Deklarata e ministrit Tahiri nga Ministria e Brendshme

Para pak çastesh në Elbasan ka ndodhur një episod që flet për trimërinë dhe trimërimin e botës së krimit në përplasjen kundër Policisë, e cila ka jo pak lidhje me trimërimin e instancave të caktuara në prokurori e gjykata për të goditur në mënyrë të paligjshme Drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Gjithsesi, unë e shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje çdo punonjësi policie, në çdo cep të Shqipërisë, që të bëjë punën me devotshmëri e kurajo, duke mos u stepur aspak nga çdo kërcënim i atyre që janë trimëruar sot duke menduar se pushteti politik i atyre që deri dje ishin në qeverisje bashkë me ndihmësit e tyre në Prokurori e Gjykata do mund të na bëjë ne të hedhim hapa pas në rrugën tonë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt dhe më të drejtë.
Sot çdo punonjës Policie, në çdo cep të Shqipërisë, ka motivin e plotë për të qenë krenar për punën që keni bërë deri më sot duke u shërbyer qytetarëve me ndershmëri e përkushtim, për ta bërë Shqipërinë më të sigurt e më të drejtë.
Gjithashtu dua të përshëndes deklaratën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sipas meje një ndër deklaratat më të sinqerta të KLD, në mbrojtje të gjyqtarit Arian Aliaj. Them “një nga deklaratat më të sinqerta të KLD” sepse unë nuk besoj se do kish qenë e mundur që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të demaskohej në mënyrë kaq ekzempare në mbrojtje të një gjyqtari që ka dhënë vendime për të liruar vrasës e përdhunues, që është shkarkuar nga detyra pikërisht për shkak të këtyre vendimeve, dhe është rikthyer për t’i shërbyer pushtetit politik.
Unë besoj se Këshilli i Lartë i Drejtësisë i dha dhe njëherë mundësinë shqiptarëve për të treguar fytyrën e vërtetë të drejtësisë që nuk duam dhe drejtësisë që duhet të shkundim nga themelet për të garantuar që në këtë vend drejtësia duhet të funksionojë , jo sipas pushtetit politik as sipas pasurisë, as sipas konjukturës, as sipas qejfit të korporatës, por vetëm sipas ligjit dhe të drejtës.   
Ndaj e përshëndes Këshillin e Lartë të Drejtësisë për fytyrën e vërtetë që tregoi duke mbrojtur një gjyqtarë deri dje të shkarkuar, pse ka liruar vrasës dhe përdhunues nga detyra dhe ta rimarrë në punë për t’i shërbyer  pushtetit politik, atëherë kur thirret ushtari për të shërbyer ndaj porositësve.
Por gjithashtu dua të bëj me dije fakte skandaloze që dëshmojnë se si funksionon sistemi i drejtësisë në këtë vend. Se si preferencat politike kthehen në vendime dhe se si tërhiqen gjyqtarët me pinca, atëherë kur ka nevojë që vendimi i porositësve të shkoj deri në fund për të ndalur rrugën tonë për të çuar përpara miratimin e reformës në sistemin e drejtësisë. 
Gjyqtari Arjan Aliaj që dha vendimin ndaj Drejtorit të Policisë Haki Çako nuk ishte gjyqtar i gatshëm. Nuk ishte gjyqtari që duhet të merrte në shqyrtim  çështjen ndaj drejtorit Haki Çako. Gjyqtari i gatshëm duhet të ishte Adriatik Bocaj, i cili sipas ligjit, sipas shortit duhet të ishte gjyqtari që e merrte këtë çështje në shqyrtim dhe jepte vendimin. Shorti në fakt për çudi është mënjanuar dhe gjyqtari që ka marrë përsipër këtë çështje ishte gjyqtari Arian Aliaj. Unë i drejtoj një pyetje KLD, Unionit, Sindikatave të Gjyqtarëve, Presidentit dhe kujtdo që mund të japë një përgjigje: për cilën arsye jashtë ligjit, jashtë rregullit, jashtë shortit, në shkelje të çdo dispozite u zgjodh gjyqtari Arin Aliaj për të dhënë vendimin kundër Drejtorit të Policisë Haki Çako?
