhe Padrejtësisë”, pasuria e deklaruar në institucionet përkatëse gjatë vitit 2015 të mbledhur bashkë i shkon 5 miliardë e 760 milionë lekë. Këta miliarderë në KLD po t’i mbledhësh bashkë shkojnë 5 miliardë e 760 milionë lekë pasuri e deklaruar, kanë konsumuar një akt të paprecedentë duke kallëzuar penalisht, sepse kam denoncuar publikisht një gjyqtar që ka konsumuar paligjshmëri në vlerësimin tim.
“Këshilli i Lartë i Padrejtësisë’’ i cili vetëm dy vitet e fundit ka pasur në tavolinën e punës një rast spektakolar, paligjshmërive të konsumuar nga një gjyqtar i Kavajës Osman Aliu besoj, është bërë personazh tashmë. I denoncuar prej meje sepse në disa raste me radhë ka marrë vendime haptazi të paligjshme. Ju kujtoj këtu njërin prej tyre. Ka liruar në sallën e gjyqit një person të arrestuar në flagrancë për përdhunimin e një të miture. E ka liruar në sallën e gjyqit, i cili fatmirësisht pastaj është kthyer nga Gjykata e Apelit përsëri në burg.
Dhe një numër të tjera rastesh deri tek kallëzimi penal për fshehje të pasurisë, kallëzim që u pushua po nga Gjykata e Tiranës .
“Këshilli i Lartë i Pasurisë’’ me këta 9 anëtar që kanë mbi 5 miliardë e 760 milion lekë pasuri të deklaruar dhe i padrejtësisë, sepse gjyqtarë të kapur në flagrancë që lirojnë përdhunues dhe vrasës i mbajnë përsëri në detyrë. Kjo është “korporata e të keqes”, solidariteti i të cilëve bazohet në parimin, të mbrojmë njëri tjetrin dhe  bashkë të veprojmë kundër gjithë atyre që na denoncojnë publikisht.
Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka fytyrën e Bujar Nishanit dhe Gjin Gjonit.
Është ‘’Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe Padrejtësisë’’. Dhe jo me një, por me një milion padi penale, unë nuk do mbyll gojën dhe nuk do më kenë vetëm mua përball por do të kenë të gjithë shqiptarët e ndershëm që duan Reformën në Drejtësi dhe drejtësinë reale.
Ndaj i falënderoj me shumë mirënjohje që nuk kanë kurajo t’i përplasin publikun fytyrë vazhdimisht padrejtësinë dhe pasurinë e tyre ashtu siç kanë kurajo të bëhen bashkë kur e ndjejnë që i tronditen themelet. Ky është vetëm fillimi i një beteje që do mbarojë vetëm atëherë kur drejtësia të vihet në vend. Vetëm atëherë kur Reforma në Drejtësi të vendos kushtet ku secili prej tyre t’i nënshtrohet mekanizimit të vërtetimit, të integritetit dhe pastërtisë së figurës me kontroll specifik për çdo vendim dhe për çdo qindarkë.
Kjo është një betejë që sapo ka filluar dhe ‘’Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe Padrejtësisë’’ me fytyrën e Bujar Nishanit dhe Gjin Gjonit nuk do ja dali dot kurrë të bëhet pengesë në këtë proces në të cilin kanë përball ne dhe të gjithë shqiptarët.
Faleminderit!
Gazetari: Zoti ministër ju thatë që nuk keni dijeni për përmbajtjen e padisë, por a ka të drejtë KLD të bëjë padi ndaj një ministri?
Ministri Tahiri: Kjo është e parëndësishme për mua. Për mua është e rëndësishme që ‘’Këshilli i Lartë i Pasurisë’’ me mbi 5 miliard e 700 milion lekë të deklaruara zyrtarisht dhe i padrejtësisë me gjyqtarë që mbrojnë korporatën e së keqes, “Frontin e të keqes” në sistemin e drejtësisë, sot janë bërë bashkë në këtë front për të ndaluar Reformën në Drejtësi.
E përsëris. Jo një, por një milion padi sikur të bëjnë kundër meje, nuk do të kenë kurrë shansin të më mbyllin gojën. Do i denoncoi emër për emër, fytyrë për fytyrë sa të kem frymë. Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Prej disa ditësh i shtruar në QSUT, aktori Mehdi Malkaj lë spitalin! Si paraqitet gjendja e tij shëndetësore