Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm dhe vullnetin pozitiv të qeverisë dhe institucioneve të saj, për të folur dhe për të diskutuar problemet që shfaqen. Për ne është i rëndësishëm impenjimi i qeverisë, për të marrë në konsideratë disa çështje themelore që i kemi trajtuar për një kohë të gjatë dhe sot i shohim të zbatuara.

Ne mendojmë se dialogu është forma më efikase e zgjidhjes së problemeve dhe kjo tryezë është vendi më i duhur, për të adresuar çështjet që biznesi has në punën e tij dhe ne i kemi për detyrë t’i zgjidhim.

Ligji “Për Këshillin Ekonomik Kombëtar” i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, detyron administratën shtetërore, që të publikojë projekt-aktet me efekt në sektorin e ekonomisë dhe që këto projekt-akte të konsultohen për një afat prej 60 ditësh përpara se sa akti të marrë fuqi juridike. Kjo ka qenë edhe një nga kërkesat e Dhomës Amerikane në vite, një kërkesë që synonte krijimin e një afati të arsyeshëm tranzicioni nga miratimi i aktit të ri deri në hyrjen e tij në fuqi. 

Në këtë kontekst, Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin që ndërkohë që ligji i ri i TVSH-së ka hyrë në fuqi që në datën 1 janar 2015, akoma nuk është miratuar Udhëzimi i Ministrisë së Financave që do të bëjë të mundur implementimin e saktë të këtij ligji dhe sqarimin e shumë skemave dhe procedurave të veçanta (psh skemat e veçanta për cigaret dhe kartat e parapaguara). Për më tepër, Ligji i ri për TVSH-në e detyron Ministrinë e Financave të miratojë Udhëzimin përkatës, jo më vonë se 4 muaj nga data e botimit të këtij ligji në Fletoren Zyrtare. Ligji u botua në 13 gusht 2014 dhe rrjedhimisht, aktet nënligjore duhet të ishin miratuar dhe publikuar jo më vonë se sa data 13 dhjetor 2014, në mënyrë që të hynin në fuqi në 1 janar 2015. 

Ende sot, Ministria nuk e ka miratuar Udhëzimin për TVSH-në, duke lënë në këtë mënyrë një boshllëk ligjor, por njëkohësisht duke krijuar një situatë amullie mes biznesit që akoma nuk e njeh mirë ligjin e TVSH-së. AmCham-i rithekson se është e nevojshme që paralelisht me çdo ligj të ri, por sidomos për ligje themelore si ai i TVSH-së, të hartohen paralelisht dhe aktet nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e tij dhe komunitetit të biznesit duhet t’i jepet koha e nevojshme për t’u njohur me to. Për ne është e rëndësishme që jo vetëm të jemi pjesë e proceseve të diskutimit, por dhe të na lihet koha e mjaftueshme për të njohur dhe për të informuar anëtarët tanë, mbi ndryshimet e pritshme dhe mënyrën se si ata duhet të njohin dhe të përgatiten ta zbatojnë këtë ligj. 

Në këto kushte, duke konsideruar rëndësinë e veçantë të dispozitave të Udhëzimit në kuptimin, sqarimin dhe plotësimin e dispozitave të ligjit, Dhoma Amerikane do e vlerësonte pa masë në se zbatimi i ligjit të ri do të pezullohet deri në datën 1 korrik 2015, në mënyrë që gjatë kësaj kohe Ministria e Financave të finalizojë udhëzimin përkatës dhe ta konsultojë atë me bizneset në një kohë të arsyeshme.