Për cilën arsye nuk u respektua ligji, nuk u respektua shorti, për cilën arsye nuk e gjykoi çështjen gjyqtari që i takonte por u përzgjodh jashtë ligjit, jashtë shortit një gjyqtar tjetër? 
Unë pres përgjigje për këto pyetje që në fakt hedhin dritë për mënyrën sesi funksion sistemi i drejtësisë. Dhe nuk janë të paktë qytetarët që kanë provuar mbi kurrizin e tyre sesi ndërrohen gjyqtarët dhe trupat gjykuese sipas interesave të atij që jep më shumë para, apo sipas interesave në këtë rast të atij që të garanton më shumë politikisht me urdhrat politikë që të jep, me detyrimin që t’u vënë në shërbim sepse të ka shpëtuar atëherë kur shpëtoje vrasës dhe përdhunues.
Unë pyes Kryetarin e Gjykatës së Tiranës, Fatri Islami, i cili njihet për lidhjen familjare me Sali Berishën, asistent personal i Argita Berishës, ndërsa vëllai i tij deri dje kur Lulzim Basha ishte Kryetar Bashkie, ishte Drejtor Ujësjellësi në Bashkinë e Tiranës, për cilën arsye u mënjanua shorti, për cilën arsye u shkel ligji, për cilën arsye nuk u zbatua rregulli, dhe nuk u lejua që çështjen ta gjykonte gjyqtari që duhej, por u kap në mënyrë joligjore, jashtë rregullit, jashtë shortit gjyqtari Arian Aliaj?
Këto janë pyetje për të cilat përgjigjet janë të detyrueshme dhe për të cilat duhet të japin përgjigje të gjithë ata që kanë përgjegjësinë, jo vetëm për të zbatuar ligjin në gjykata, jo për të zbatuar rregullin dhe shortin në gjykata, por mbi të gjitha për të garantuar integritetin e trupës gjyqësore. 
Por unë kam disa konkluzione të cilat dëshmojnë më së miri se çdo moment që hedhin dritë në këtë çështje nxjerr në pah skandal pas skandali. Nxjerr në pah urdhëra politik që kanë detyruar segmente të caktuara në prokurori e në gjykatë për të bërë atë që bënë për të goditur policinë sepse Policia e Shtetit është në linjën e parë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dhe sepse bashkë më Policinë e Shtetit ne jemi të vendosur që të çojmë përpara axhendën më të rëndësishme që kanë sot qytetarët shqiptarë dhe që është miratimi i reformës në sistemin e drejtësisë.
Fronti i të keqes, i korporatës të gjithë atyre që nga SHQUP-i deri të dyert e gjykatave, në sallat e gjykatave me çekiç në dorë, me vendime të paligjshme dhe me mburojë politike, fronti i të keqes dhe i korporatës së gjyqtarëve, të cilët sot mbajnë peng drejtësinë po mundohen të mbajnë peng Shqipërinë.
Po ne jemi shumë të vendosur ta çojmë përpara këtë axhendë. Ne jemi shumë e të vendosur të miratojmë Reformën në Drejtësi, ne jemi shumë të vendosur të mos bëjmë pas nga askush në SHQUP, apo në gjykatë që sot ndjehet i kërcënuar nga Reforma në Drejtësi, në vazhdim do ketë edhe më shumë fakte për skandalet në sistemin e drejtësisë jo vetëm për këtë çështje por edhe për çështje të tjera. Por deri në këtë moment përfaqësuesit e sistemit të drejtësish janë të detyruar t’i përgjigjen pyetjeve lidhur me caktimin jashtë radhe, jashtë shorti, jashtë ligjit, jashtë rregullit të gjyqtarit Arjan Aliaj?
Dhe më i pari është i detyruar Kryetari i Gjykatës së Tiranës, i cili veç lidhjeve me Sali Berishën, me fëmijët e tij, ka detyrimin t’i shpjegojë publikut për cilën arsye u shkel ligji në këtë rast?
Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka është e nevojshme, të çojmë përpara reformën në drejtësi.
Fronti i së keqes që kërkon të mbajë peng Shqipërinë, që kërkon të mbajë peng të ardhmen duke mbajtur peng sistemin e drejtësisë, nuk do mund kurrë të na bëhet pengesë në këtë refiormë madhore që presin qytetarët shqiptarë.
Faleminderit!
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë